Zhvillimet


Gjiganti i naftës, partner me turqit e “Çalik”, konkurrent te privatizimi i 100% të aksioneve


ARD KOLA


Kompanitë ruse, ose më saktë qeveria e Putinit, duket se ia kanë vënë syrin seriozisht “Albpetrolit”, ndërmarrjes shtetërore që menaxhon burimet e naftës në vend, me një sasi prej 30 milionë tonësh (të nxjerrshme). Gazeta “Shqip” publikoi pak ditë më parë listën zyrtare të kompanive që kanë shprehur interes për të privatizuar “Albpetrolin”, duke blerë dokumentet e tenderit, ku mes tyre ishin edhe turqit e “Çalik Enerji”, të njohur në vendin tonë si pronarë banke dhe kompanish telekomunikacioni. Grupi turk ka investuar dhjetëra milionë dollarë në vendin tonë dhe shikohet si kandidat potencial, nisur edhe nga miqësitë e sinqerta që ka me kreun e shtetit tonë shqiptar. Por pas turqve, fshihet një tjetër kompani, brenda profilit të naftës dhe partner i sigurt në tenderin e privatizimit, rusët e “Rosneft”.


Më 2010-n, “Çalik Enerji” dhe kompania shtetërore e naftës së Rusisë “Rosneft” vendosën të bashkëpunojnë për të krijuar një partneritet në fushën e tregtisë ndërkombëtare dhe në tregun turk të naftës. Nën këtë marrëveshje do të krijohen aktivitete në tregtinë e naftës në rajonin e Mesdheut, si dhe në shpërndarjen dhe tregtinë e naftës së Turqisë. “Çalik” dhe “Rosneft” kryejnë së bashku shitjet e karburantit për mjetet detare, si dhe shpërndarje në Turqi. Aktualisht, “Çalik Enerji” transporton rregullisht ngarkesa nafte të “Rosneft” në të gjitha anët e botës çdo muaj dhe kryen shitjen e tyre. Të dhënat gjenden lehtësisht në faqet zyrtare të internetit të të dyja shoqërive. Kompania turke do ta kishte më lehtë fitimin e tenderit për blerjen e 100 për qind të aksioneve të “Albpetrolit” në rast se paraqitet si partnere me gjigantin rus, i cili duhet thënë se ka më shumë eksperiencë.


“Rosneft” është kompania shtetërore e naftës në Rusi e themeluar në vitin 1993 dhe u bë e fuqishme në kohën e Putinit, falë blerjes përmes një ankandi të manipuluar të gjigantit “Yukos”, pronari i së cilës u fut në burg për evazion fiskal. Qeveria e Rusisë është pronare e 75 për qind të aksioneve të kësaj kompanie.


“Çalik Enerji” ka aktivitet në një rajon të gjerë gjeografik që prej 20 vjetësh. Operacionet kryesore të kompanisë janë prodhimi i energjisë elektrike, shpërndarja dhe tregtia, ndërtimi i impianteve energjetike, kërkimi i naftës dhe tregtia e rafinimi i naftës. Kjo degë e “Çalik Holding” në sektorin e energjisë u themelua më 1987-n. Ajo synon të sjellë burimet e energjisë në afërsi të Turqisë dhe ta kthejë këtë vend një bazë energjetike në rajonin e vet. Kompania shpenzoi 10 për qind të fitimeve të veta neto në aktivitete të kërkimit dhe zhvillimit (R&D) për të përdorur burimet energjetike të Turqisë aktualisht jashtë përdorimit, si dielli apo energjia hidraulike, si dhe nafta. Kompania kryen gjithashtu veprime eksplorimi për burime të mundshme nafte në Turqinë juglindore.


“Bankers Petroleum”, kompania tjetër e interesuar, është prodhuesi më i madh i naftës bruto në Shqipëri. Vlera e saj e aksioneve në bursë ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit dhe kjo kompani ka aktualisht vlerë tregtare prej rreth 600 milionë dollarësh. Aktualisht kanadezët po vlerësojnë mundësinë e futjes në tender.


“Petromanas” është një kompani e regjistruar në Kanada me asete të deklaruara në bilancin e vet të publikuar prej 154 milionë dollarësh. Ajo disponon disa kontrata për ndarjen e prodhimit të naftës në disa zona të Shqipërisë.


“Rosneft” është kompania shtetërore e naftës në Rusi, u bë e fuqishme pas falimentimit të “Yukos”


Konkurrenca


Beteja gjeopolitike mes BE-së dhe Kremlinit


Të gjitha kompanitë shtetërore ruse të naftës dhe gazit janë angazhuar gjatë dekadës së fundit në një betejë gjeopolitike për të ruajtur dominimin e tregut europian të gazit nga ana e Moskës. Kremlini e përdor varësinë e shteteve të lindjes nga burimet e veta energjetike si një mekanizëm për të ushtruar trysni politike në të gjitha vendet që dikur qenë nën sferën e influencës sovjetike. Bashkimi Europian ka bërë disa tentativa për të shmangur varësinë nga gazi rus pa shumë sukses. Shumë vende anëtare të BE-së kanë mbetur disa herë pa furnizim me gaz, si pasojë e mosmarrëveshjeve të karakterit politik mes Moskës dhe Ukrainës. Projekti kryesor në duart e europianëve për të shmangur dominimin rus ka qenë dhe vijon të mbetet ideja e krijimit të një korridori të jugut, ku gazi i zonës së Lindjes së Mesme dhe rajonit të Detit Kaspik, të transferohet në Europë përmes Turqisë dhe Ballkanit. Rusia ka tentuar të shmangë këtë hapje të konkurrencës duke krijuar tubacione gazi nga territori i saj drejt jugut të Ballkanit, si p.sh. gazsjellësi South Stream, i cili nuk ka kuptim ekonomik si projekt më vete (ka humbje financiare), por i shërben Moskës të shmangë ndërtimin e gazsjellësve jashtë ndikimit të saj.


 


1. ACIP PETROLIUM CORP-Shqipëri


2. CALIK ENERJI, Ankara–Turqi


3. TIËAY OIL AS, Oslo-Norvegji


4. SilkRoad Eqyity LLC, Çikago-USA


5. Triple FIVE Internacional-Kanada


6. Petromanas (Albania GmBH)-Zvicër


7. GPRO Group Co LTD-Kinë


8. Bankers Petrolium Albania-Shqipëri


9. YILDIZLAR SSS HOLDING,-Turqi


10. Brack Kappa Albania-Shqipëri


11. MND a.s.-Republika Çeke


12. GAZPROM-Rusi