Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela inspektuan nisjen e fazës së investimeve për rrjetin e shpërndarjes në zonën e Spitallës në Durrës.
Linjat elektrike aktuale që furnizojnë këtë zonë janë në gjendje të keqe teknike, shumë të ngarkuara dhe humbjet në nivele të larta. Investimi i nisur nga OSHEE kap vlerën e 4.4 miliard lekë të vjetra dhe ndikon në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për mbi 2500 abonentë familjarë e biznese.
“Po zbatojmë një plan të mirëmenduar investimesh gjatë këtij viti. Janë investimet më të mëdha që po ndodhin në sektorin energjetik gjatë viteve të fundit, investime që këtë vit parashikohen nga Operatori i Shpërndarjes të shkojnë mbi 40 milion dollarë. Këto ndërhyrje direkte ndikojnë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike, në uljen e humbjeve në rrjet.
Do të thotë më shumë siguri nga pikëpamja energjetike dhe siguri që sistemi do të ecë mbi baza të shëndosha”, theksoi ministri Gjiknuri. Sipas tij, lufta ndaj informalitetit në energji dhe kontributi e mbështetja e qytetarëve po përkthehet në investime që synojnë një shërbim më të mirë për qytetarët.
22 korrik 2015 (gazeta-Shqip.com)