Parashikimi
E gjithë bota e zhytur në krizë, Berisha dhe Bode presin zhvillim pozitiv 4.3%
ARD KOLA
Tremujori i parë i vitit 2012 doli me një rënie të ekonomisë me minus 0.2 për qind. FMN dhe BERZH, dy institucionet financiare prestigjioze ndërkombëtare, nuk presin një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto më të madhe se 1 për qind për këtë vit, madje dhe vetë Banka e Shqipërisë, drejtuar nga guvernatori Ardian Fullani, pranon nën zë se do të rritemi nën potencial, të paktën 2 për qind. Pavarësisht këtyre vlerësimeve, qeveria shqiptare vazhdon me skenarin e saj, duke luajtur fort me presionin ndaj opinionit publik, se do të jemi më mirë në raport me vendet e tjera, jo vetëm të rajonit, por edhe më gjerë.
Pavarësisht se e gjithë bota është zhytur në krizë, Kryeministri Berisha, me argumentet e paraqitura nga ministri i Financave, Ridvan Bode, miratoi së fundmi planin afatmesëm të buxhetit dhe zhvillimit të vendit, duke parashikuar një rritje ekonomike për këtë vit në nivelin e 4.3 përqindëshit, shumë më pozitiv nga sa presin institucionet apo vendet e tjera, ndonëse ecuria e treguesve ekonomikë në gjashtë muajt e parë të vitit nuk ka qenë aq e kënaqshme sa të justifikojë një rritje të tillë të lartë ekonomike.
Duke i analizuar me radhë, të ardhurat nga taksat nuk janë më të larta se 2 për qind në raport me vitin 2011, ndërsa inflacioni shënon kuotën e 1.9 për qind, gjithashtu, sipas INSTAT, eksportet për 6-mujorin janë rritur me vetëm 2 për qind, kredia është ngadalësuar ndjeshëm dhe ritmet e rritjes së saj ishin tre herë më të ulëta për gjashtëmujorin e parë, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, konsumi është frenuar sipas vëzhgimeve të Bankës së Shqipërisë dhe investimet janë tkurrur, po sipas konstatimeve të BSH-së. E megjithatë, qeveria tregohet kokëforte me parashikimet për rritje ekonomike të larta, në një kohë kur vendet e tjera gëzohen me shifra 1-2 për qind plus të PBB-së.
Pas vitit 2012, Ministria e Financave parashikon që rritja mesatare në 2013-2015 do të jetë rreth 5 për qind në vit. Ky ritëm i PBB-së e bën të vështirë planin e uljes së borxhit publik, i cili, sipas parashikimeve, do të qëndrojë brenda intervalit 58-60 për qind, në një kohë kur qeveria u angazhua te FMN se do ta ulte brenda vitit 2015 me 55 për qind.
Sipas projeksioneve, konsumi final parashikohet të rritet në terma realë me një normë vjetore mesatare prej 2.9 përqindësh gjatë periudhës afatmesme (2013-2015). Rritja e konsumit final në 2013 është parashikuar që të vazhdojë të rritet me ritme më të larta, 2.9 për qind, nga 2.1 që ishte në vitin 2012 dhe 1.9 për qind që ishte në vitin 2011. Në dy vitet e ardhshëm rritja e konsumit parashikohet të jetë në nivelet 2.9 për qind dhe 2.8 për qind për 2014 dhe 2015, duke kontribuar në rritjen e PBB-së me 2.5 pikë përqindje (gjatë të dy viteve) nga kontributi prej 1.9 pikësh përqindje që ishte në vitin 2011. Formimi bruto i kapitalit fiks gjatë 2013-2015 është parashikuar të përjetojnë një rritje mesatare vjetore reale prej 5.1 përqindësh. Kontributi i tij në rritjen e PBB-së është parashikuar që të jetë në një mesatare vjetore prej 1.6 pikë përqindje gjatë 2013-2015. Ky parashikim është në përputhje me zhvillimet e fundit pozitive të ekonomisë, si dhe pritshmëritë nga ambienti i jashtëm dhe i brendshëm për periudhën afatmesme në vazhdim.
Pas vitit 2012, financat parashikojnë që rritja mesatare në 2013-2015 do të jetë rreth 5%
Sektorët
Bujqësia – Prodhimi, duke supozuar kushte normale klimatike, parashikohet të rritet me normën historike të tij prej 3.5% në vit për periudhën 2013-2014
Industria – Duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, është parashikuar të rritet mesatarisht me 5.8% në vit për periudhën afatmesme
Ndërtimi – Sektori i ndërtimit për periudhën në vazhdim afatmesme (2013-2014) është parashikuar nga qeveria të ketë një rritje mesatare prej 3%
Shërbimet – Janë parashikuar të rriten mesatarisht me 5.6%. Kontributin kryesor do ta japë transporti, tregtia (bar-restorantet) dhe telekomunikacioni