Partnerët e “Gazprom” nisin verifikimet e aseteve të naftës


Edmond Hoxhaj


Zyrtarë dhe specialistë të kompanisë serbe NIS (Nafta e Industrisë Serbe) kanë zbarkuar tri ditë më parë në zyrat qendrore të “Albpetrolit”, që ndodhen në kilometrin e pestë të aksit rrugor Fier-Patos. Fasada e ndërtesës, e lyer me kujdes me ngjyrë blu pak ditë më parë, ka qenë prezantimi i parë që u është bërë serbëve, të cilët kanë mbërritur aty për të marrë të dhëna që u interesojnë lidhur mbi aktivitetin dhe të ardhurat e kompanisë së vetme naftënxjerrëse shtetërore që pritet të privatizohet së shpejti. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Shqip” nga një burim konfidencial pranë “Albpetrolit”, që sqaroi se ndonëse serbët janë mirëpritur, komunikimi i tyre ka qenë arrogant dhe larg etikës profesionale. Ndërkaq, i njëjti burim është shprehur se serbët e NIS kanë pasur në dorë një suport nga vetë METE. Mësohet se me anë të një shkrese zyrtare, ministri i METE-s, Edmond Haxhinasto, i rekomandon drejtuesit e “Albpetrolit” t’u japin gjithë asistencën për informacionet që kërkojnë serbët. Burimet shprehen se specialistët e kompanisë serbe, 51% të së cilës e zotëron gjiganti rus “Gazprom”, kanë qenë të interesuar lidhur me të ardhurat aktuale të “Albpetrolit” dhe të vendburimeve ekzistuese funksionale dhe jo. Ata kanë marrë të dhëna edhe për çdo detaj juridik që gëzon “Albpetroli”, si dhe marrëveshjet e kryera me kompanitë e tjera koncesionare. Ndërkaq, mësohet se oferta për shitjen e “Albpetrolit” do të bazohet në prodhimin dhe përfitimin aktual të kësaj kompanie, që tashmë ka arritur në minimumin e tij. Kështu, burimi pohon se nuk do të ketë përllogaritje në vlerën e shitjes së puseve të naftës, të cilat janë jashtë përdorimit, por që nuk janë shfrytëzuar ende plotësisht. Nisur nga këto fakte dhe të dhënat që u janë vënë në dispozicion specialistëve të kompanisë serbe, duket se interesi i tyre ka qenë pozitiv. Por serbët nuk kanë qenë të vetmit që kanë qenë të interesuar për të marrë të dhëna pranë kompanisë “Albpetrol”. Para tyre kanë mbërritur edhe specialistë të shoqërisë kanadeze “Triple FIVE Internacional”, e cila edhe kjo është një nga pretendentet me serioze që kërkojnë privatizimin e “Albpetrolit”. Por, burimi i sipërcituar ka theksuar se kanadezët kanë qenë aty vetëm për dy ditë dhe më pas janë larguar pa marrë gjithë informacionet që kërkuan fillimisht. Ndërsa janë larguar, specialistët kanadezë nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim.


Disa ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi detaje mbi takimin e zhvilluar mes kompanive ndërkombëtare që veprojnë në fushën e nxjerrjes e përpunimit të naftës dhe drejtuesve të METE-së. Në këtë takim, veç të tjerëve, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të kompanisë ruse “Gazprom”. Zyrtarët e ministrisë, në mbledhjen me firmat e interesuara, kanë paraqitur një ekspoze të procesit të privatizimit, të drejtat e shtetit dhe të privatit pas shitjes së “Albpetrolit”, planin e biznesit, investimin, mjedisin e deri te trajtimi i punonjësve që do të preken nga asistenca. Aktualisht kompanisë “Albpetrol” i kanë mbetur rreth 5 për qind të aseteve që ka disponuar dikur. Por, gjithsesi të ardhurat vjetore të kësaj kompanie, përfshi këtu edhe prodhimin paraekzistues që përfiton nga shoqëritë koncesionare, arrijnë në 60 milionë dollarë. Ndërkaq, pritet që çmimi fillestar i shitjes së saj të jetë jo më shumë se 300 milionë dollarë.


