Mundesi punesimi2.2 euro/ora


Ndër vendet e fundit, para Shqipërisë, është Maqedonia me koston 3.5 euro për orë pune, që do të thotë rreth 63% më e lartë.


Pagesa – Aktiviteti ekonomike me koston më të ulët mesatare orare për njësi pune është sektori i menaxhimit të mbeturinave (210 lekë).


Kostoja – 82,4% e kostove janë për paga, shpërblime; 15,3% për kontributet e sigurimeve shoqërore; 1,96% për shpenzime të tjera.


Orët – Numri mesatar vjetor i orëve të paguara për një punonjës është 2,120 orë, ndërsa mesatarja e orëve të punuara është 2,102


Zamir Alushi

Krahu i fuqisë punëtore në Shqipëri është më i liri në Europë. “2.2 euro është kostoja mesatare për orë pune, në një vend pune me kohë të plotë, në Shqipëri. Ndërkohë që vendi i parë në grafik është Norvegjia, me 57.1 euro, ndërsa vendi i parafundit, para Shqipërisë, është Bullgaria me koston 3.4 euro për orë pune. Kjo do të thotë 62.8 për qind më e lartë se kostoja në vendin tonë. E parë me këtë sy nga një investitor global, është e qartë se çfarë avantazhi konkurrues për nga kostoja e vendit të punës ofron Shqipëria”, tha Gjergj Filipi, kreu i INSTAT-it, gjatë prezantimit të rezultateve të Anketës së Kostove të Punës 2013.


Pse është kaq e ulët pagesa?


Sipas Filipit, kostot e punës përbëjnë komponentin më të rëndësishëm të kostos së prodhimit të të mirave dhe shërbimeve dhe i korrespondojnë kostove të një punëdhënësi për punësimin e stafit punonjës. “Aktivitetet ekonomike me koston më të ulët mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë janë aktivitetet në kanalizime, menaxhim të mbeturinave dhe rregullimit (210 lekë); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit të ushqimit (215 lekë) dhe industria përpunuese (219 lekë)”, tha Filipi. Drejtori i INSTAT tha se, kostoja mesatare orare për njësi pune me kohë të plotë rritet me rritjen e madhësisë së ndërmarrjes. Ky është niveli mesatar, por ka edhe sektorë ku ora e punës kushton sa gjysma e këtij niveli. Krahu i lirë i punës është rezultat kryesisht i pagave të ulëta dhe strukturës së tregut, ku një pjesë e madhe e individëve punojnë në industri që paguhen pak, si fasoni apo “call center”-at. Por ka edhe një faktor tjetër që e ul koston e punës në Shqipëri. “Kemi koston më të ulët të taksave të punës në rajon. Jemi në vend të parë për këtë”, deklaroi Filipi. Por, pse puna kushton kaq pak në Shqipëri? Një përgjigje për këtë e deklaroi Genc Kojdheli, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Sipas tij, një arsye është kualifikimi i dobët i forcës punëtore.”Ka kompani të gatshme sot të paguajnë edhe më shumë sesa 2.2 euro, por me kushtin që forca punëtore të jetë pak më shumë e kualifikuar. Kjo kërkon një angazhim dhe një vëmendje shumë të madhe ndaj arsimit të formimit profesional”, deklaroi drejtori i SHKP, Genc Kojdheli. Pagat e ulëta janë kthyer në një politikë të qeverisë, e cila prej dy vitesh nuk ka bërë asnjë rritje të pagave. Një nga anëtarët e qeverisë një ditë më parë, deklaroi se nuk ka rëndësi se sa paguhesh, por vetëm të punosh.


Kostoja sipas sektorëve


Sipas të dhënave të Anketës së Kostove të Punës, për ndërmarrjet jobujqësore me mbi 10 të punësuar kostoja mesatare për orë pune të punuar për një njësi pune me kohë të plotë është 314 lekë (përjashtuar praktikantët). Mesatarja mujore e të punësuarve kundrejt një page (me kohë të plotë dhe me kohë të pjesshme) për ndërmarrjet jobujqësore me 10 të punësuar e lart në vitin 2012, në Shqipëri ishte 306,407. Nëse numrin e të punësuarve me pagë me kohë të pjesshme e konvertojmë me kohë të plotë, atëherë numri total shkon në 303,695 persona. Të punësuarit me kohë të plotë përbëjnë 98,2%, me kohë të pjesshme 1,7%, ndërsa përqindja e praktikantëve e raportuar nga ndërmarrjet është shumë e ulët (0,2%). Ndërmarrjet jobujqësore me 10 të punësuar e më shumë me numrin më të madh të personelit janë në sektorët e arsimit, administrimit publik dhe të mbrojtjes, si dhe industrisë nxjerrëse. Numri mesatar vjetor i orëve të paguara për një punonjës është 2,120 orë, ndërsa mesatarja e orëve të punuara është 2,102. Gjatë vitit 2012, vlerësohet se në ndërmarrjet jobujqësore në Shqipëri kostoja mesatare vjetore për njësi pune me kohë të plotë ishte 660,083 lekë (përjashtuar praktikantët).


