Borxhi i Tatimeve
Paratë e borxhlinjve të Tatimeve nuk do të mund të lëvizin nga llogaria deri në kalimin e shumës së detyrimit te llogaria e administratës tatimore. Sipas ligjit aktual, nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, administrata tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale, i kërkon çdo banke, ku subjekti ka llogari në emër të vet, të bllokojë paratë dhe shuma e bllokuar kalon për llogari të administratës tatimore. Sipas shtesës së propozuar nga projektligji, tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë, të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes, transferimit të aktiveve, synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar. Sipas ndryshimit të bërë në ligj, në dhjetor 2014, kur banka nuk bllokon shumën e kërkuar, ajo paguan gjobë të barabartë me 0,2 për qind në ditë të detyrimit të pambajtur, por jo më pak se 100 mijë lekë në ditë. Gjithashtu, në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit, me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar.