Guvernatori: Zinxhiri drejtues i BSH nuk është i kënaqur me situatën. Presioni ynë do të rritet
Deklarata – “Zbatimi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të çlirojë stresin dhe nervozizmin në sistemin bankar”
Guvernatori i BSH, Gent Sejko u bën thirrje bankave të kreditojnë biznesin. Në takimin e djeshëm “Marrëdhëniet Biznes – Bankë: Perspektiva e kreditimit 2016”, ku merrnin pjesë Shoqata e Bankave, dhomat e biznesit dhe organizata të huaja të sipërmarrjes, Sejko shprehu pakënaqësinë për gjendjen e kreditimit. “Dua t’ju bëj të ditur një fakt: zinxhiri drejtues i Bankës së Shqipërisë nuk është i kënaqur me situatën aktuale, ndërkohë që arsyet apo pretendimet e shumta që mund të ngrihen nuk mund të justifikojnë një lloj apatie dhe mungese oreksi për rrezik në investim”, deklaroi guvernatori. “Presioni ynë sa do të vijë dhe do të rritet në këtë drejtim. Ju ftoj të merrni sa më shpejt masa korrektuese për të mbështetur më mirë ekonominë me kredi”, u shpreh guvernatori Sejko. Duke iu drejtuar bankave me kapital të huaj, Sejko u shpreh: “Mos vazhdoni të jeni peng i disa praktikave të vjetra të kredive të dështuara. Nxirrni mësimet e duhura dhe rrisni komunikimin me selitë tuaja qendrore. Shpjegojuni atyre realitetin shqiptar dhe oportunitet për investim. Bindini ata se ka shumë aktivitete ku kthimi është i sigurt dhe për këtë arsye ato duhen kredituar”. “I bëj thirrje sistemit bankar të shkëputet nga qëndrimi relativisht pasiv, tha Sejko. Duhet të kuptoni se ka ardhur koha të ktheheni në biznesin tradicional të bankës tregtare, kreditimin e ekonomisë. Ky është misioni i bankave tregtare në ekonomi dhe për këtë qëllim, ju ftoj ta përmbushni atë me sukses”. “Të diskutojmë për një fillim të ri. Tashmë kushtet janë pjekur. Ekonomia po rritet, mundësitë për biznes janë të pranishme. Likuiditeti është i bollshëm dhe çmimi i leverdishëm”, i ftoi Sejko bankat dhe biznesin. Lidhur me kreditë e këqija, Sejko tha se Banka e Shqipërisë do të vendosë në qendër të përpjekjeve të saj përmbushjen e të gjithë angazhimeve që rrjedhin nga “Plani Kombëtar i Veprimit për Trajtimin e Kredive me Probleme”. “Ne do të bashkëpunojmë pa asnjë hezitim me autoritetet e tjera shtetërore, me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, në drejtim të rënies së mëtejshme të nivelit të kredive me probleme”, tha Sejko. Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Christian Canacaris, theksoi se perceptimet dhe pritshmëritë e përgjithshme për aktivitetin ekonomik të vendit janë përgjithësisht optimiste e për rrjedhim objektivat e sistemit bankar në lidhje me kreditimin e ekonomisë gjatë vitit 2016 janë në rritje. Nga ana e saj, Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ines Muçostepa u shpreh se biznesi vlerëson orientimin e bankave në kreditimin e sektorëve të rinj të ekonomisë shqiptare me potencial të lartë zhvillimor si bujqësia e turizmi. Më tej takimi – i cili zgjati më shumë se dy orë – u zhvillua në formën e një debati të hapur. Një pikë ku u ndal komuniteti i biznesit ishte rritja e rolit këshillues nga ana e sistemit bankar, ndërkohë që kërkuan që ky i fundit të përcaktojë prioritetet e nevojshme në trajtimin e bizneseve në vështirësi. Biznesi kërkoi nga bankat që procedurat e kreditmit të jenë në përputhje me realitetin shqiptar. Rritja e kreditimit për sektorin e bujqësisë, erdhi si kërkesë nga përfaqësuesit e agrobiznesit. Drejtuesit e sistemit bankar, nga ana e tyre, kërkuan një angazhim më të lartë nga biznesi në projekte sa më realiste dhe të mirëstudiuara, si e vetmja rrugë për të rritur kreditimin.