Ministria shtyn marrëveshjen koncesionare. 5 euro/makina, e sigurt në sezonin turistik
Në sezonin e verës rrugën e përshkojnë rreth 12000 automjete, ndërsa në dimër në rreth 3500 Tarifa – Mendohet paraprakisht që tarifa e rrugës të jetë 5 euro, ndërsa mendohet se kompania do të investojë rreth 80 milionë euro, sipas Ministrisë së Transporteve
ARD KOLA
Në muajin janar, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve duhet të kishte nënshkruar marrëveshjen koncesionare me kompaninë fituese (emri i të cilës mbahet sekret), por problemet për detajimin e kontratës kanë shtyrë në kohë finalizimin e aktit. Sipas zv/ministrit të Transporteve, Ernest Noka, që është edhe përgjegjësi kryesor i projektit, marrëveshja me firmën fituese duhet të shpallej në janar. Në dhjetor, kur u pyet nga deputetët në lidhje me koncesionin e Rrugës së Kombit, Noka foli me siguri për finalizimin në kohë, por problemet për garancinë kanë detyruar autoritetet për ta shtyrë marrëveshjen. Megjithatë, nga ministria mësohet se “e sigurt është që rruga do të bëhet me pagesë në muajt e verës”. Pakti pritet të firmoset në shkurt apo në mars, me kompaninë fituese, ndërsa zbatimi dhe marrja nën kontroll të rrugës, për të paktën 25 vjet do të zbohet në verë, në pikun e sezonit turistik dhe pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Projekti synon dhënien me koncesion të akseve Milot-Kalimash-Morinë, e gjatë afro 115 km, me synimin e mirëmbajtjes nga shoqëri private, kundrejt pagesës prej 5 eurosh. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka deklaruar më parë se, do të ketë prioritet ajo firmë private që aplikon në tender çmimin më të ulët të kalimit, pra 5 euro dhe nën të. Mirëmbajtja e rrugës, që ka kushtuar 1 miliard euro, ose sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto shikohet me mjaft shqetësim nga autoritetet vendase. Nga përllogaritjet e kryera, në bashkëpunim me konsulencën e IFC, rezulton se kompania që do të marrë rrugën me koncesion, duhet të investojë të paktën 80 milionë euro, jo vetëm për mirëmbajtjen, por edhe në vendosjen e sigurisë dhe mbledhjes së pemëve. Mendohet që rruga do të rrethohet me gardh prej telash për të mos lejuar kalimin e banorëve dhe kafshëve të zonës, sikurse do të ketë më shumë masa sigurie. Nga një përllogaritje e thjeshtë (duke pasur parasysh tarifën prej 5 euro për makinat dhe ndoshta 7 euro për ato me tonazh më të madh) dhe me mesataren e mjeteve që kalojnë në ditë, qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit. Sa i takon qarkullimit në këtë aks, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mësohet se në ditë mesatarisht llogariten nga 6500 – 7000 automjete. Në verë kjo shifër shkon në rreth 12,000 automjete, ndërsa në dimër në rreth 3,500. Ekspertët thonë se kemi të bëjmë me një rrugë që përdoret më shumë sesa është parashikuar nga projektuesit. Për tre vjet ndërtim, rruga 60 km e gjatë, Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, që lidh Shqipërinë me Kosovën, u kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 800 milionë euro. Vetëm për tunelin, rreth 6 km i gjatë, janë shpenzuar nga buxheti i shqiptarëve afro 280 milionë euro.