Hipoteka
Zonat ku verifikohet pasuria dhe afatet e shpalljes së listave
Prej disa muajsh hipoteka, në kuadër të një projekti me Bankën Botërore për regjistrimin nga e para të pronave të paluajtshme, për t’i përfshirë në sistemim elektronik, po avancon në disa rajone të vendit. Pas Ksamilit, tashmë radhën e ka qyteti bregdetar i Durrësit, ndërsa më pas do vijohet me Fierin. Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonat Kadastrale Nr. 8514 të qytetit të Durrësit dhe Nr. 8534, të qytetit të Fierit. Ky afishim bëhet respektivisht në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8514, saktësisht në adresën, rruga “Hafiz Podgorica”, Pallati “Niko” sh. p. k, përballë ZRPP-së Durrës dhe në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8534, saktësisht në adresën, Lagjja “Apolonia”, Rruga “Xox Andoni” pranë zyrave të rajoneve Fier.
Subjektet private dhe shtetërore kanë të drejtë të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre
Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike dhe përfundon në javën e tretë të muajit korrik. Drejtuesit e hipotekës bëjnë të ditur se, të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8514, Durrës dhe Zonën Kadastrale Nr. 8534 Fier, kanë të drejtë të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.
Në këtë fazë të këtij procesi, është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.
Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjnë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesin vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë respektivisht te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit dhe Fierit.
Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së afishimit publik.
“Procesi i Regjistrimit Fillestar është FALAS për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme”, bën të ditur zyra qendrore e regjistrimit të pronës së paluajtshme. Sakaq, procesi që ka nisur me kohë në Tiranë pritet të mbyllet shumë shpejt.
A.K.