Enti Rregullator konstaton kufizime kolektive të padrejta


ARD KOLA


Prej ditësh së djeshme, ekspertë të Entit Rregullator të Energjisë kanë nisur verifikimet në zonat e nxehta, ku prej disa javësh, banorë të qarqeve Kukës dhe Dibër janë ngritur në protesta kundër masave të CEZ për ndërprerjen e energjisë elektrike.


“Verifikimet do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme”, thonë burime zyrtare të ERE-s për gazetën “Shqip”. Edhe pse është shpejt të flitet, paraprakisht Enti Rregullator, nga verifikimet e para në terren konstaton rajone ku kufizimi i dritave ka qenë i padrejtë dhe në mënyrë kolektive. “Kemi konstatuar zona me klientë të rregullt të CEZ. Pavarësisht se faturat i paguajnë rregullisht, prej disa ditësh nuk kanë energji elektrike dhe kjo masë nuk është e drejtë”, thotë një tjetër ekspert i ERE-s, i cili ndodhet në Bulqizë.


Të kontaktuar nga “Shqip”, zyrtarë të CEZ pranojnë se ka pasur kufizime kolektive, por nga ana tjetër sqarojnë se banorëve të prekur padrejtësisht u janë ofruar zgjidhje. “P.sh, janë dy raste në një fshat të Lezhës, ku klientëve tanë u ofruam gjeneratorë, por nuk i pranuan”, thotë CEZ.


Në rast se ERE konstaton gabime të rënda, atëherë masa ndëshkuese ndaj CEZ-it me ligjin e ri mund të jetë 10-fish më e lartë, nga sa parashikonte ligji i vjetër. Fushatën e ndërprerjeve kompania e kishte paralajmëruar që në qershor, por reagimi i debitorëve nuk ka qenë në përmirësim të situatës, madje ka agravuar me futjen me forcë në ambientet e nënstacioneve, ku u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.


“Kjo fushatë po shtrihet në të gjithë territorin e Shqipërisë ku niveli i debisë është i konsiderueshëm. Ekipet nga Departamenti i Arkëtimeve vazhdojnë të jenë në terren, duke mundësuar kryerjen e pagesës për energjinë e konsumuar nga klientët debitorë dhe njëkohësisht, ekipet nga departamenti i humbjeve joteknike janë duke kryer ndërprerje të lidhjeve të paligjshme dhe të të gjithë debitorëve”, thotë kompania.


Megjithëse CEZ Shpërndarje ka vënë në dispozicion të klientëve debitorë skema lehtësuese për pagesën e debisë së akumuluar, në disa raste, këto skema jo vetëm që janë injoruar, por debitorët janë konfliktuar me ekipet e CEZ Shpërndarje, siç ishte rasti në fshatin Mursi të Sarandës, ku banorët për më shumë se dy orë kanë mbajtur të bllokuar punonjësit tanë. Një tjetër rast i ngjashëm ka qenë ai i Komunës Kolsh në Lezhë, ku pas ndërprerjes së furnizimit me energji të debitorëve, banorët e zonës, në mënyrë të paligjshme dhe jashtë standardeve të punës dhe sigurisë, kanë rilidhur kabinën me rrjetin e shpërndarjes, duke detyruar CEZ Shpërndarje që, për arsye sigurie teknike, të stakojë fiderin për këtë zonë, shton më tej CEZ-i.


Hetimi


Paraprakisht, ERE, nga verifikimet e para në terren konstaton rajone ku kufizimi i dritave ka qenë i padrejtë dhe në mënyrë kolektive


Siguria


Jashtë standardeve të punës dhe sigurisë, banorët kanë rilidhur kabinën me rrjetin e shpërndarjes, duke detyruar CEZ të stakojë dritat


 Varfëria


Banorët në Kukës ankohen se nuk kanë mundësi t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike, për shkak të varfërisë dhe mungesës së të ardhurave


Gjeneratorët


Kompania CEZ thotë se familjeve të rregullta u janë ofruar gjeneratorë në këmbim të kufizimit të dritave, por i kanë refuzuar


 


Procedura


Masa lehtësuese për ata që nuk shlyen detyrimet


Të varfrit, marrëveshje për pagesë me këste


Banorët të cilët nuk kanë shlyer detyrimet për pagesën e energjisë elektrike, për shkak të mungesës së parave, kanë mundësi t’i paguajnë ato me këste. Këto quhen ndryshe masa lehtësuese dhe bëhen të mundura nëpërmjet marrëveshjeve në fuqi që ka CEZ. Mundësia është konfirmuar si nga CEZ ashtu edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka caktuar një ekspert të veçantë për çështjet që lidhen me energjinë elektrike. “Për banorët e zonave të cilët nuk kanë pasur mundësi të paguajnë faturat e energjisë elektrike, është në fuqi një marrëveshje e cila i krijon mundësi të derdhin paratë e prapambetura duke i ndarë në këste dhe duke i shlyer periodikisht”, deklaroi zyrtarisht institucioni i Avokatit të Popullit. Këto rrethana lehtësuese konfirmohen edhe nga kompania.


