Zëvendësministri Dervishi pranon se Vetro nuk ka dorëzuar garancinë 20 për qind për kontratën


Qeveria shqiptare duket se u dorëzua sot dhe pranoi se aventura për shitjen e gjigandit shtetëror të nxjerrjes së naftës Albpetrol nuk ka ecur mirë dhe se kompania e shpallur si fituese e bujshme me megaofertën 850 milionë euro, e kontrolluar nga biznesmenti Rezart Taçi, nuk ka dorëzuar garancinë prej 20 për qind të çmimit brenda afatit të përcaktuar në kontratë.


Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Sokol Dervishi deklaroi pak minuta më parë në një konferencë për shtyp se afatet ligjore për nënshkrimin e kontratës kanë përfunduar dhe se pritet të merret një vendim për “vijimin e tenderit”.


“Kompania Vetro Energy nuk ka dorëzuar garancinë 20 për qind që duhej të dorëzonte bashkë me nënshkrimin e kontratës,” tha Dervishi.


Sipas tij, qeveria ka filluar procedurat për tërheqjen e garancisë fillestare prej 85 milionë eurosh, që Vetro ka dorëzuar si kusht për pjesëmarrje në tender.


Shpresa se vendi do të përfitonte 850 milionë euro njëherësh, një shumë kjo e stërmadhe për përmasat e ekonomisë shqiptare , mbushi me gëzim shumë shqiptarë që po vuajnë pasojat e krizës ekonomike që ka vënë në diskutim aftësitë e qeverisë për të shlyer detyrimet e buxhetit të shtetit për furnizime, paga e pensione. Me qindra punonjës të shtetit apo të kompanive që kanë kontrata shtetërore, shpresuan gjatë kësaj kohe se paratë e Vetro do të vinin sa më parë në mënyrë që të merrnin pagat e tyre. Punonjësve të bashkive të vogla të vendit u janë vonuar pagat si pasojë e bllokimit të fondeve të pushtetit vendor për të shlyer faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Edhe punonjësit e disa mediave pranë qeverisë, kanë shpresuar gjatë ditëve të fundit se pikërisht privatizimi i Albpetrol do të mundësojë shlyerjen e pagave të prapambetura.


Në tenderin e zhvilluar më shumë se dy muaj më parë, Vetro Energy, një kompani e panjohur e regjistruar në Singapor, ofroi 850 milionë euro për blerjen e kompanisë Albpetrol. Oferta pati përmasa spektakolare, pasi qeveria shpresonte që nga Albpetrol të përfitonte maksimalisht 300-400 milionë euro. Megjithëse qe e qartë që në fillim se diçka nuk funksiononte në logjikën e ofertuesit si dhe seriozitetin e tij, qeveria eci përpara dhe e shpalli atë fitues të tenderit ndërsa vetë kryeministri Sali Berisha thuri lavde të mëdha kur firmosi raportin e rezultatit të tenderit.


“”Kjo mbledhje ka si kryefjalë të saj vendimin, me të cilin Këshilli i  Ministrave, bazuar në propozimin e komisionit të vlerësimit të ofertave të Albpetrol dhe sugjerimin e  qartë të konsulentit të privatizimit të kompanisë Albpetrol, firmës së madhe dhe të njohur në botë Pattern Bogs, shpall fitues kompaninë me ofertën me te mire “Vetro Energy”, me një vlerësim prej 97.79 pikë, nga këto 22, 79 pikë  oferta teknike dhe 75 pikë oferta financiare, oferte kjo siç është bërë publike, me 850 milion euro. Ky përbën një zhvillim shumë të rëndësishëm në thellimin e mëtejshëm të reformave ekonomike nga kjo qeveri, e cila ka si përcaktim kryesor privatizimin. Ky privatizim synon para së  gjithash dhe mbi të gjitha rritjen, ne rastin konkret, te eficencës eksploruese të vendit duke e koncesionuar këtë në një kompani private,” tha Berisha në atë rast.


Në tenderin për Albpetrol morën pjesë shumë kompani dhe pati oferta të mëdha në letër, por në rezultatin final, tri kompani u listuan si pjesëmarrëse serioze. Raporti i komisionit për vlerësimin e ofertave i publikuar pak kohë më parë, tregon se në fakt, të gjithë pjesëmarrësit kishin mangësi të konsiderueshme në dokumentacion, gjë që tregon mungesë të theksuar serioziteti.


Si pjesë e mungesës së seriozitetit, METE njoftoi sot se një tender tjetër për privatizimin e katër hidrocentraleve dështoi për mungesë ofertash. Disa kompani austriake me eksperiencë shekullore në menaxhimin e hidrocentraleve, thonë privatisht se askush nuk mund të marrë përsipër rrezik në Shqipëri për sa kohë serioziteti i shlyerjes së detyrimeve nga ana e qeverisë mungon.