Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës i ka cilësuar të pavërteta lajmet se HEC-et e nxjerra ditët e fundit në privatizim, po shiten me çmime të ulëta. Në një reagim për mediat, METE ka theksuar se këto pretendime dhe interpretime nuk qëndrojnë dhe nuk janë të mbështetura në të dhëna të sakta.
“Ministria Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës garanton se procesi i vlerësimit të ofertave do të realizohet në përputhje me standardet dhe procedurat ligjore dhe do të jetë i verifikueshëm nga media dhe publiku”, thuhet në njoftimin e METE-s.
Sipas këtij dikasteri pas përfundimit të procesit të depozitimit dhe hapjes së ofertave për privatizimin e Shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sh.a. dhe shoqërisë “HEC Ulëz-Shkopet” sh.a., Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin ndërkombëtar IFC, janë duke shqyrtuar dokumentacionin e plotë teknik dhe financiar të secilës prej kompanive ofertuese, në përputhje me kriteret e përcaktuara. “METE informon opinionin publik dhe mediatik se pas kryerjes së verifikimit dhe vlerësimit përkatës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin ndërkombëtar IFC do të hartojnë raportin përfundimtar, i cili do t’i bëhet i njohur publikut”, thuhet në njoftim.
22 Dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)