Nikolin Jaka: T’i jepet fund, po falimentojnë. Financat të shlyejnë overdraftet
Në kushtet kur bankat kanë shtrënguar kreditë, bizneset në vend kanë gjetur një zgjidhje të shpejtë, por të kushtueshme dhe me pasoja të rënda. Fajdet, fenomeni që rrezikoi dhe dëgjoi një komb në 1997-n, po rikthehen frikshëm 15 vjet më pas, kur ekonomia, sipas kryeministrit, po lulëzon, madje tri herë më shumë se vendet e rajonit.
Përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe sipërmarrës me peshë në ekonomi pranojnë faktin se, në shumë raste, individë në sektorin e privatit i janë drejtuar fajdeve. Zgjidhjen e gjejnë te “personi që ka para” dhe përkundrejt interesit vjetor që shkon deri në 20 për qind, mund të marrësh shumën e nevojshme.
Të parët janë ndërtuesit në listë dhe më pas, vijnë nga sektori i hidrokarbureve. Nuk ka të dhëna sa subjekte janë të zhytura në këtë skemë, por dihet tashmë publikisht se janë sektorët më të prekur nga fenomeni i borxheve, zanafilla e të cilit është vetë shteti.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, për Qarkun e Tiranës, Nikolin Jaka, pranon me keqardhje ekzistencën e fenomenit të fajdeve në botën e biznesit. “Është e natyrshme, kur shteti u ka borxhe, biznesi gjen një zgjidhje të mesme. I drejtohet dikujt për të marrë hua, kundrejt interesit”, tregon Jaka. Kreu i dhomës thotë se nuk disponon të dhëna për shumat apo për numrin e subjekteve, pasi “askush nuk raporton”, por kërkon që t’i jepet fund, para se falimentimi të përhapet me të madhe.
Të paktën për ndërtuesit e projekteve publike, pretendohet se qeveria ka borxhe që arrijnë në 10 miliardë lekë. Shoqata pranon faktin se shumë operatorë kanë punuar me ritme të larta, për të ndërtuar shkolla, rrugë, spitale, ujësjellës, sipas kërkesës së qeverisë, por paratë mungojnë dhe pjesa dërrmuese mbetet e pashlyer. Për këtë çështje, si Ministria e Transporteve ashtu dhe ajo e Financave, sqarojnë se nuk kanë asnjë likuidim të pashlyer, të paktën për atë pjesë që parashikon buxheti. “Këtu kemi problemin se askush nuk pranon të thotë hapur sesa borxh i ka shteti, në mënyrë që të rakordojmë të dhënat dhe të gjejmë zgjidhjen”, ankohet Maksim Muçi, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve.
Edhe karburantet nuk mbeten pas. Sipas shoqatës, bazuar nga të dhënat e marra në rrugë të ndryshme, qeveria u ka borxhe të paktën 2.5 miliardë lekë. Ky sektor është infektuar nga ndërtimi, i cili në formë zinxhir ka shtrirë efektet negative në linjat e tjera të ekonomisë. “Po futemi në një zinxhir të rrezikshëm fajdesh, si zgjidhje për të pasur likuiditet të momentit”, thonë anëtarë të Shoqatës së Hidrokarbureve.
Nuk mund të dalësh me përfundimin e sigurt se shteti është plotësisht fajtor, por zanafilla e fenomenit të fajdeve në kohët moderne të ekonomisë, rrjedh nga vetë arka e shtetit. Bizneset thonë me plot gojën se qeveria u ka borxhe për punë të kryera të dy viteve më parë, kurse në banka kanë kreditë për të shlyer, pikërisht për projektet publike të shtetit. Për këtë arsye, kreditë e këqija kanë prekur majat, në nivel rekord 20 për qind, ose gati sa 1 miliard dollarë, ku biznesi mban peshën kryesore.
Për këtë qëllim, Dhoma e Tregtisë së Tiranës po harton platformën e saj, cila do t’ia paraqesë Ministrisë së Financave për të likuiduar ato kompani që shteti u ka borxhe. “Për këtë do të ishte e udhës që kjo ministri të gjejë formulën e bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë, për t’u bërë likuidimin nëpërmjet over-drafteve”, thotë Jaka. E thënë ndryshe, biznesi sugjeron se borxhet që u ka qeveria, të kalojnë direkt te bankat, pikërisht tek ato kredi të pashlyera, me anë të një marrëveshje të posaçme.
Sondazhi
49.9 për qind: Sipas sondazhit të kryer nga Banka e Shqipërisë, 49.9% e bizneseve pranojnë se kanë aktualisht një hua për të paguar
50 për qind: Madhësia e vlerës së përgjithshme të huasë përbën rreth 50% të kapitalit për afro 73.5% të të anketuarve