Programi i PS: Agjenci Kombëtare për të mbrojtur bregdetin e “pushtuar nga letrat false”
ARD KOLA
Çështja e pronës në këta 20 vjet ka mbetur e pazgjidhur dhe jo pak herë politika e ka përdorur për interesa elektorale. Këtë e pranojnë edhe vetë ish-pronarët, por lideri i Partisë Socialiste shpalos me detaje dhe ndoshta për herë të parë idenë e një reforme të thellë; pikë së pari për të mbrojtur bregdetin nga ndërtimet pa leje, dhe së dyti, dhënien e certifikatës së pronësisë atyre që e kanë punuar tokën në këta 20 vjet, por që nuk po e gëzojnë me të gjithë të drejtën që u takon.
Edi Rama u ndal dje në kryeqytetin e pavarësisë, Vlorë, për të prezantuar tashmë me detaje pjesë të programit ekonomik të Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme qeverisjeje.
“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund të ketë zhvillim modern rural pa mbyllur më në fund, mbas gjithë këtyre vitesh zvarritje, gënjeshtra, ndërlikime dhe asfiksi të fshatit, çështjet e pronësisë mbi tokën. Ne zotohemi se do t’u japim certifikatën e pronësisë mbi tokën të gjithë atyre që kanë 20 vjet që e punojnë tokën dhe nuk disponojnë të drejtën e zotit mbi të”, u shpreh lideri i opozitës.
Rama u ndal gjatë në çështjen e zaptimit të bregdetit nga ndërtimet pa leje, duke deklaruar që në fillim të fjalës se “duam të ngremë menjëherë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit”. Kjo agjenci do të jetë një strukturë që do të merret me planifikimin hapësinor dhe me mbrojtjen e territorit në të gjithë bregdetin shqiptar. “Bregdeti shqiptar është lënë në inercinë e një rrënimi të vazhdueshëm. Ne do ta ndalim këtë inerci, sepse s’mund të lejojmë bathorizimin e bregdetit Jon, siç ka filluar në të gjitha pikat e aksesueshme në infrastrukturë me një valë ndërtimesh pa leje që po shkatërrojnë bregdetin Jon, që është një potencial i madh i zhvillimit të turizmit në Shqipëri”, u shpreh kryetari i PS-së.
Në jo pak herë, konfliktet me pronën kanë shkaktuar viktima, për shkak të mbivendosjeve dhe pretendimeve të shumta që kanë njëherësh disa pronarë për një tokë të caktuar. Kjo ka ardhur për shkak të korrupsionit me regjistrimin e pronave, ku për një pronë rezultojnë pronarë njëherësh 2-3 subjekte. Rama foli edhe për këtë çështje, ndërsa ngriti shqetësimin për mënyrën se si është menaxhuar toka në bregdet, sidomos në Jug.
“Ne do të zgjidhim çështjen e pronësisë përgjatë gjithë bregdetit dhe nuk do të lejojmë që bregdeti shqiptar të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara, me procese gjyqësore të manipuluara nga një Agjenci Kthimi dhe Kompensimi komplet e kontrolluar politikisht, që ka kthyer në pronarë njerëz, gjyshërit dhe stërgjyshërit e të cilëve detin nuk e kanë parë kurrë”, u shpreh kryesocialisti nga Vlora.
Në programin qeverisës, PS-ja parashikon të ndërtojë korridorin e kaltër për të bërë lidhjen e infrastrukturës shqiptare me atë rajonale të bregdetit, një rrugë, e cila do të jetë e standardeve europiane dhe që, sipas Ramës, “do të jetë korridori turistik bregdetar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në kuadrin e turizmit rajonal”.
Duke folur për vlerat e trashëgimisë, lideri i opozitës tha se, çdo ndërtesë fshati, nga fshatrat tradicionalë, çdo ndërtesë kulti, apo çdo objekt tjetër i trashëgimisë kulturore do të vihet nën mbrojtje dhe do të ketë një përkujdesje të posaçme. “Sepse, duam që realisht bregdetin Jon ta kthejmë në një perlë për turizmin mesdhetar. Të mos lejojmë që të katandiset si një “Golem” tjetër, ku jo vetëm të mos vijnë të tjerë, por të fillojnë të ikin pak nga pak edhe ata që vijnë”, përfundoi Rama pjesën e programit që trajtonte çështjen e pronës dhe bregdetit.
