Kontrata
E vërteta e penalitetit gjashtëmujor ndaj “Crown Agents” për një problem të vitit 2006
Vendimi i qeverisë “Rama” për dhënien në administrim të doganave të vendit agjencisë private “Crown Agents” vijon të kundërshtohet nga Partia Demokratike. Në një deklaratë për shtyp, ish-zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tha dje se ky është një akt i dyshimtë, jo transparent dhe që bëhet në shërbim të interesave klienteliste. Duke vijuar më tej, deputeti i PD-së theksoi se kjo kompani, edhe pse është përjashtuar nga Banka Botërore për mashtrim, Rama po e përdor atë në emër të interesave dhe përfitimeve të grupimeve pranë pushtetit. “‘Crown Agents’ është përjashtuar nga Banka Botërore për mashtrim, dhe kësaj kompanie i është ndërprerë së fundmi kontrata në Bullgari për shkak se paratë e taksapaguesve përdoreshin për paga dhe shpenzime luksi. Politika e shkatërrimit të doganave është e papranueshme. Kjo politikë do t’i kushtojë ekonomisë së vendit, por edhe imazhit, pasi është kthim në kohët e errëta, në kohën kur trau i doganës ngrihej me telefonat e miqve të kryeministrit”, deklaroi dje Rushaj. Sipas demokratëve, qeveria ka mbajtur që në fillim një qëndrim jo serioz, dhe të programuar, ndaj doganave, me qëllim rrënimin e këtij institucioni. “Goditja e parë vjen me emërimin në krye të kësaj agjencie të një personi të papërshtatshëm, larg çdo kriteri profesional. Goditja e dytë vjen me krijimin paraprakisht të gropës së madhe të evazionit, duke parashikuar me akt dhe me votim në Parlament zhdukjen e miliona dollarëve, që Rama dhe Meta e dinë se nuk do të mblidhen. Goditja e tretë vjen me shkarkimin masiv të profesionistëve të kësaj administrate dhe zëvendësimin e tyre me shërbëtorët e Partisë Socialiste. Dhe goditja finale vjen me dorëzimin e kësaj agjencie të rëndësishme shtetërore, me prokurorim të drejtpërdrejtë në duart e një kompanie me rekorde negative, dhe që është vendosur në listat e zeza të Europës dhe Institucioneve Ndërkombëtare”, u shpreh dje deputeti i PD-së.
Ajo që PD e quan vendosje në listën e zezë të institucioneve ndërkombëtare është në fakt një penalitet i vendosur në vitin 2011 nga Banka Botërore ndaj kompanisë dhe që vlente ekskluzivisht për kontratat mes BB dhe “Crown Agents”. Penaliteti mban datën 19 tetor 2011 dhe në komunikatën zyrtare të Bankës Botërore sqarohet se përjashtimi i “The Crown Agents for Oversea Governments and Administrations Limited” bëhet për një periudhë gjashtëmujore vetëm për kontratat e Bankës Botërore, për shkak të një problemi me një kontratë të vitit 2006. Kështu që nga 19 prilli 2012, kompania angleze nuk është më nën penalitet dhe është e lirë të lidhë kontrata edhe me vetë Bankën Botërore.