Ish të përndjekurit
Ministria e Financave rrëzon kërkesat e grevistëve: Do të respektohet ligji
Ndryshimet e shpeshta të ligjit dhe ngatërresat me listat, kanë shkaktuar kaos me procesin
ARD KOLA
Kategoria e ish të përndjekurve politikë nuk vuan nga respektimi i detyrimit për dëmshpërblim të plotë, por edhe me burokraci të shumta nga ana e qeverisë. Me premtimin se do t’i merrnin të plota lekët, në vitin 2008 nisi zbatimi i ligjit për shpërndarjen e fondeve. Jemi në prag të fundit të 2012-s dhe rezultati i ecurisë së procesit tregon se vetëm gjysma janë trajtuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave. Nga 21 mijë kërkesa të paraqitura për trajtim financiar, janë shqyrtuar dhe miratuar rreth 11 mijë, kurse të tjerat janë në verifikim.
Kur kanë kaluar afro 4 vjet, qeveria ka mundur të ndajë 60 milionë dollarë, për 11 mijë ish të përndjekur ose familjet e tyre të prekura (pushkatim pa gjyq dhe internim), që ndryshe konsiderohet kësti i parë, kurse i dyti sapo ka nisur, por me kushtin se duhet të jesh mbi 65 vjeç dhe gjallë!
Sakaq, Ministria e Financave, institucioni përgjegjës për ndarjen e fondeve, ka reaguar për kërkesat e grevistëve sa i takon akordimit me katër këste dhe jo me 8. Sipas zv/ministrit, Nezir Haldeda, nuk do të ketë rishikim të ligjit për skemën, por do të respektohet kuadri aktual. Reagimi i zv/ministrit vjen pas qëndrimit të kreut të qeverisë se nuk do të negociojë me asnjë nga grevistët. Disa ditë më parë, ishte ministri i Drejtësisë, ai që deklaroi se skema e ndarjes së dëmshpërblimit me anë të pensionit mujor deri në fund të jetës konsiderohet e suksesshme, nisur nga praktikat e ndjekura në vendet e rajonit dhe të ish-bllokut komunist.
Ministria pranon se paratë në buxhet nuk janë të mjaftueshme për t’i ndarë njëherësh, ose me ritëm më të shpejtë. Fatura arrin në mbi 350 milionë dollarë, por për tre vitet e ardhshme, qeveria ka akorduar vetëm 60 milionë dollarë.
Mungesa e parave nuk është problemi kryesor, pasi ish të përndjekurit hasin në burokraci të shumta. Mjafton të vëzhgosh për disa ditë rresht sportelin e Ministrisë së Financave, aty ku publikohen listat dhe kriteret, për të kuptuar zvarritjet e shumta. Nisur nga fakti se kjo shtresë ka probleme të shumta sociale dhe se i nevojitet kujdes për zbardhjen e plotë dhe të bërit transparent të dokumentacionit, mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet ndodhin shpesh.
“Harrojnë plotësimin e dosjes, u mungon ndonjë dokument etj. Mjafton një kriter i paplotësuar, dhe me keqardhje i kthej mbrapsht, duke u shpjeguar nga e para detyrimet”, thotë specialisti i Financave që merret me trajtimin e dosjeve të ish të përndjekurve.
Problem qëndron edhe fakti i listave. Ka shumë ngatërresë dhe ripublikim emrash. “U dalin emrat dy-tri herë. Kaq mjafton për të krijuar ngatërresë, dhe sqarim nga e para, se lekët merren vetëm një herë, sa i takon këstit të parë”, sqaron specialisti. Në fakt, problemi i listave është një propagandë e qeverisë për të informuar (bindur) opinionin publik se shpërndarja e lekëve vazhdon. Një vendim i qeverisë, katër muaj më parë, bëri të mundur rishikimin e 25 listave, pasi kishte gabime në të dhënat e dosjes. Sikurse pakkush e ka të sqaruar se shuma e dëmshpërblimit nuk shkon në xhepin e familjarit që i del emri në listë, por e të gjithë familjes, duke e degdisur vlerën në 10-20 mijë lekë.
Ish të përndjekurit e kuptojnë situatën e vështirë financiare, por nuk janë të qartë me sjelljen arrogante të qeverisë për burokracitë e treguara ndaj personave me probleme shëndetësore. Vendimi i fundit i qeverisë thotë se do të kenë përparësi për këstin e dytë vetëm ish të dënuarit politikë të moshës nga 65 vjeç e më shumë dhe që janë gjallë, kurse kategoria e 85-vjeçarëve do t’i marrin me dy këste.
Nga 20 që janë në grevë, 16 prej tyre e kanë përfunduar trajtimin që kanë marrë këstin e parë dhe po vijojnë me këstin e dytë, thotë ministria. Sa u takon zvarritjeve, qeveria pranon se ka pasur vonesa, por për shkak të ndryshimit të shpeshtë të ligjeve. Halimi thotë se në vitin 2006, Shoqata e të Burgosurve u është ofruar pension mujor, sipas rasteve të aplikuara në vendet e Lindjes dhe rajonit, por e kanë refuzuar.