Papa Leoni XIV ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kuptimit tradicional të familjes, duke e cilësuar martesën si themel të dashurisë së plotë dhe krijuese ndërmjet burrit dhe gruas. Gjatë meshës së shenjtë të së dielës në sheshin Shën Pjetër, të kushtuar familjes në kuadër të Vitit Jubilar, kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për mbrojtjen e vlerave tradicionale familjare.

“Martesa nuk është thjesht një ideal, por është rregulli i dashurisë së vërtetë ndërmjet burrit dhe gruas – një dashuri e plotë, besnike dhe e hapur ndaj jetës. Duke u bërë një trup i vetëm, kjo dashuri fiton fuqinë për të dhënë jetë, sipas shëmbëlltyrës së Zotit”, u shpreh Papa Leoni XIV.

Ai shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij të qartë ndaj abortit, duke e cilësuar si një formë mohimi të jetës dhe të dashurisë njerëzore.

“Njerëzimi tradhtohet kur zgjedh të mos krijojë jetë, apo kur merr të drejtën për ta ndalur atë. Jo për të ndihmuar, por për të lënduar”, deklaroi Papa.

Ky qëndrim vjen në vazhdën e linjës tradicionale të Kishës për çështjet që lidhen me martesën dhe jetën, ndonëse pararendësi i tij, Papa Françesku, kishte hapur një dritare më përfshirëse. Ai refuzoi njohjen formale të martesave mes personave të së njëjtës gjini, por lejoi që çiftet homoseksuale të bekoheshin nga priftërinjtë, përmes një dokumenti të veçantë.

Papa Françesku është kujtuar shpesh për qëndrimin e tij më të hapur, sidomos pas deklaratës së famshme: “Kush jam unë për të gjykuar?”, kur u pyet për qëndrimin ndaj personave homoseksualë.

Deklaratat e Papa Leoni XIV sinjalizojnë një rikthim më të qartë dhe të vendosur ndaj mësimeve tradicionale të Kishës Katolike, në një kohë kur çështjet e familjes, jetës dhe identitetit vazhdojnë të jenë në qendër të debatit shoqëror dhe fetar.