Vijon me intensitet puna në Rrugën e Arbrit, e cila ka nisur nga ndërtimi para thuajse dy muajsh. Sipas ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, është hapur një nga tunelet e parë të kësaj vepre të rëndësishme. Bëhet fjalë për një tunel 500 metra të gjatë që ndodhet në një fshat pranë Klosit.


“Vazhdon me intensitet të lartë puna në kantierin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Ditën e djeshme u shënua dhe hapja e tunelit T5 që është 500 metër i gjatë dhe ndodhet në fshatin Fshat të Klosit. Përtej këtij tuneli do të fillojë ndërtimi i Urës së Vashës, e cila do të kryejë lidhjen me anën tjetër të rrugës në drejtim të Bulqizës”, – deklaron Gjiknuri.


Parashikohet se rruga, Dibër-Tiranë të shkurtohet me 69 km, ku do të ketë lidhje me degëzimin e Klosit.


Rruga do t’i vlejë edhe Matit e Burrelit. Projekti trajton rrugën me të gjithë elementët. Do të shmangem kthesat e shumëfishta, ku parashikohen 6 tunele dhe 4 ura, si dhe një tunel për raste emergjence. Ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të kushtojë 240 milionë euro dhe shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare.


Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij. Ai gjithashtu do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës gjatë të gjithë periudhës së koncesionit.


Rruga e Arbrit konsiderohet si një vepër e vështirë nga pikëpamja inxhinierike, për shkak të relievit në të cilin kalon.


Sipas premtimit të qeveritarëve, rruga pritet të përfundojë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.



16 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)