S’mund të lejojmë bathorizimin e bregdetit Jon, siç ka filluar me një valë ndërtimesh pa leje
Falsifikimi
Nuk do të lejojmë që bregdeti shqiptar të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara, me procese gjyqësore të manipuluara nga një Agjenci Kthimi dhe Kompensimi e kontrolluar politikisht
Olldashi:
“Verifikim ajror” objekteve edhe me “Google Earth”!
Në datën 10 prill, gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha i kërkoi ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, si dhe ministrave të tjerë të linjës, nisjen e procesit për të futur në skemën e legalizimeve edhe ndërtimet pa leje të ngritura pas vitit 2006. “Kryeministri kërkoi sot hartimin me urgjencë të vendimit për një verifikim të ri ajror (fotografim) të situatës ndërtimore, me qëllim legalizimin e të gjithë objekteve të ndërtuara deri më sot”, u shpreh Olldashi në “Facebook”. Duke sqaruar komentuesit në rrjetin social, ministri nuk përjashtoi mundësinë e realizimit të verifikimit edhe përmes sistemit të “Google Earth”, teknologji kjo e ngritur nga motori i njohur kërkues në të gjithë botën për identifikimin e vendndodhjeve të objekteve të ndryshme. Sipas ministrit që mbulon hipotekat dhe legalizimet, deri më sot, qeveria u ka dhënë ish-pronarëve rreth 5 miliardë lekë, të ardhura këto të gjeneruara nga procesi i legalizimeve.
Qëndrimi
Shoqata e ish-Pronarëve: Po mbizotëron teza ‘toka i takon atij që e zapton’
Toro: Legalizimet e pas 2006-s, tjetër akt korrupsioni për vota
ARD KOLA
Rikthimi i procesit të legalizimeve për objektet e ndërtuara pas 2006-s, periudhë kjo që lejonte vetëm futjen në skemë të ndërtimeve para këtij viti, ka shkaktuar zemëratë në komunitetin e ish-pronarëve. “Nuk është gjë tjetër vetëm një akt korrupsioni për qëllim elektoral”, thotë gjatë intervistës për gazetën “Shqip”, sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Agim Toro, i njohur për luftën ndaj zgjidhjes së çështjes së ish-pronarëve, ndihet i tradhtuar, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga vetë opozita, e cila edhe ajo, sipas tij, ka interesa elektorale në këtë proces kaotik.
Cili është qëndrimi i shoqatës suaj pas vendimit të legalizuar edhe për 100 mijë ndërtime të tjera pa leje?
Ky është një veprim konkret në dëm të interesave të ish-pronarëve, që shkel hapur ligjin dhe konventën për të drejtat e njeriut. Projekti i fundit i qeverisë për të legalizuar edhe ndërtimet informale të ndërtuara pas vitit 2006 konfirmojnë edhe një herë tezën se ‘toka i përket atij që e zapton’. Nuk do të pajtohemi kurrë me këtë vendim dhe do të angazhohemi me të gjitha mjetet për ta rishikuar.
Vendimet e deritanishme kanë sjellë shkatërrimin urban, por edhe sistemin ligjor për zgjidhjen e çështjes së pronës. Konstatojmë me keqardhje se po mbizotëron mungesa e rregullit ligjor dhe po dominon kaosi në sektorin e pronave.
Në vitin 2006, kur qeveria vuri në zbatim ligjin e legalizimeve, vetëm për ndërtimet pa leje që i përkisnin deri në këtë periudhë të vitit, sipas raportit të fotografimit ajror, u justifikua me faktin se, mungesa e shtetit ligjor në vitet e para të demokracisë solli kaosin me objektet informale, ndaj nevojitej një njohje e zaptuesve të tokës, për hir të barazisë sociale dhe ekonomike. Po sot, gati 7 vjet pas zbatimit të ligjit, pra gjatë kësaj periudhe, sërish paskemi pasur mungesë të zbatimit të ligjit, dhe do t’i duhet t’i legalizojmë sërish edhe 100 objekte të tjera?! Me këtë mentalitet, ndërtimet pa leje nuk do të ndalen kurrë, pasi qeverive u intereson vota dhe do t’i tolerojnë.
