Biznesi shqiptar paguan më shumë. I duhen 357 orë në vit për pagesat, maqedonasit 119 orë


Biznesi shqiptar paguan 44 taksa, kroati 18, Mali i Zi dhe maqedonasit me nga 29


ARD KOLA


Një tjetër raport rrëzon pretendimet dhe vlerësimet e qeverisë shqiptare sa i takon klimës së biznesit në vend dhe situatës me taksat. Institucioni financiar, Banka Botërore ka hartuar së fundmi një raport “Pagesa e Taksave 2013”, duke analizuar me detaje shkallën tatimore të çdo vendi, përfshi edhe Shqipërinë, e cila renditet në vend të 160 nga 185 në total.


Në tërësi, biznesi shqiptar paguan më shumë taksa, 38.7 për qind, në raport me vendet e rajonit, me të cilat kemi konkurrencë të drejtpërdrejtë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe të të bërit tregti me jashtë.


Në këtë raport, Shqipëria është e 160-a në renditjen totale, duke qenë larg shteteve të tjera të rajonit, ku më mirë pozicionohet Maqedonia, në vendin e 24; Kroacia është në vendin e 42-të; Greqia në pozicionin e 56; mali i Zi në vendin e 81; Bullgaria në vendin e 91; Rumania në pozicionin e 136 dhe Serbia në vend të 149.


Te barra fiskale, vendi ynë mbetet pas fiqnjve, ndërsa pozicionohemi me vendet e Kaukazit (Azerbajxhan, Uzbekistan etj), dhe Bjellorusinë apo Rusinë (shtete me regjim totalitar).


Shqipërisë ia kalon madje edhe Bosnja, me sistemin e saj të ndërlikuar administrativ, që renditet në vendin e 128.


Në vend të parë në renditjen totale janë Emiratet e Bashkuara Arabe.


Kostot


Arsyeja kryesore e kësaj renditjeje mjaft negative, është koha e lartë që duhet për t’u marrë me taksat, 357 orë, nga 164 orë që e ka p.sh Kosova, apo 119 orë Maqedonia. Në përgjithësi, në vendet e zhvilluara koha për pagimin e taksave luhatet nga 150-250 orë.


Norma totale e taksave në Shqipëri është 38.7 për qind, nga të cilat tatimi mbi fitimin në normën totale të taksave është 8.6%; taksa e punës 25.3 për qind dhe taksat e tjera 4.3 për qind. Edhe totali i pagesave së taksave është i lartë 44, nga 29, që e ka Maqedonia. Këtu përfshihen kontributet, tatimi mbi fitimin, TVSH-ja dhe taksat e tjera lokale. I njëjti tregues në vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore është mesatarisht 28 pagesa, ndërsa në vendet e zhvilluara të OECD-së është gati 4 herë më pak ose 12 pagesa.


Thjeshtimi i procedurave tatimore është një nga treguesit, ku Shqipëria ka ecurinë më dobët në klimën e biznesit. Në vitin 2008, Shqipëria te të dy treguesit, si numri i pagesave ashtu dhe koha, renditej më mirë se mesatarja e rajonit. Por gjatë kësaj kohe, vendet e tjera e kanë lehtësuar pagimin e taksave për biznesin, ndërsa në Shqipëri, ato kanë mbetur të pandryshuara. Rezultati sipas Bankës Botërore është se, ndonëse klasifikohet si një nga vendet me taksat më të ulëta, Shqipëria ka sistemin fiskal me burokracitë dhe procedurat më të rënduara, jo vetëm në rajon, por edhe në botë duke rënduar biznesin me kosto shtesë.


Ankesat


Qeveria shqiptare në jo pak raste ka marrë ankesa të shumta nga biznesi, por i ka injoruar ato, ndërsa nuk ka ngurruar edhe t’i përdorë në kohë fushatës, duke u përpjekur të bëjë rregullime. Në sezonin e verës, Ministria e Financave ndërmori disa ndryshime në procedurat e taksave, duke hequr referencën mbi pagat, apo lehtësuar procedurat në QKR dhe në lejet e ndërtimit. Këto lëvizje të momentit të fundit duket se nuk kanë sjellë rezultatin e duhur.


