Pa zgjidhje, edhe objektet në zonat me plan mbi 5 kate. PD voton kundër


Pagesa – Ligji i ri parashikon që procesi të jetë falas, ndërkohë që objektet e legalizuara do të mund të hipotekohen edhe pa kryer pagesën e tokës, por me një barrë siguruese


Zamir Alushi 


Artan LamePara nisjes së shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin për legalizimet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, komuniteti rom i ka dorëzuar një peticion ku kërkohej njohja nga ligji i banesave të llojit baraka. Në fakt, pas shqyrtimit nen për nen, rezulton se përveç barakave, jashtë procesit të legalizimeve kanë mbetur shumë kategori, ku më të rëndësishmet janë objektet e ndërtuara pas 1 janarit të vitit 2009 dhe ato të ndërtuara në parcela, ku plani urban parashikon ndërtime mbi pesë kate.


PD voton kundër


Dje, në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, u miratua vetëm me votat e mazhorancës drafti për ndryshimin e ligjit për legalizimet, ndërkohë që u rrëzuan amendimet e opozitës. Komisioni ka miratuar ligjin nen për nen, duke lënë jashtë skemës së legalizimeve ndërtimet pas 2009-s që nuk janë në truall të pronarit si dhe ndërtimet mbi 5 kate. Deputeti Genc Ruli në emër të opozitës shpjegoi se, “Votuam kundër se, të gjitha amendimet e opozitës u rrëzuan, përveç dy prej tyre, që nuk ishin thelbësore” u shpreh Ruli. Ndërkaq, kryetari i komisionit, Eduard Shalsi, u shpreh se mazhoranca po e realizon këtë proces të cilin PD-ja nuk e bëri për 8 vite. “Nuk mbajtët premtimin për legalizime falas. Mendova se votat kundër ishin një lapsus i opozitë, por ishte kundërta. Opozita dështoi 8 vite për legalizimet dhe sërish vazhdon të mos u kërkojë ndjesë qytetarëve për këtë gjë”, replikoi Shalsi. Projektligji do të kalojë për miratim ditën e enjte në seancë plenare në Kuvend.


Afati


“Të gjitha objektet, pavarësisht nga pronësia e truallit, të bëra deri në 2009-n, përfshihen në legalizime. Pas këtij viti, në momentin që zënia e truallit, pronë shteti, ose pronë e të tretëve, është vepër penale, nuk mund të përfshihet më në legalizim”, ka sqaruar disa herë kreu i Legalizimeve, Artan Lame. Gjithsesi, në këto diskutime, Lame e ka bërë të qartë se nuk do të prishen këto objekte. Ai ka nënkuptuar se do të ketë nisma të reja ligjore për përfshirjen e këtyre objekteve në proces, por me legjislacionin aktual, kjo kategori nuk mund të përfshihet në legalizim. Sipas burimeve nga ALUIZNI, qeveria do të marrë një matës satelitor të momentit kur hyn në fuqi ligji.


Planet urbanistike, pengesë


Legalizimet “ngrijnë” në zonat që ka pronarë dhe ka studime urbanistike që parashikojnë ndërtime mbi pesë kate. Me gjithë thirrjet e lëshuara ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht të opozitës, Lulzim Basha, për të gjetur zgjidhje mbi këtë problem, pra për të hequr kufizimet e planeve urbanistike për këto zona, deri tani ka pasur vetëm shkëmbim akuzash, por jo emërues i përbashkët. Nga planet e rregullimit janë bllokuar, sipas ALUIZNI-t, 13 mijë ndërtime që ligji i legalizimeve nuk u jep zgjidhje. Për këto ndërtime duhet të gjendet një zgjidhje mes ndërtuesve pa leje të objekteve me mbi pesë kate dhe planeve që parashikojnë ndërtim deri në pesë kate.

Amnisti e re

Sipas hartuesve të projektligjit, përfshirja e ndërtimeve të bëra pas vitit 2009 në procesin e legalizimeve mund të bëhet vetëm nëpërmjet një amnistie dhe një konsensusi të gjerë politik. Pra, duhet një marrëveshje midis partive kryesore politike për të amenduar veprën penale të ndërtimit pa leje.