Financat
William Remington do të japë asistencë për mbledhjen e të ardhurave
Qeveria shqiptare ka ftuar një këshilltar nga Departamenti Amerikan i Thesarit për asistencë teknike në mbledhjen e të ardhurave. Sipas burimeve zyrtare, William M. Remington, drejtor i asociuar i Programit Këshillues për të Ardhurat pranë Departamentit Amerikan të Thesarit ka ardhur në Tiranë me kërkesë të Kryeministrit Edi Rama për të ndihmuar për reformën fushën e administrimit tatimor. Remington, është ekspert i njohur në SHBA dhe në vende të tjera për kompetencën në fushën e mbledhjes së të ardhurave. Remington është përgjegjës për një program asistence që u ofrohet nga qeveria amerikane vendeve të ndryshme. I dërguari amerikan do të ishte këshilltari i dytë më i rëndësishëm i Kryeministrit, pas ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Ndërkohë, qeveria ka një program bashkëpunimi me Universitetin e Harvardit, ku ekspertë dhe studentë kanë dhënë ide për reformat strukturore të ekonomisë, si dhe për thithjen e investimeve të huaja. William M. Remington ka qenë këshilltar i përhershëm i qeverisë së Ukrainës për Administrimin e Tatimeve. Një nga detyrat që ka kryer Remington në Kiev ka qenë zbatimi i projektit të “Modernizimi i Shërbimit Tatimor të Ukrainës”. Po ashtu, Remington ka ofruar asistencë edhe për Bankën e Algjerisë, ku ka dhënë konsulencën e tij për qeverisjen e korporatave në sistemin bankar, mbikëqyrjen bankare, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të stafit të bankës, zbatimin e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar. Remington, menjëherë pas ardhjes në Shqipëri, ka nisur takimet me shoqatat e biznesit për të marrë informacione në terren. Ardhja e drejtorit të Thesarit përkon me operacionin kombëtar që po zhvillon qeveria kundër informalitetit.
Legalizimi
“Kush humb afatin nuk pajiset me tapi”
Në Durrës është dhënë dje leja e legalizimit e 10000-të. Në këtë takim, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, u bëri thirrje qytetarëve të bëhen pjesë e procesit të legalizimeve brenda afatit të paracaktuar. Ata që nuk do të bëhen pjesë, nuk do të kenë mundësi të pajisen me certifikatë pronësie, deklaroi Lame. I shoqëruar nga ministrja e Zhvillimit Urban, Englantina Gjermeni, Lame shpjegoi rëndësinë e afatit. “Askush nuk ka të drejtë të luajë me ata 400 mijë qytetarë që kanë aplikuar. Kanë një afat të fundit dhe nuk mund të bëhen më lojëra”, paralajmëroi Lame. Ministrja Gjermeni shpjegoi se pas përfundimit të procesit të legalizimit do të vijohet me urbanizimin e zonave informale. Eglantina Gjermeni tha se “Procesi i legalizimit do të jetë hapi i parë i urbanizimit të këtyre zonave”
Rinasi
Në këmbim të ekskluzivitetit, do të zgjatet kontrata
Akoma nuk është arritur marrëveshje me koncesionarin gjerman të Aeroportit të Rinasit, ndërkohë që mësohet se po diskutohet shtyrja e afatit të kontratës. Shtyrja e afatit të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës pritet të zgjidhë ngërçin e ekskluzivitetit të fluturimeve, që pengon hapjen e aeroportit të Kukësit. Në negociatat që pritet të mbyllen shumë shpejt, qeveria shqiptare po përgatitet të pranojë zgjatjen në kohë të kontratës me kompaninë gjermane. Në këmbim ofrohet mundësia për fluturime edhe nga aeroporte të tjera të vendit. Kontrata e shoqërisë gjermane me qeverinë shqiptare ishte parashikuar deri në vitin 2025. Përveç Kukësit, planet e qeverisë janë për ndërtimin e dy aeroporteve të tjera në jug të vendit, Vlorë dhe Sarandë.