Hyn në fuqi ligji i ri për TVSH-në. Panariti: Qeveria e mbajti premtimin, pajisuni me faturë
Hyn në fuqi ligji i ri për TVSH-në, i cili favorizon bujqësinë duke ulur kostot me 14%. “Qeveria shqiptare e mbajti premtimin për heqjen e kësaj barre fiskale për prodhuesit, përpunuesit dhe eksportuesit, kërkohet pikërisht që këta operatorë t’i përgjigjen me të njëjtën frymë kësaj mase lehtësuese, duke u pajisur me faturat e shitjes me faturat tatimore për çdo transaksion që ata do të bëjnë në procesin e prodhimit, blerjes, shpërndarjes dhe të eksporteve”, tha dje ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, që ka zhvilluar një takim me subjektet prodhuese në vend në kuadër të miratimit të ligjit për TVSH-në. Pjesa e paketës për bujqësinë që përmban ligji për TVSH-në ka hyrë në fuqi në datën 28 gusht 2014, duke u botuar në Fletoren Zyrtare më datën 13 gusht. Ministri Panariti u shpreh se tashmë falë këtij ligji, “nga ky moment, prodhimet bujqësore shqiptare tregtohen, eksportohen, grumbullohen me 14% më pak të kostos, gjë që i vendos ata në një konkurrencë të lirë dhe të ndershme dhe me prodhimet e importuara”. Ai theksoi se, me anë të këtij ligji rriten ndjeshëm aftësitë konkurruese të prodhimeve bujqësore shqiptare në raport me prodhimet e importuara. “Nuk ekziston tashmë asnjë pengesë që këta prodhues, grumbullues, të mos pajisen me faturë shitjeje, me faturë tatimore, pasi barrierat që i penalizonin deri tani, nuk ekzistojnë më. Një nga pengesat kryesore që ka mbajtur peng formalizimin e bizneseve, ka qenë pikërisht penaliteti i madh që i vinte bizneseve nga kjo barrë fiskale”. Kjo, vazhdoi Panariti, do të shoqërohet me një prani më të madhe të prodhimeve tona në tregjet e brendshme, por edhe me rritjen e eksporteve. Duke iu referuar fundit të qershorit, Panariti tha se, ne kemi një rritje prej gati 10% të eksporteve bujqësore në tërësi, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit te kaluar, por kjo masë normative hap një epokë të re, pasi duke u reduktuar kostoja e tregtimit, të prodhimit dhe të shpërndarjes të prodhimeve bujqësore vendase, natyrisht do të ndikojë në përmirësimin e ndjeshëm të bilancit të import-eksporteve. Ndërkaq, Panariti premtoi se, “do të kemi në periudhën që vjen një prani më të madhe të prodhimeve bujqësore në tregjet vendase dhe presim një rritje të vrullshme të eksporteve bujqësore”. Këto produkte, sipas ministrit Panariti, do të jenë pjesë tashmë e tregut formal dhe kjo do t’i japë fizionomi moderne rrjetit të prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore.