Rama jep 100 certifikata pronësie në Fier. Përfitues, anëtarët e kooperativave dhe të fermave 


Projekti pilot – Komuna Frakull e Fierit është pjesë e projektit pilot që Ministria e Bujqësisë aplikon prej disa muajsh për regjistrimin e tokës dhe përgatitjen e procesit të dhënies së tapive.


Subjektet – Subjektet janë familjet bujqësore që kanë marrë tokë, janë pajisur me titullin e pronësisë, e cila njihet si tapi, e emërtuar “Akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP)”, i lëshuar nga komisionet e ndarjes së tokës. Me këtë akt janë pajisur me dokumentacion 96% e përfituesve nga ndarja e tokës bujqësore më 1991.


Ish-pronarët – Personat që kanë një certifikatë për pronën e tyre, që daton para krijimit të kooperative, por që kjo pronë është shpërndarë me Ligjin 7501, do të trajtohen si ish-pronarë.


Zamir Alushi



Nis dhënia e titujve të pronësisë në fshat në bazë të Ligjit 7501 për tokën e ndarë më 1991. Kryeministri Rama ka shpërndarë dje 100 certifikatat e para të pronësisë së tokës për banorët në Frakull të Fierit. “Të mbyllim kapitullin mbi 20-vjeçar të tokës që e ke dhe s’e ke. Toka po kalon nga një kapital i vdekur, në një kapital të qarkullueshëm”, tha Rama. Nga ky proces pritet të përfitojnë 450 mijë familje në shkallë vendi.


Toka atyre që e punojnë


Gjatë takimit me banorët e Frakullës, Rama ishte i shoqëruar me ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti. “Ne jemi këtu për të filluar t’i japim jetë një procesi që ngrihet mbi një zotim shumë të fortë e shumë të qartë që, mbi bazën e Ligjit 7051, ne do të ndajmë titujt e pronësisë për të gjithë ata që sot, prej kaq shumë vitesh, vazhdojnë të punojnë tokën e tyre, me familjet e tyre dhe ende nuk janë bërë dot pronarë të tokës”, u shpreh Kryeministri.


Toka kthehet në kapital


“Besojmë se ky është edhe fillimi i fundit të një kapitulli të gjatë zvarritjeje të pakuptimtë e sfilitëse për të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën dhe që përmes tokës mundohen të krijojnë mirëqenien e tyre”, tha Rama. Nga ana tjetër, sipas Kryeministrit, ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe të gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës.


Përfitimi


Personat që kanë përfituar tokë me Ligjin 7501 në vitin 1991, përmes aktit të marrjes së tokës në përdorim, me këtë certifikatë shndërrohen në pronarë legjitimë. Pra, fitojnë të drejtën e tjetërsimit të saj, të shitjes. Ndarja e tokave të kooperativave dhe të fermave u bë në bazë të numrit të anëtarëve që kishte çdo familje, por ligji u lejonte atyre vetëm të drejtën e përdorimit të tokës, jo shitjen dhe blerjen e saj, madje ky dokument nuk njihej as nga bankat si kolateral.


Afati i procesit


Në bazë të ndryshimit të bërë para një muaji në ligjin e vitit 2008, procesi i verifikimit të titujve të pronësisë do të mbyllet brenda 31 dhjetorit të vitit 2015. Verifikimi i tapive evidenton çdo shkelje dhe i jep të drejtë Komisionit Qeveritar për Tokën (KQT) të heqë tapinë në ato raste kur ajo është dhënë në shkelje me ligjin. Verifikimet përkatëse bëhen nga komisionet vendore për titujt e pronësisë të ngritura pranë zyrës së prefektëve. Meqenëse matjet e vitit 1991 janë kryer me mjete rrethanore, nuk do të regjistrohet sipërfaqja e shënuar në aktet e përdorimit, por matjet që janë në zyrat kadastrale, të cilat janë kryer në vitin 1996.