Vëzhgim
Tregtarët thonë se kostot e ushqimeve ndryshojnë shpesh, brenda 10 ditëve, s’dihet sa do zgjasë
Shpresa Mezini
Parashikimi – Së fundmi po diskutohet se do të rriten edhe çmimet e nënprodukteve të miellit, siç janë edhe biskotat
Justifikimi – Shitësit thonë se çmimi i bulmetrave është rritur për shkak të djegies së kullotave që ka reduktuar ushqimin për gjënë e gjallë
Tregjet ushqimore, marketet apo pikat e shumicës të pozicionuara pothuajse në çdo cep lagjeje, rruge apo zone po përballen ashpërsisht me fenomenin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Shitësit apo vetë pronarët e dyqaneve që tregtojnë produkte ushqimore tregojnë se rritja e çmimeve po kalon çdo limit.
“Nëse përpara një muaji, rritja krahasohej me muajin paraardhës, në muajin shtator po ndeshemi me një fenomen të çuditshëm. Çmimet e produkteve, gjatë këtij muaji janë rritur brenda 10 ditësh. Duke qenë se çmimet shpesh janë të papërballueshme, e furnizoj dyqanin pak dhe shpesh, brenda 10 ditëve. Për këtë muaj e kam furnizuar dyqanin 2 herë, ndërsa 2 herë më është dashur të paguaj çmime të ndryshme për produkte të njëjta”, thotë Lavdija, shitëse në një market në zonën e ish-parkut të autobusëve, konkretisht në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Ajo shprehet e shqetësuar për shkak se sot paguan më shumë për të furnizuar dyqanin, ndërkohë që njerëzit blejnë pak ose me lista. Familje që blejnë dhe i shënojnë shpenzimet në fletore i gjen në masë në këtë zonë.
“Kur flas për rritje çmimesh nuk e kam fjalën për produktet e ‘luksit’, sepse ndonëse në 2012-n, nga shumë konsumatorë, ende sot, konsiderohen si të tilla për shkak të pamundësisë për t’i blerë. E kam fjalën për djathin e bebes, kaçkavallin, qumështin italian, çokokremin, majonezën, salcat e ndryshme për makaronat apo mishrat. Janë rritur shumë çmimet e ushqimeve të përditshme, ato bazë. 10 ditë më parë, mielli ka qenë 70 lekë, ndërsa tani është 80, vaji i lulediellit ishte 210, është bërë 240 lekë të reja, djathi ka qenë 600 lekë, është 650, gjiza ishte 170, është 200 lekë të reja, veza arriti në vlerën e 16 lekëve, u ul në 14, ndërsa sot është 15 lekë të reja”, sqaron shitësja.
Nisur nga rritja e çmimit të bulmetrave, shitësit e tyre sqarojnë se shkak është edhe djegia e kullotave, e cila ka reduktuar ushqimin për gjënë e gjallë.
Të dhënat që raporton shitësja për gazetën “Shqip” janë reale në disa lagje të qytetit. Këtë fenomen e kemi ndeshur në pjesën më të madhe të marketeve apo supermarketeve të kryeqytetit, pa përfshirë zona si ish-Blloku, Tirana e Re, apo Rruga e Elbasanit, ku shpesh të ndodh të stepesh, pasi çmimet janë edhe më të larta se në zona të tjera. Përballë këtij fenomeni, shitësit thonë se me këto çmime operohet kudo, ndërsa ka edhe nga ata që me sinqeritet pohojnë se i vret çmimi i qirave, për rrjedhojë detyrohen të rrisin çmimet e produkteve nga 5-10 lekë të reja.
E ndërsa për të blerë disa produkte sot duhet të paguash më shtrenjtë se përpara një muaji, apo 10 ditësh, ka edhe nga ato produkte, çmimi i të cilave nuk ka ndryshuar, as nuk është rritur e as nuk është ulur, me përjashtim të orizit, që është ulur me 5 lekë.
“Janë rritur çmimet e miellit, vezës, djathit dhe vajit të lulediellit, ndërsa ka të tjera që nuk kanë ndryshuar. Vaji ka qenë 225 lekë, ndërsa sot është 235 lekë të reja, mielli shitej me 100 lekë, ndërsa sot është 110 lekë të reja. Sheqeri është 13 lekë, kripa 20, makaronat 80, vaji i ullirit është 400 lekë, salca e domates shitet me 70-100 lekë të reja. Çmimet e këtyre produkteve nuk kanë ndryshuar, as në raport me një muaj me parë, as me disa muaj, kanë mbetur të njëjtat. Së fundmi po diskutohet se do të rriten edhe çmimet e nënprodukteve të miellit, siç janë edhe biskotat”, tha Shpëtimi, shitës në një dyqan në rrugën “Mine Peza”. Shkak për këtë rritje të mundshme është shtrenjtimi i grurit në tregjet e huaja, kur 1 ton kushton 40 dollarë më shumë, krahasuar me një muaj më parë.
Lista
Produkti Ishte Bëhet
Vaj luledielli 220 240 lekë
Vaj ulliri i importit 500 510 lekë
Mielli 70 80 lekë
Vezët 14 15-16 lekë
Djathi 600 650 lekë
Gjiza 170 200 lekë
Salca 80 90 lekë
Biskotat 100 120 lekë
Ilaç enësh 190 220 lekë
Zbutës rrobash 500 520 lekë