Hua te bankat
Fullani përgatit ankandin. Majko: Ku është ky guvernator?! Uroj të mos falimentojmë
Ankandi përkon me periudhën kur qeveria do të vendosë për rritjen e pagave dhe pensioneve
ARD KOLA
Nga taksat dhe tatimet qeveria nuk po vjel sipas planit, madje rezulton më keq se viti 2012, me mbi 8 miliardë lekë (6-mujori paraprak). Investimet e huaja kanë ngrirë deri në pritje të stabilitetit nga qeveria e re, privatizimet nuk sollën të ardhurat e duhura dhe tashmë qeverisë i kanë mbetur vetëm bankat private, më saktë guvernatori i zgjedhur direkt nga Kryeministri Berisha.
Shpenzimet si 5-mujor ishin të larta, duke shkaktuar një nivel deficiti në 20 miliardë lekë më tepër se plani, në një kohë kur vendi duhet të ruante rezervën për pjesën e mbetur të vitit. Qeveria ka ezauruar 90 për qind të deficitit dhe tashmë po shikon nga bankat.
Mësohet, zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë, se javën e ardhshme, të martën, do të zhvillohet një ankand për shitjen e bonove të thesarit. Pritet që qeveria t’u kërkojë bankave rreth 25.4 miliardë lekë në ankandin që do të zhvillojë BSH, ku kjo e fundit do ta mbështesë me financim në masën e rreth 65 për qind. Kështu, do të ofrohen për shitje 9 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12-mujor dhe 16.4 lekë bono me afat maturimi 6-mujor (maturimi – afati i shlyerjes).
Kjo është shuma më e madhe që shpallet për shitje në një javë të vetme, që nga janari 2013, ku u nxorën për shitje rreth 27 miliardë lekë bono. Në të tilla përmasa financimi ishte edhe ankandi i fillimvitit 2009, kur demokratët hynë në zgjedhje, duke siguruar mandatin e dytë.
I gjithë problemi qëndron te shpenzimet, pasi kanë dalë jashtë parashikimit, me rritje të konsiderueshme, si efekt i fushatës elektorale, dhe tashmë qeveria nuk është në gjendje të menaxhojë situatën buxhetore.
Ekspertja e financave, Ermelinda Meksi, thotë për gazetën “Shqip” se është krijuar një gjendje ku “po merret borxh për të shlyer borxhin” dhe se nëse vijohet me këto ritme, mund të përballemi me kushtet e pamundësisë së shlyerjes së pagave dhe pensioneve, ndërsa për investime nuk bëhet fjalë fare. Këta të fundit janë stopuar, me anë të një shkrese të Ministrisë së Financave, e cila ka kërkuar nga institucionet ngrirjen e shpenzimeve për disa shërbime.
I ashpër ishte reagimi i Pandeli Majkos, ish-kryeministër në kohën e qeverisjes socialiste, kandidat për ministër në qeverinë e re të shtatorit. Duke folur për ankandin, Majko thotë se, kjo praktikë është e zakonshme në të gjithë muajt e vitit, por kurrsesi në periudhën gjatë së cilës qeveria konsiderohet si “qeveri në detyrë”.
“Në kushtet ekonomike të vendit, ky vendim është kulmi i papërgjegjshmërisë. A ka ministër financash ky vend?! A ka guvernator të Bankës së Shqipërisë ky vend, që pak ditë më parë kërkoi rikthimin e FMN-së, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike?! Çfarë janë duke bërë me financat e vendit këta qeveritarë të përkohshëm?! Pse nuk u kujtuan këta qeveritarë për ‘premtimet e mbajtura’ të rritjes së rrogave para datës së zgjedhjeve (23 qershor), por kujtohen tani pasi i kanë humbur ato?!”, thotë Majko në rrjetin social “Facebook”, duke shtuar në fund se, “shpresoj që Kuvendi i ri të mos fillojë me hetimin për falimentim me dashje të financave të shtetit!”.
Borxhi publik është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke iu afruar nivelit të 62% të PBB-së. Ndonëse pjesa më e madhe e tij është i brendshëm dhe financohet kryesisht nga bankat, Banka Botërore, në raportin e fundit për Europën Juglindore, paralajmëronte se borxhi publik afatshkurtër vendas e ekspozon qeverinë ndaj rrezikut të rinovimit të borxhit.
Megjithëse bankat tregtare aktualisht kanë likuiditet dhe tendencë të rinovimit të borxhit publik afatshkurtër, një ndryshim në mjediset e jashtme ose të brendshme financiare apo ekonomike mund të reduktojë gatishmërinë e tyre për ta bërë. Prandaj do të ishte e mençur të merreshin në konsideratë të gjitha këto rreziqe kur hartohen politikat fiskale dhe të borxhit, këshillon Banka Botërore.