Minierat


Gjiknuri shpall vendimin. Një pjesë e zonës D të Bulqizës cilësohet e rrezikshme për minatorët


Damian GjiknuriLigjshmëria – “Rivendosja e ligjshmërisë në sektorin minerar është një proces i vështirë, por qeveria është plotësisht e vendosur për t’i shkuar deri në fund”, – pohoi ministri.


Prodhimi – Është rritur me 35% sasia e ferrokromit të prodhuar. Këtë vjeshtë do të vihet në punë fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, ku janë investuar rreth 7 milionë dollarë.


Investimet – Pritet të ketë investime në sektorin e bakrit në minierat e Perlatit dhe të Spaçit. Gjithashtu, priten investime në minierën e bakrit të Rehovës dhe atë të hekur-nikelit në Myc, Mamëz, Kukës.


Dy minatorët – Viktimat më të fundit të minierave janë Miftar Losha, 54 vjeç, teknik dhe Albert Losha, 35 vjeç, që ishin dhe kushërinj mes tyre, banorë të zonës së Selishtës së Peshkopisë


HERION MESI


LejetMinerareTotalDuke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në minierat e vendit ku për shkak të amortizimit të tuneleve humbën jetën dhe dy minatorë, qeveria shqiptare vendos të shpallë 62 zona të rrezikshme minerare. Zona D e Bulqizës dhe ajo e Batrës prej vitesh kanë qenë tepër problematike si në mënyrën e dhënies së lejeve për shfrytëzim, ashtu dhe për faktin se ka “përpirë” shumë jetë minatorësh. Ka qenë vetë ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili ka shpjeguar arsyet e vendimit për shpalljen e 62 zonave të rrezikshme, si dhe revokimin e 18 lejeve të shfrytëzimit. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të zonës D, e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën e punonjësve. Zona e Bulqizës është kryesorja në vend për shfrytëzim lëndësh minerare, sidomos të kromit, por edhe metale të çmuara. Burime nga Ministria e Industrisë bëjnë të ditur se këtë vit janë mbyllur 119 galeri të braktisura dhe janë planifikuar të mbyllen 64 të tjera. Në një dalje të posaçme për mediat, ministri Gjiknuri deklaroi se përmes masave të marra dhe atyre që do të ndërmerren në vazhdim po ecet në rrugën e duhur për rritjen e sigurisë, shtimin e investimeve, rritjen e eksporteve dhe zhvillimin e industrisë përpunuese minerare. “Rikthimi i sektorit minerar në binarët e ligjit do të thotë më shumë siguri për jetën e minatorëve si dhe përfitime më të mëdha për buxhetin dhe për ekonominë shqiptare”- deklaroi Gjiknuri. Duke vijuar më tej, ministri shpreh se përcaktimi i zonave të rrezikshme do të rrisë sigurinë për jetën e minatorëve.


