Nga Shqipëria dolën 2.5 miliardë USD, në formë investimesh të bankave. Më pak kredi
Edhe në tremujorin e parë 2013, bankat vijuan t’i depozitojnë paratë jashtë, me 13 milionë USD
Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se fondet që bankat shqiptare kanë investuar jashtë shtetit arritën në fund të vitit të kaluar rekordin historik 2.5 miliardë dollarë. Kjo është sa 27 për qind e të gjitha depozitave që shqiptarët kanë vendosur në banka.
Të dhënat tregojnë se krahasuar me një vit më parë, investimet e bankave jashtë janë rritur me mbi 36.3 për qind ose në vlerë rreth 700 milionë dollarë. Bankat kanë likuidet të bollshëm. Vetëm në dy vitet e fundit, depozitat në sistem janë rritur me gati 1.5 miliardë dollarë.
Por kursimet e shqiptarëve nuk janë kanalizuar si kredi për të gjallëruar ekonominë, por bankat i kanë investuar ato jashtë. Tre vjet më parë, pjesa e depozitave e rishpërndarë në kredi ishte gati 70 për qind. Në fund të vitit të kaluar shifra ra 58.6 për qind. Në vitin 2012, kredia për ekonominë u rrit me 2.4 për qind, niveli më i ulët historik, ndërsa në vitet para krizës kreditimi ishte deri në 70 për qind.
Tkurrja është edhe më e fortë në valutë ku raporti kredi përmbi depozita ka rënë nga 110 për qind në 75 për qind. Kjo në një kohë kur Banka Botërore e klasifikon Shqipërinë si vendin me ndërmjetësimin më të ulët financiar në rajon, pasi në vendet e tjera pjesa e depozitave që janë shpërndarë si kredi varion nga 90 deri në 120 për qind.
Për të zgjidhur këtë ngërç, pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë miratoi një masë, që i klasifikonte investimet e bankave jashtë me koeficient maksimal rreziku, duke i detyruar ato që për çdo fond që investojnë jashtë të mbajnë fonde të papërdorura rezervë. Bankat reaguan menjëherë duke e kundërshtuar masën.
Në një deklaratë për mediat ato e quajnë atë si të panevojshme, duke pretenduar se janë të detyruara t’i nxjerrin paratë jashtë për shkak se nuk ka kërkesë për kredi në vend. Por për disa ekspertë nga Banka Qendrore kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi ngërçi i kredisë nuk është pasojë vetëm e kërkesës së ulët, por edhe shtrëngimit të kushteve nga vetë bankat. Përtej arsyeve, tashmë sistemi financiar ka hyrë në një qerthull që po thellon më shumë krizën e ekonomisë shqiptare.
Qytetarët hezitojnë të shpenzojnë dhe kanë rritur kursimet në banka. Por paratë, të cilat duhet të kanalizoheshin si kredi për të financuar biznesin dhe investimet fluturojnë jashtë. Ndërkaq, rritja ekonomike që në vitet e krizës ishte tkurrur në rreth 3 për qind, vitin e kaluar ra në 1.6 për qind.
Bankat kanë vijuar që të depozitojnë paratë e tyre jashtë edhe në tremujorin e parë të këtij viti, ndonëse me ritme më të ulëta krahasuar me 2012-n. Zëri “Marrëdhënie me bankat, institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare” është rritur me gati 1 për qind, apo me 9 milionë euro, pas një rënieje që kishte shënuar në tremujorin e katërt, duke treguar se bankat sërish nuk po e shohin me interes kredidhënien në ekonomi, apo investimin në bono thesari, teksa një e katërta e rritjes së aktiveve ka ardhur pikërisht nga ky zë. Karakteristikë e tremujorit të parë është se bankat kanë ulur depozitat në institucionet financiare jashtë vendit dhe i kanë zhvendosur paratë në llogari rrjedhëse, po në institucionet e huaja.
Gjatë vitit të kaluar, në reagim të kërkesave të bankave mëmë, për të ulur investimet në aktivet e konsideruara me rrezik, bono thesari dhe hua, bankat me kapital perëndimor e përqendruan investimin e mjeteve të tyre të lira në depozitimin me interesa tepër të ulëta në bankat jashtë vendit, një dukuri kjo që u konstatua gjatë gjithë vitit, por që ishte më e përqendruar në pjesën e parë të tij. Investimet, apo vendosjet e bankave në institucionet jashtë vendit u rritën në vlerë me 46 miliardë lekë në 2012-n me bazë vjetore, apo rreth 333 milionë euro, duke qenë një nga zërat kryesorë që ndikoi në rritjen e aktiveve.
Beqja: Borxhi shqiptar rritet me 140 mijë USD në orë
Partia Socialiste ka vijuar fushatën denoncuese në publik për ato që ajo i quan dështime të qeverisë. Argumenti i radhës që opozita parashtroi si një nga 100 arsyet se pse shqiptarët nuk duhet ta votojnë sërish Sali Berishën është shthurja e financave publike.
“Borxhi publik është rritur edhe rreth 300 milionë dollarë më shumë në 3 muajt e parë të vitit. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë. Shtohet me 140 mijë dollarë çdo orë që Saliu drejton qeverinë dhe Ridvani financat publike. Në 31 mars 2013, borxhi publik arriti 8,6 miliardë dollarë. Borxhi rritet, por ekonomia ka ndalur. Borxhi rritet, por papunësia nuk ulet. Borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet. Borxhi rritet, por edhe analfabetizmi funksional rritet. Borxhi rritet, por sistemi shëndetësor rrënohet”, thotë Ilir Beqja.
Opozita mendon se modeli ekonomik i qeverisë që rëndon borxhin për qytetarët, por pa sjellë mirëqenie për ta është i shteruar.
“Prandaj duhet një model i ri ekonomik. Prandaj duhet rilindje edhe për ekonominë, edhe për administrimin e financave publike. Ne jemi gati ta bëjmë realitet: Me programin tonë ‘Për një Rilindje Shqiptare’, me skuadrën fituese të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Me Edi Ramën Kryeministër. Në 23 qershor 2013”, tha Beqja. Në fund të këtij viti, borxhin publik sipas shifrave të vetë qeverisë pritet të arrijë në 63.8 për qind të ekonomisë kombëtare ose 10 pikë përqindje më shumë se në vitin 2007