Po krijohet mentaliteti “hajde të shkelim ligjin, se qeveria do të na falë”, por kështu nuk mund të ecë një shtet që synon anëtarësimin në BE.
Megjithatë, ky proces legalizimesh është shoqëruar paralelisht edhe me kompensim monetar ndaj ish-pronarëve…
Me ligj po, por në realitet nuk dimë se çfarë ka ndodhur apo po ndodh. Ky ndryshim ligjor për legalizimet, miratuar dy ditë më parë në Kuvend, nuk kishte të dhëna sesi ka ecur procesi. Ne si shoqatë nuk kemi të dhëna se sa kanë përfituar, sa ish-pronarë i kanë marrë paratë e tyre nga procesi i legalizimit, si po respektohet kthimi i tokës me mjete monetare me çmime të tregut etj., etj. Duhej më parë të analizoheshin shkaqet se pse duhen legalizuar këto 100 mijë ndërtime pa leje në tokën e dikujt tjetër, çfarë ka përfituar ai që zotëronte tokën, por që nuk e mori, pasi u është zaptuar dhe qeveria po ia jep pikërisht atij që shkeli ligjin. Pra, kemi shumë pikëpyetje lidhur me ecurinë e deritanishme.
Por ju duhet të keni informacion mbi procesin?
Ajo çfarë disponojmë ne paraprakisht është se nga 50 hektarë tokë të zaptuar nga ndërtimet pa leje, vetëm 37 për qind e vlerës u është rikthyer ish-pronarëve të këtyre trojeve. Megjithatë, duhen parë saktë të dhënat dhe të analizohen shkaqet, sa tokë është zënë dhe sa u është kthyer pronarëve. Pra, duhet të ishte bërë një bilanc për ndërtimet e para vitit 2006 me pas kësaj periudhe. Për këtë veprim antiligjor, ne si shoqatë bëjmë përgjegjëse Bankën Botërore.
Pse mendoni se përgjegjësia bie mbi BB-në?
Sepse ishte ky institucion që i sugjeroi qeverisë dy vjet më parë që të fuste në skemën e legalizimit edhe 80 mijë ndërtimet e tjera pa leje, të ngritura pas vitit 2006. Ky institucion u soll si antipronar dhe ne si shoqatë do të ankohemi deri në zyrat qendrore të Bankës në Uashington (SHBA), për të denoncuar këtë akt. Kjo bankë po mbron korrupsionin e hasur në procesin e pronave.
Pas 23 vitesh, sërish ish-pronarët enden në institucione për të fituar të drejtën. Si ndiheni dhe çfarë hapash ligjorë do të ndërmerrni sa i takon aktit të fundit ligjor me legalizimet?
Ndihemi të tradhtuar nga politika, pra jo vetëm nga qeverisja aktuale e këtyre 8 viteve, por edhe nga opozita, e cila, edhe ajo, për shkak të votave, ka votuar pro ndryshimeve ligjore në dëm të ish-pronarëve. E gjithë kjo çfarë po ndodh nuk është gjë tjetër vetëm korrupsion politik për vota. Ishin socialistët të parët që nisën procesin e legalizimeve dhe kaosin urban. Sa u takon hapave ligjorë, do të shqyrtojmë me kujdes ndryshimet e fundit dhe pse jo, do të shikojmë mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Ne si shoqatë do të ankohemi deri në zyrat qendrore të Bankës në Uashington (SHBA), për të denoncuar aktin
300 mijë vota!
Nëse janë 100 mijë ndërtime të reja pa leje, do të thotë se këto 100 mijë familje kanë minimalisht tre anëtarë dhe në një përllogaritje minimale janë 100 000 vota dhe këto vota janë më shumë se numri i votave që mund t’i japin pronarët. Në këtë aspekt ne këtë e kemi quajtur një korrupsion politik, ku para të drejtës dhe para interesave madhore që ka Shqipëria, zbatohen norma dhe rregulla, të cilat janë joligjore dhe në kundërshtim me Kartën e të Drejtave të Njeriut.
