Klubi i Guvernatorëve


Gent Sejko ne TiblisNiveli i kredive me probleme është 0.89 miliardë euro (20.88%), njoftoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e mbajtur, në takimin e Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Detit të Zi dhe Ballkanit, në Tbilisi (Gjeorgji). Fokusi kryesor i diskutimeve të këtij takimi ishte mbi nivelin e lartë të dollarizimit dhe efektet e tij në ekonomitë e këtyre vendeve. Sejko, gjatë këtij takimi, mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në garantimin e stabilitetit financiar të vendit. Guvernatori theksoi se gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka kryer disa ndryshime të akteve rregullative, të cilat synojnë zgjerimin e kreditimit, uljen e kostove të ndërmjetësimit dhe nxitjen e procesit të ristrukturimit të kredive me probleme. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko prezantoi para të pranishmëve angazhimin e ndërmarrë nga të gjitha institucionet qeveritare dhe financiare në Shqipëri për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator për zgjidhjen e çështjes së kredive të këqija. Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Turqisë.