Ekspertët e BB-së, që janë marrë me raportin tonë se Shqipëria ka kryer reforma dhe duhet përgëzuar, por “problemi” qëndron te fqinjët, të cilët mesa duket kanë ecur më shpejt, duke krijuar përshtypjen se në vendin tonë punët kanë ngelur në vendnumëro.


Në mbledhjet e shumta, në prani të biznesit, sjellja arrogante e qeveritarëve duket hapur në dëm të privatit, ku nuk mungojnë ironitë, përplasjet dhe ku përfituesit e vetëm janë dy-tre individë lotues.


 


Renditja


Vendi ynë, si Kaukazi dhe regjimet totalitare


Pesha e taksave që rëndon biznesin, e rendit vendin tonë në grupin e vendeve të Kaukazit apo të atyre me regjim totalitar, ku liria ekonomike është e cunguar. Kështu, biznesi shqiptar paguan rreth 38 për qind taksa (d.m.th, në 100 lekë të fituar, 38 janë taksa që duhen paguar, përveç shpenzimeve të tjera). Shtetet fqinje, si Maqedonia (10 për qind) apo Kosova (15 për qind), kanë një barrë më të lehtë. Shqipëria qëndron afër vendeve si Uzbekistani, Taxhikistani apo Azerbajxhani (ish-republika sovjetike, ku pushteti zakonisht trashëgohet), me nivel mesatar të kostos së taksave, rreth 60 për qind. Nuk konkurrojmë dot me vendet e tjera, deri diku totalitare, pasi pesha e taksave ndodhet e njëjtë, si Ukraina, Bjellorusia dhe Rusia, nivel mestar 50 për qind.


 


Aksioni


Berisha: Do ta nisim me fasonin, 5-fish gjoba më të larta


Paketa fiskale, Kryeministri paralajmëron biznesin për gjobat


Në kuadër të paketës së re fiskale 2013, e cila rregullon disa procedura te tarifat, duke hequr dhe shtuar në produkte të ndryshme (trajtuar dy javë më parë te gazeta), Kryeministri shpalosi planin e gjobave ndaj biznesit, duke mos kursyer as sektorët më delikatë, që mbajnë peshën kryesore në punësimin e familjeve me probleme sociale. Pasi qeveria miratoi pesëfishim e masës së gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar, Kryeministri Berisha paralajmëroi që do të fillonin kontrolle të ashpra ndaj industrisë fason, ndërkohë që kjo e fundit e kishte deklaruar këtë vendim si absurd, që nuk do të ulë informalitetin, por do ta rrisë atë dhe do të përkeqësojë situatën negative që po përjeton industria aktualisht.


“Tani do të fillohet nga industria fason, pasi ata kanë numrin më të madh të punonjësve. Por nuk duhet t’u shkojmë me arbitraritet, por u shkohet me shifrën e punëtorëve që kanë deklaruar online. Natyrisht, për proceset e punës që kanë, ata kanë lëvizshmëri normale të numrit të punonjësve. Ata e kanë ngritur këtë shqetësim dhe unë i mbështes plotësisht ata. Ndërkohë, derisa ligji të miratohet në Parlament e të hyjë në fuqi, do të merren të gjitha masat të konsolidohet procedura e deklarimit të punonjësve dhe të jetë korente. Në qoftë se dikush mban një punëtor në të zezë detyrimisht duhet të paguajë, por, nëse e ka deklaruar, atëherë do të ishte shumë e rëndë të akuzohej”, tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë.


Sakaq, bordi drejtues i Dhomës Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, ka reaguar pak kohë më parë në një deklaratë për shtyp ndaj këtij ndryshimi ligjor, ku pohonte se rritja me 500% e gjobës për mosdeklarim të punonjësve (nga 100.000 lekë në 500.000 lekë) nuk gjykojmë se do të frenojë informalitetin, gjithashtu mjaft të ulët në këtë sektor. Kjo masë do të ndikojë në rritjen e abuzivizmit dhe të arbitraritetit të administratorëve publikë, kryesisht të inspektorëve të punës dhe, sidomos të dukurisë së korruptimit të dyanshëm për një numër të caktuar subjektesh dhe inspektorësh. Eksportet e tekstileve e këpucëve, që zënë rreth 31% të totalit të eksporteve, kanë shënuar një ecuri negative gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, me një rënie prej 5% me bazë vjetore, si rrjedhojë e krizës europiane dhe pritshmëritë e tyre mbeten negative, të paktën në afatin e shkurtër.