Revokimi i lejeve


Do të revokohen tërësisht lejet kur në këto zona shfrytëzohet minerali dhe kur bie në pjesën e zonës së rrezikshme minerare. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme, qeveria njoftoi se do të revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë të vendosura në një pjesë të zonës së rrezikshme minerare. “Përcaktimi i zonave të rrezikshme do të rrisë sigurinë për jetën e minatorëve. Do të revokohen tërësisht lejet kur në këto zona shfrytëzohet minerali dhe kur bie në pjesën e zonës së rrezikshme minerare. Gjithashtu do të revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë të vendosura në një pjesë të zonës së rrezikshme minerare. Në total janë rreth 18 leje, të cilat do të revokohen, duke pasur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit të pjesshëm në zonën e rrezikshme”- pohoi Gjiknuri. Duke vijuar më tej, ai theksoi se në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme dhe do të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cenon jetën e qytetarëve. Duke iu referuar shifrave zyrtare, Gjiknuri bëri me dije se në vitin 2005 rezultonin rreth 430 leje minerare, kurse më 2013-n ishin mbi 800 leje minerare, leje këto që sipas ministrit, të gjitha ishin të lëshuara në mënyrë kaotike dhe me një fragmentim të tejskajshëm. “Qeveria e Partisë Demokratike u tregua e papërgjegjshme në trajtimin e kësaj industrie, duke dyfishuar dhe duke parcelizuar në mënyrë kriminale zonat minerare”- u shpreh ministri Gjiknuri. Pavarësisht se në industrinë minerare në të gjithë botën ndodhin aksidente, ky shfrytëzim barbar në tetë vitet e qeverisjes së djathtë përkeqësoi situatën, duke marrë jetën e dhjetëra minatorëve, cenoi themelet e sigurisë në punë, mbolli konflikte, të cilat e kthyen kryesisht Bulqizën në një Far Ëest shqiptar, çka rëndoi më keq bilancin e viktimave brenda dhe jashtë minierave. Ministri Gjiknuri tha se kanë rifilluar prej muajsh kontrollet periodike në këtë zona minerare. “Filluam procesin e kontrollit individual për secilin subjekt, jo vetëm në aspektin e plotësimit të kritereve të sigurisë në punë, por edhe sa i takon zbatimit të detyrimeve financiare që kishin karshi shtetit. Revokuam mbi 200 leje minerare, të cilat nuk respektonin kriteret teknike, si dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit, ndërsa janë në procedurë heqjeje edhe 32 leje të tjera. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre, qindra subjekte të tjera, deri në plotësimin e kushteve të sigurisë”- tha ministri. Gjiknuri theksoi se përmes ndërhyrjeve ligjore që qeveria bëri vitin e kaluar, iu dha zgjidhje problemit të konfliktit mbi rrugët e kalimit në galeritë minerare. “Ashtu sikurse eliminuam fenomenin e mbivendosjeve, duke revokuar 20 leje minerare”,- u shpreh ministri Gjiknuri. Por pavarësisht punës së bërë dhe pritshmërive në këtë sektor, ministri Gjiknuri pohoi se aktiviteti minerar është një aktivitet me rrezik të shtuar dhe një industri që gjithmonë ka viktima. “Fatkeqësisht edhe gjatë këtyre dy viteve ka pasur viktima gjatë aktivitetit minerar, megjithëse aktiviteti minerar duhet të pranojmë që është një aktivitet me rrezik të shtuar dhe një industri që gjithmonë ka viktima”- tha ministri Damian Gjiknuri.


Përplasjet politike


Sa herë ndodhin tragjedi në nëntokën shqiptare, siç ndodh rëndom, të parët që përfshihen në akuza mes njëra-tjetrës janë mazhoranca dhe opozita, lidhur me kushtet teknike që funksionojnë sot galeritë në vend. Ashtu siç ndodh rëndom, edhe ngjarja në minierën e Selishtës, ku humbën jetën dy minatorë, Partia Demokratike do të bënte përgjegjëse kryesore për këtë tragjedi qeverinë dhe kryeministrin e saj Edi Rama. Gjithashtu, edhe ish-kryeministri Berisha, do t’i bënte thirrje prokurorisë që të nisë një hetim të thellë për kushtet e sigurisë nëpër miniera, pasi kemi numrin më të madh të viktimave në miniera. Dhe një përgjigje për këto akuza do ta jepte edhe vetë ministri Damin Gjiknuri në deklaratën e tij të djeshme, ku fajësoi qeverinë e mëparshme për situatën e vështirë që qeveria e majtë trashëgoi nga qeveria e mëparshme. Dhe këtu sipas tij, qëndron dhe një pjesë e arsyeve se pse industria minerare po vijon të shkaktojë viktima. Në debat i tillë lidhur me minierat e vendit tonë do të zhvillohej edhe në seancën plenare të 30 tetorit të vitit të kaluar, ku Kuvendi do të përfshihej në akuza të forta, ku u bënë diskutime të shumta edhe në Parlamentin shqiptar jo vetëm nga deputetë, por edhe nga ministra të kabinetit qeveritar, por gjithmonë përpjekja për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje është inekzistente.