Takimi
Nisin konsultimet e qeverisë për tre plane strategjike të planifikimit të territorit. Të tria planet, pritet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2015 dhe do të japin orientimet bazë për zhvillimin territorial të Shqipërisë, duke mirëpërcaktuar hierarkinë e qendrave urbane, të cilat më pas do të lidhen drejtpërsëdrejti me investimet publike, për të përmirësuar cilësinë e jetës në rajonet, qytetet dhe zonat rurale të vendit. Në fjalën e saj, në takimin konsultues me shoqërinë civile, ministrja e Zhvillimit Urban, Gjermeni theksoi se iniciativa e ndërmarrë për përfundimin e të tria planeve, brenda muajit dhjetor të vitit 2015, përkon edhe me planin e qeverisë, për të asistuar teknikisht dhe financiarisht 26 bashkitë më kryesore të vendit, në hartimin e planeve të tyre rregulluese, që do të bazohen pikërisht në parimet dhe objektivat e shprehura në instrumentet e planeve kombëtare. Gjithashtu, ministrja Gjermeni duke iu drejtuar përfaqësuesve të shoqërisë civile, tha se “Përveç detyrimit ligjor që kemi, për të konsultuar me të gjitha grupet e interesit dokumentet që hartojmë në fushën e planifikimit kombëtar dhe vendor, ne e çmojmë dhe e konsiderojmë si shumë të rëndësishme ekspertizën dhe kontributin tuaj, në mënyrë që këto procese të marrin një mbështetje sa më të madhe në drejtim të rritjes së cilësisë së produkteve finale”.