Lidhur me kufizimet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, Avokati i Popullit ka sqaruar se nga informacionet e marra rezulton se banorët që nuk kanë energji, rezultojnë të jenë debitorë. “Në datën 25.07.2012 është dhënë lajmërimi se për të gjitha kabinat debitorë, për zonat si Kukës, Tropojë, do të procedojmë me ndërprerje. Abonentët duhet të marrin masa për shlyerje detyrimi të papaguar. Për të krijuar kushte lehtësuese në shlyerjen e detyrimit të papaguar, abonentët mund të paraqiten pranë degës Kukës për lidhjen e marrëveshjes për pagesë me këste”, ka qenë edhe sqarimi që CEZ i ka dhënë Avokatit të Popullit lidhur me ndërprerjet dhe kufizimet.


Sipas institucionit të Avokatit të Popullit, për sa i përket fshatrave në Jug, jepet i njëjti informacion, kabinat janë 100 për qind debitorë. Rezultojnë të mos kenë paguar faturat e energjisë elektrike banorët e Drenovicës, Rërëza, Samatica, Pobrat.


E njëjta situatë e ndërprerjes së energjisë elektrike për ditë me radhë ka ndodhur këtë dimër në zonën e Kombinatit. Banorët e periferisë së Tiranës mbeten në ashensor, bizneset përllogaritën humbje të mëdha për shkak të mungesës së energjisë elektrike.


Banorët në këtë rast i kishin paguar të gjitha detyrimet dhe numri i qytetarëve të rregullt me pagesën e faturave ishte më i madh se i të parregulltve. Pavarësisht kësaj, Kombinati prej më shumë se një muaji, në fillim të këtij viti vuajti mungesën e energjisë elektrike. Edhe për vitin e ri, rrezikohet të përsëritet e njëjta situatë, kjo edhe për shkak të rrjetit dhe infrastrukturës së amortizuar.


Këstet


Për të krijuar kushte lehtësuese në shlyerjen e detyrimit të papaguar, abonentët mund të lidhin marrëveshje për pagesë me këste


Zonat


Sipas CEZ, rezultojnë të mos kenë paguar faturat e energjisë elektrike banorët e Drenovicës, Rërëza, Samatica, Pobrat.


 


Rastet


Kompania: Vetëm 30% janë dënuar. 770 vetë, nën hetim


CEZ çon për ndjekje penale 1700 debitorë


Në tre vitet e fundit, duke nisur nga 2010-a, kompania CEZ thotë se ka çuar për ndjekje penale rreth 1700 debitorë, klientë që nuk kanë paguar dritat. Nga këto, rreth 30 për qind kanë marrë dënimin e merituar sipas ligjit, kurse rreth 770 janë nën hetim.


Punonjësit e kompanisë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe policinë do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha zonat problematike për të bërë arkëtimet e debive të konsumatorëve debitorë. “Të gjithë ata klientë debitorë që do të vazhdojnë të injorojnë detyrimet për pagesat e faturave të energjisë, do të kallëzohen nga kompania për ndjekje penale në Prokurori, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, thotë kompania.


CEZ Shpërndarje është e vendosur të mos lejojë që konsumatorët të vjedhin apo të mos paguajnë energjinë elektrike duke tejkaluar afatet kontraktuale.


Kundër fenomenit negativ të vjedhjeve të energjisë, CEZ Shpërndarje po përdor të gjitha mjetet që disponon, por këto përpjekje kërkojnë gjithashtu ndihmën e autoriteteve lokale dhe të organeve të rendit. E vërteta është se, vjedhjet e këtyre aseteve nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe familjet shqiptare, biznesin privat, si dhe autoritetet lokale, pasi këto vjedhje ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit, planin e investimeve dhe te tarifat e energjisë.


A.K


Kundër fenomenit negativ të vjedhjeve të energjisë, CEZ po përdor të gjitha mjetet që disponon