bujqesiaBujqësia


Ministria e Bujqësisë synon të lehtësojë fermerët përmes pagesave cash, për kontratat e shitblerjeve në sektorin e bujqësisë. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, do t’u parashtrojë dikastereve të Financës dhe Ekonomisë hartimin e një akti normativ, që parashikon pagesat cash nga fermerët deri në vlerën e 500 – 1000 euro, për transaksionet e shitblerjes, që deri tani aplikohen përmes bankave. Synimi i aktit normativ është përshpejtimi i aktiviteteve në bujqësi dhe lehtësimi i fermerëve për kryerjen e transaksioneve dhe nxitjen e kontratave të shitblerjes. Kjo nismë vjen si domosdoshmëri e problemeve, që kanë hasur së fundi fermerët, të cilët edhe për pagesa të vogla duhet të shkonin në banka, në një kohë kur shumë prej tyre nuk kishin llogari bankare, apo i kanë bankat larg fermave dhe qendrave të grumbullimit. Sipas Ministrisë së Bujqësisë pagesat cash në bujqësi për transaksione të vogla njihen dhe janë eksperiencë edhe në disa vende të rajonit. Në një takim të ditëve të fundit, Panariti u shpreh për rëndësinë e pajisjes së fermerit më kartën e fermerit dhe me numrin NIPT-t, sepse formalizmi i bujqësisë nuk është ngarkesë tatimore që i bëhet fermerit, por është procesi i cili e ndihmon atë që të bëhet pjesë aktive në zbatimin e politikave bujqësore dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë te fondet e BE-së. Panariti siguroi se aplikimet për pajisjen me NIPT nga ana e fermerëve janë të shumta në të gjithë vendin, gjë që tregon se ata janë të vetëdijshëm se të jesh informal nuk është me leverdi, sepse vetëm konsolidimi i një zinxhiri vlerash siguron suksesin e të gjithë sektorit bujqësor. Deri tani kanë aplikuar për NIPT-in rreth 20 mijë ferëmerë në të gjithë vendin.