Ministri – “Energjia ndaj ujësjellësve nuk do të ndërpritet, pasi kjo është me pasoja shumë të mëdha për qytetarët. Qeveria do të marrë masat”


Enti – Burime zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë thotë se, “CEZ-in nuk e ndal askush të kryejë kufizime aty ku është cenuar kontrata”


Monitorimi – Procesi po ndiqet me kujdes edhe nga Banka Botërore, institucioni financiar ndërmjetës për privatizimin e shoqërisë OSSH, 4 vjet më parë


Arbitrazhi – Qeveria shqiptare u druhet penaliteteve në gjykatën e arbitrazhit, ku dëmi nga vendimi mund të arrijë mbi 50 milionë euro


Situata


Haxhinasto: Ka pasoja. ERE: Ligjërisht nuk e ndalim dot


ARD KOLA


Konflikti qeveri-CEZ po turbullon akoma e më shumë ujërat dhe duket se palët nuk do ta tolerojnë më njëri-tjetrin. Një ditë pasi kompania çeke vendosi t’u ndërpresë shoqërive të ujësjellësve furnizimin me energji elektrike, vjen reagimi i qeverisë, me anë të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinastos, e cila nuk do të lejojë aksionin e radhës.


“Kjo nuk mund të ndodhë, pasi detyrimet janë të tilla që kjo nuk mund të ndodhë. Energjia ndaj ujësjellësve nuk do të ndërpritet, pasi kjo është me pasoja shumë të mëdha për qytetarët. Qeveria do të marrë masat ligjore që parashikohen për këtë rast”, tha Haxhinasto për “Top Channel”.


Sipas ministrit, agjencitë në varësi të qeverisë dhe Enti Rregullator po ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos e lejuar ndërprerjen e energjisë tek ujësjellësit.


“Të gjitha institucionet që merren me këtë çështje, duke nisur që nga Enti Rregullator, por gjithashtu edhe Ministria e Ekonomisë janë duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që këtu mos të ketë asnjë kosto për ujësjellësit në drejtim të furnizimit të tyre me ujë për qytetarët”, tha Haxhinasto.


Po si mund ta ndalojë qeveria CEZ-in, një kompani private, e cila kërkon respektimin e kontratave. Shoqëria furnizon me energji elektrike ujësjellësit, në bazë të një kontrate dhe ku natyrisht kërkon shlyerjen e faturave. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, burime zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike (ERE) pohojnë se ligjërisht “CEZ-in nuk e ndal askush të kryejë kufizime aty ku është cenuar kontrata”. ERE shton gjithashtu se nuk ka një ligj që e ndalon shoqërinë t’u ndërpresë ujësjellësve energjinë elektrike.


Vetë kompania thotë se kufizime ka pasur edhe raste të tjera, madje edhe në Vlorë, qytet bregdetar dhe turistik. Të vetmet institucionet që janë “falur” kanë qenë shërbimet shëndetësore.


E vetmja mundësi që frenon CEZ-in është detyrimi i saj ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Ministri tha se kompania nuk mund të kryejë stakime tek ujësjellësit dhe ndoshta ka pasur parasysh faktin e negociatave që po kryen qeveria për sqarimin e borxheve.


Sipas Ministrisë së Financave, CEZ Shpërndarje i detyrohet KESH-it rreth 140 milionë euro, si energji e faturuar nga korporata, por e pashlyer nga kompania çeke. Pra, në kushtet kur CEZ i ka borxhe pashlyer një shoqërie publike, me pronare shtet, atëherë nuk ka sesi të kërkojë të drejtën që ujësjellësit nuk i shlyejnë 38 milionë euro detyrime.


Kreu i Ekonomisë konfirmoi se dy ditë më parë mes qeverisë dhe CEZ ka pasur negociata intensive, ku palët kanë pretendimet e tyre.


“Së pari, gjëja më e rëndësishme është të vijojë realizimi i shërbimit të furnizimit të qytetarëve me energji, të enteve publike, të bizneseve me qëllim që të mos ketë asnjë lloj vakumi në këtë lloj shërbimi kaq jetik për qytetarët, por edhe për ekonominë. Unë do të them që në procesin e negocimit shtrohen disa variante, skenarë për të rregulluar një marrëdhënie tashmë dihet që është problematike”, tha Haxhinasto.


Edhe Kryeministri Berisha ka pranuar se privatizimi ishte një dështim dhe se po shikohen mundësitë e riparimit, ndërsa ministri i Financave deklaroi se largimi i kompanisë duhet të realizohet pa shumë kosto. Qeveria u druhet penaliteteve në arbitrazh, ku dëmi mund të arrijë mbi 50 milionë euro.


Procesi po ndiqet me kujdes edhe nga Banka Botërore, institucioni financiar ndërmjetës për privatizimin e shoqërisë OSSH, rreth katër vjet më parë, për 102 milionë euro të blerë nga çekët. Deri tani, edhe BB ka paraqitur vërejtjet rreth punës së bërë nga CEZ, por vendimi final rreth largimit dhe pasojave financiare do të merret në muajin dhjetor.


 


 


Qëndrimi


Komiteti i Helsinkit: Lajm ogurzi


Komiteti Shqiptar i Helsinkit(KSHH) u njoh me deklaratën publike të shoqërisë CEZ Shpërndarje, e cila  njofton  ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të 40 ndërmarrjeve lokale të ujësjellësve, për shkak se ato nuk kanë shlyer detyrimet e tyre kontraktore, pra nuk kanë paguar vlerën e energjisë elektrike me të cilën janë furnizuar. “Deklarata e fundit e CEZ Shpërndarje merr përmasa tepër shqetësuese, sepse është një kërcënim i rëndë për jetën e shëndetin e banorëve të 40 qendrave administrative, fshatra e qytete, të cilët paralajmërohet se do të mbeten pa furnizim me ujë për një periudhë të papërcaktuar”, deklaron KSSH. Komiteti e cilëson njoftimin si “ogurzi, për gjithë atë pjesë të popullatës së vendit tonë, lajm që krijon panik tek ata, por edhe më gjerë, si dhe rrezik imediat për jetën dhe shëndetin e shtetasve”. Në fund, komiteti thotë se prokuroria duhet të nisë hetimet ndaj përgjegjësve të situatës që pritet të ndodhë.