Ndryshon sërish ligji për procedurat tatimore. Masa të reja ndëshkuese për informalitetin
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë do të nisë sot shqyrtimin e draftit të qeverisë, për ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, i cili është kërkuar të kalohet me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Projektligji, që pritet të shkaktojë debate në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, parashikon masa të ashpra ndëshkuese për shitësit e shumicës që i mbajnë mallrat pa faturë tatimore dhe i shesin apo transportojnë mallrat pa faturë. Në rast se tatimpaguesi që shet mallra me shumicë, mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me tri penalitete: gjobë në masën 10 milionë lekë; konfiskim të të gjithë sasisë së mallit që mbahej në ruajtje, përdorej apo transportohej, i pashoqëruar me dokumente tatimore; rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë gjashtëmujore, që do të thotë se e gjithë vlera e mallit u shtohet të ardhurave të tatimpaguesit për gjashtë muajt e mëparshëm dhe rivlerësohen detyrimet tatimore për TVSH-në dhe tatimfitimi pikërisht mbi këtë bazë të re të ardhurash. Sigurisht që mbi këto detyrime gjenerohen edhe kamatëvonesat. Projektligji propozon edhe ndryshime që lidhen me rishikimin dhe strukturimin e penaliteteve në rast të moslëshimit të kuponit tatimor; rritjen e masës së gjobës kur kuponi tatimor nuk është sipas përcaktimeve ligjore; penalitet i ri kur një tatimpagues mban pajisje që nuk janë fiskale; po ashtu ndëshkohet tatimpaguesi që nuk afishon në një vend të dukshëm një poster, i cili tregon të drejtën e blerësit për të mospaguar për mallrat dhe shërbimet e blera, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor. Ndryshimet e propozuara kanë riformatuar: masën e gjobës për bizneset, pavarësisht nga ndarja, biznes i madh apo biznes i vogël, në masën 500 mijë lekë për rastin e parë të verifikimit, si dhe rivlerësim tatimor i të ardhurave për gjashtë muajt e fundit; lejimin e dënimit me gjobë vetëm në një rast konstatimi dhe në rastin e dytë, tatimpaguesi procedohet për evazion tatimor. Projektligji pritet të rihapë një tjetër debat, atë të përgjimit të telefonisë celulare, pasi drafti në fjalë parashikon regjistrimin e numrave IMEI të celularëve që do të futen në tregun shqiptar, çështje kjo që do të shkaktonte debate të forta një vit më parë. “Importuesit e telefonave celularë, në çastin e deklarimit dhe të pagesës së detyrimeve doganore pranë degëve doganore, duhet të deklarojnë edhe listën e numrave IMEI të aparateve të importuara, si dhe të ngarkojnë elektronikisht të gjithë informacionin në bazën e të dhënave; tatimpaguesit me shumicë dhe me pakicë, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të ngarkojnë numrat IMEI të telefonave celularë te baza e të dhënave të të gjithë telefonave celularë gjendje”, thuhet në projektligj.