Borxhet – Shoqëria CEZ thotë se shteti dhe konsumatorët privatë i detyrohen rreth 50 miliardë lekë, ku gati gjysma u takon institucioneve të administratës
Investimet – Kompania nuk ka kryer investimet e duhura për këtë vit, madje monitorimet tregojnë për nivel afro 7 për qind, duke sjellë probleme me rrjetin
METE kërcënon kompaninë: Do të përdorim ligjin, si me rastin e ujësjellësve
CEZ nuk ka ndërmend të bëjë lëshime, për aq kohë sa “problemet po i shkakton pala shtet”
ARD KOLA
Ministria e Ekonomisë kërkon nga kompania CEZ të respektojë detyrimet ligjore dhe themelore, atë të furnizimit të konsumatorëve me energji elektrike, në të kundërt, do të përballet me ligjin. Shoqëria çeke ka bërë të ditur me anë të letrës dërguar ERE-s, se nuk është në gjendje të mirë financiare për të ndërhyrë në rrjet, në kohë të shpejtë, duke paralajmëruar kufizime të dritave gjatë festave dhe më tej në dimër. Për qeverinë, pak rëndësi kanë faktet e përmendura nga shoqëria, e rëndësishme është furnizimi me drita, në të kundërt do të ndërhyhet me “mjetet ligjore”. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Edmond Haxhinasto, në intervistën për “UTV”, kujtoi rastet e ndërprerjes së dritave për ujësjellësit, në rreth 70 njësi vendore, duke lënë pa ujë gati gjysmën e vendit. “Si në këtë rast, me ndërhyrjen që iu bë për zgjidhjen e problemit, ashtu do të veprohet edhe në rastet në vijim, nëse do të konstatohen kufizime të padrejta”, tha Haxhinasto.
Policia
Ndërhyrja me “mjete ligjore” lidhet me përdorimin e forcave të policisë, si me rastin e ujësjellësve, rreth një muaj më parë, kur uniformat blu, të urdhëruara nga ministri i Brendshëm, pushtuan nënstacionet elektrike të kompanisë CEZ dhe me forcë detyruan punonjësit të rikthenin energjinë elektrike. Disa prej punonjësve të CEZ-it u shoqëruan në komisariate dhe u mbajtën brenda dy ditëve. Ky skenar mendohet të vihet sërish në zbatim në momentin kur të konstatohen kufizime të padrejta të energjisë.
“Si rrjedhojë e situatës së vështirë ekonomike, shoqëria ka informuar se mund të mos jetë financiarisht në gjendje të parandalojë përkeqësimin e nivelit të shërbimeve që ofron, përfshi furnizimin me energji, përgjatë javëve në vazhdim”, është pjesë nga letra që CEZ i ka drejtuar Entit Rregullator të Energjisë (ERE). Kompania nuk ka ndërmend të bëjë lëshime, për aq kohë sa asetet janë pronë e saj, dhe nuk do të pranojë presione, apo më keq akoma pushtime me forca policie si me rastin e “ujësjellësve”. Megjithatë, qeveria, nga ana e saj, në prag të fushatës nuk mund të tolerojë ndërprerje masive të dritave, të cilat zakonisht shoqërohen me reagime të ashpra nga banorët e prekur.
“Nëse gjendja vijon e tillë, kritike, si në aspektin e investimeve dhe me ndërprerje, atëherë heqja e licencës nga ERE do të ishte një vendim i pritshëm”, thotë ministri. Por çfarë ndodh më pas? “Me heqjen e licencës, furnizimin me drita do ta marrë në dorë ERE përmes një administratori të përkohshëm”, vijon më tej ministri, duke kujtuar edhe një herë dëmet që shoqëria CEZ i ka shkaktuar shtetit shqiptar.
Vlerësimet nga dëmet e llogaritura arrijnë deri në 1 miliard dollarë, vlera që mendohet se do të kërkohet në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas ministrit, Shqipëria ka kryer llogaritjet në bazë të ligjit dhe kontratës, nisur nga një sërë problemesh, të cilat mendohet se do të zgjidhen në Gjykatën e Arbitrazhit.
Licenca
Në janar pritet të sqarohet një herë e mirë çështja e konfliktit mes qeverisë dhe CEZ-it. Brenda datës 17 të muajit të ardhshëm, ERE duhet të marrë në mënyrë vendimtare vendimin mbi licencat e tregtimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Kjo periudhë përkon me planin e “CEZ Group” për të shitur aksionet e degës në Shqipëri, në masën zotëruese prej 76 për qind, të blera në vitin 2009 për rreth 102 milionë euro. Çështja e aksioneve duket proces i komplikuar, pasi askush nga palët nuk pranon “të tolerojë”, pas dështimit të plotë të negociatave disamujore për zgjidhjen e konfliktit.
Shitja e aksioneve është konsideruar nga qeveria si akt i mungesës së seriozitetit nga ana e CEZ-it. “Nuk jemi njoftuar për nisjen e një procedure të tillë dhe nuk mund të realizohet pa marrë miratimin e ERE-s”, thotë zv/ministri Eno Bozdo. Nga ana e saj, CEZ thotë se “qeveria shqiptare është njoftuar disa herë për planet tona të shitjes së aksioneve”, kurse analistët çekë e shikojnë të pamundur rifitimin e dëmit prej 1 miliard dollarësh të qeverisë shqiptare.
Ajo çfarë po ndodh lidhet me një sërë situatash të komplikuara mes shtetit shqiptar dhe CEZ-it, të cilat për veprimet dhe mosveprimet po u shkaktojnë shqiptarëve kosto të lartë ekonomiko-sociale. Katër vjet pas privatizimit, konsumatorët ende kanë probleme me dritat dhe qeveria nuk është në gjendje t’i japë një zgjidhje. Ministria dhe ERE, të cilat drejtojnë gishtin nga CEZ, ishin të parat që hapën konfliktin me vendimet dhe gjobat. “Kompania jonë kishte miratuar planin e investimeve me vlerë rreth 6 miliardë lekë, por gjoba e tatimeve me vlerë 3 miliardë lekë dhe më pas ajo e ERE-s me 400 milionë lekë i rrëzoi të gjitha operacionet e ndërhyrjes në terren”, thotë për “Shqip” shoqëria CEZ.
Rrethimi – Qeveria shqiptare i ka dhënë një herë “zgjidhje” mungesës së dritave duke futur në ambientet e kompanisë CEZ forca të shumta policie, për rikthimin e energjisë tek ujësjellësit
Haxhinasto “ERE, vendim për licencën”
Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, është i bindur te vendimi i drejtë që pritet të marrë ERE sa i takon licencës. Sipas tij, nëse CEZ vijon me kufizimet, heqja e licencës do të ishte një akt i pashmangshëm, duke i hapur rrugë drejtimit të sistemit nga shteti shqiptar.
