Intervistë me drejtorin ekzekutiv të PLUS Communication, Julien Coustaury
Autoritetet të ndërhyjnë, pasi licenca e katërt 3G është shtyrë dhe neglizhuar në mënyrë të pajustifikuar nga AKEP
AKEP po shtyn në mënyrë të pajustifikuar dhënien e licencës së katërt të shërbimit 3G, ndërsa po lejohet abuzimi me pozitën dominuese në tregun e telefonisë së lëvizshme. Julien Coustaury, drejtori ekzekutiv i operatorit celular PLUS Comunucation sqaron në një intervistë për gazetën “Shqip” problemet e rënda të tregut të telefonisë në Shqipëri.
Z. Coustary, keni pasur deklarata të ashpra në shtyp kundër AKEP, rregullatorit të telekomunikacionit. Ku qëndron konflikti midis PLUS dhe AKEP? Mendoni se dalja në publik është zgjidhja më e mirë?
Ne kemi tentuar për shumë kohë tashmë të gjitha rrugët administrative me AKEP në lidhje me autorizimin për 3G, si dhe në lidhje me rregullimin e tregut të telefonisë celulare. Fakti, që tashmë kemi zgjedhur një strategji tjetër, atë të daljes në publik për këto problematika, tregon se AKEP nuk ka reaguar, ka shtyrë proceset, duke i sjellë operatorit PLUS shumë pengesa të pajustifikuara. Tashmë ka kaluar më shumë se një vit nga dhënia e autorizimit të fundit 3G, duke bërë që periudha kohore midis dhënies së autorizimeve të jetë më e gjatë se ato të mëparshmet. Deri tani, kemi parë veprime të kundërta nga sa është proceduar më parë, vonesa të gjata dhe neglizhencë nga AKEP, ndryshe nga ç’është në fakt përgjegjësia e këtij institucioni.
Ju thoni se nuk është bërë sa duhet për autorizimin e fundit 3G. Çfarë duhej të ishte bërë më mirë sipas jush? Cilat janë eksperiencat ndërkombëtare për raste të ngjashme?
Ne kemi bërë pjesën tonë, detyrat tona të shtëpisë. Kemi komunikuar zyrtarisht duke dërguar një numër të konsiderueshëm kërkesash administrative, për shumicën e të cilave nuk kemi marrë përgjigje. Madje kemi kërkuar që prej shtatorit të vitit të kaluar përdorimin e frekuencave të përkohshme 3G, për qëllime testimi. Qëllimi ynë ishte që të fillonim punën për aspekte teknike përpara dhënies së autorizimit, në mënyrë që pajtimtarët tanë të mund të kishin shërbime të plota për 3G, menjëherë pas marrjes zyrtare të tij. Me gjithë përkushtimin tonë nuk morëm përgjigje. Kemi shpresë, që kjo situatë të mund të korrigjohet nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike. Ne do të vlerësonim çdo dritë jeshile në funksion të zgjidhjes së kësaj situate.
Në lidhje me pyetjen tuaj mbi eksperiencat ndërkombëtare më lejoni t’ju paraqes vetëm një rast atë të Sllovenisë, ku autorizimi i tretë u dha falas në vitin 2008. Kishte vetëm një kërkesë dhe u vendos të jepej falas. Gjithashtu janë disa vende të Europës që kanë vendosur që në fillim të japin autorizimet falas si Luksemburgu, Finlanda, Lihtenshtejni etj.
Një deklaratë gjithashtu e fortë për probleme të tregut celular me konkurrencën. Cilës problematike të rrezikshme për tregun i referoheni konkretisht?
Ajo që duhet të shpresojmë të gjithë për të mirën e publikut është pasja e një tregu celular sa më të ekuilibruar në përputhje me parimet bazë të konkurrencës së lirë dhe efektive. Tregu ynë përmban aktualisht një operator me pozitë dominuese që vetëm rritet dhe tre të tjerët që ose janë stabël ose po humbasin treg. Në terma afatgjatë një situatë e tillë sjell një rrezik të madh në treg dhe ne presim që autoritetet të veprojnë në mënyrë sa më të shpejtë, që të gjithë operatorët të operojnë në një treg të lirë dhe konkurrues ku të mos ketë abuzime me pozitën dominuese.
A ka situata të ngjashme të problemeve me konkurrencën, apo kjo është një situatë unike për vendin tonë?
Kjo nuk është një situatë unike, ka pasur raste shumë të ngjashme që kanë gjetur zgjidhje, si p.sh rasti i Francës. Autoriteti i Konkurrencës atje gjobiti Orange France & France Telecom dhe SFR, shoqëritë më të mëdha në treg me një gjobë prej 183 milionë euro për praktika në shkelje të konkurrencës në formën e abuzimit me pozitën dominuese. Produkti me efektin club u ndalua në Francë, si dhe është ndaluar gjithashtu edhe në vende të tjera të Europës.