Çfarë paguan punëdhënësi


Struktura e kostove të ndërmarrjeve jobujqësore me mbi 10 të punësuar ndahet: – 82,4% e kostove janë për paga, shpërblime dhe shtesa të tjera; – 15,3% për kontributet e sigurimeve shoqërore (pjesa e punëdhënësit); – 1,96% për shpenzime të tjera si kosto e rekrutimit apo pagesa për veshje mbrojtëse për punonjësit; – 0,4% e kostos totale vjetore shkon për trajnim profesional ose për taksat e punësimit. Nga studimi i INSTAT-it del se kostoja mesatare orare për një punëtor me kohë të plotë rritet me madhësinë e ndërmarrjes. Kosto mesatare orare për një punëtor është më e lartë në ndërmarrjet jobujqësore me 500-999 të punësuar e cila, sipas të dhënave, rezulton 370 lekë. Ndërmarrjet jobujqësore me 10-49 të punësuar kanë koston mesatare orare më të ulët (265 lekë). Sa i takon industrisë në të cilën operojnë ndërmarrjet jobujqësore, rezulton që sektori bankar dhe ai i sigurimeve kanë koston mesatare orare më të lartë sesa sektorët e tjerë.


Krahasimi


Krahasuar me vendet e rajonit si dhe me anëtarët e Bashkimit Europian, në Shqipëri kostoja orare mesatare në aktivitetet ekonomike industri, ndërtim dhe shërbime është më e ulëta. Kostoja orare mesatare për një punonjës me kohë të plotë në vendin tonë është 2,2 euro, më pas renditen shtete si Bullgaria dhe Maqedonia me kosto orare mesatare për njësi pune përkatësisht 3,4 dhe 3,5 euro. Vendi më i afërt me Shqipërinë me koston më të ulët orare mesatare të punës është Maqedonia (3,5 euro), por krahasuar me vendin tonë kjo kosto është rreth 62,8% më e lartë. Në raport me vendin me koston më të lartë të punës, Norvegjinë (57,1 euro), kostoja orare mesatare në Shqipëri është sa 3,9% e vlerës së punës në këtë vend nordik.


 


2013-2015


Bien rrogat në ndërtim, pastrim, transport


Krahasimi i dy anketave, nxjerr uljen e pagave sipas sektorëve


Nëse do të referohemi në dy materialet e publikuara nga INSTAT dy ditët e fundit, kemi rënie të vlerës për pagën bruto sipas sektorëve. Kur llogaritet kostoja mesatare e punës, nga Anketa e Kostove të Punës (2013), del se kosto mesatare mujore për një punonjës të sektorit të industrisë përpunuese është 38 803 lekë, ndërsa kur flitet për pagën mesatare bruto në këtë sektor, sipas Anketës së Tregut të Punës (2015), vlera ulet në 29.091 lekë. Për sektorin “Aktivitetet me ujë të ngrohtë, kanalizime, menaxhimit të mbeturinave dhe rregullimit” paga sipas kostos mesatare të punës është 37 727 lekë, ndërsa sipas tregut të punës është 32.279 lekë. Për sektorin transportim dhe magazinim, paga sipas kostos së punës është 65 459 lekë, ndërsa referuar Anketës së Tregut të Punës është 23.952 lekë. Sektori “Shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale” ka gjithashtu një diferencë mes vlerës së matur nga Anketa e Kostos së Punës, që është 56 627 lekë dhe Anketës së Tregut të Punës, ku rezulton 47.408 lekë. Me ulje rezulton edhe paga mesatare bruto në arsim, që është 54.473 lekë, krahasuar rezultatin e anketës së kostove të punës, ku kjo vlerë është fiksuar 62 904 lekë. Ulje ka edhe në sektorin bankar dhe të sigurimeve si dhe në ndërtim. Ndërsa në disa sektorë të tjerë, si industria nxjerrëse, informacion dhe komunikim, akomodimi dhe shërbimet, aktivitetet profesionale, etj., kanë rritje në këtë periudhë 2-vjeçare të marrë si referencë.