Më herët kishin mbërritur edhe specialistë të shoqërisë kanadeze “Triple FIVE Internacional”


Asistenca – Ministri i Ekonomisë u rekomandon drejtuesve të “Albpetrolit” t’u japin gjithë asistencën për informacionet që kërkojnë serbët


Fasada – Fasada e ndërtesës, e lyer me kujdes me ngjyrë blu pak ditë më parë, ka qenë prezantimi i parë që u është bërë drejtuesve të NIS


Rafineria – Veç dhënies së gjithë kompetencave që gëzon sot “Albpetroli” për shfrytëzimin e rezervave si në tokë dhe det, privatizuesit do t’i ofrohet edhe licenca rafinerisë 


Mbikëqyrja – Drejtuesit e rafinerisë serbe morën të dhëna edhe për çdo detaj juridik që gëzon “Albpetroli”, si dhe marrëveshjet e kryer me kompanitë e tjera koncesionare


 


 


Në muaj merr 2.5 mln USD


Kompania “Albpetrol” ka të ardhura mujore mbi 5 milionë USD që kapin një shifër të paktën 60 milionë USD në vit. Këto të ardhura sigurohen nga vjelja e prodhimit paraekzistues prej kompanive private naftënxjerrëse, si dhe nga vendburimet e naftës e gazit natyror. Kështu, vetëm prej prodhimit paraekzistues të kompanisë kanadeze “Bankers”, “Albpetrol” përfiton rreth 2.5 milionë dollarë në muaj.


 


Procesi


Qeveria parashikon të arkëtojë 300 milionë euro nga shitja


Të ardhurat e privatizimit, për faturën e fushatës 2013


Kompania shqiptare e naftës shikohet nga qeveria si mjeti më i fortë për të siguruar faturën e fushatës elektorale, nga ku pritet të sigurohen të paktën 300 milionë euro, a ndoshta më shumë, për shkak të transferimit të disa të drejtave, përfshi edhe kërkim nafte dhe gazi në det. “Albpetroli” siguroi vitin e kaluar një total të ardhurash me vlerë 50 milionë euro, nga shitja e naftës bruto, kryesisht te kanadezët e “Bankers”, me çmim burse.


Për vlerën e shitjes ka ende debat, pasi qeveria nuk ka vendosur një çmim dysheme, por duke qenë se bashkë me rezervat po ofrohen disa të drejta kërkimi në det, licencë gazi dhe rafineria, shpresat për të arkëtuar shuma të mëdha janë të konsiderueshme.


Në vitin 2009, qeveria shqiptare “bëri” bingo, duke shitur ARMO-n dhe OSSH-në për afro 230 milionë euro. Procesi kishte nisur në vitin 2008, por paratë u derdhën në buxhet një vit më pas, kur Kryeministri Berisha zhvilloi fushatën elektorale më të madhe në vend, duke siguruar më tej mandatin e dytë qeverisës. Këto para shkuan kryesisht për “Rrugën e Kombit”, Durrës-Kukës dhe tri ditë para zgjedhjeve Kryeministri inauguroi tunelin që kishte kushtuar 280 milionë euro. Sot, tre vjet më pas, ose gati një vit para zgjedhjeve parlamentar të 2013-s, qeveria po përgatit të njëjtin skenar. Në procesin e shitjes së pronave publike ndodhen “Albpetroli” dhe katër HEC-et, deri dje pronë e shtetit, me kapacitet prodhues 80 megavat. Për shitje kanë dalë mbi 500 prona publike, përfshi edhe ato të ushtrisë, por vetëm te dy të parët vëmendja e Kryeministrit është më e madhe, pasi nga rezultati i tyre varet fati i buxhetit dhe i faturës së zgjedhjeve të ardhshme. Në lojë nuk janë pak, por të paktën 300 milionë euro, shuma e përafërt nga shitja e kompanisë së naftës, por edhe veprave energjetike, të cilat do të mbyllen brenda këtij viti.


a.k.


 


 


Detyrimet


Mister shlyerja e borxheve


 


Kompanisë “Albpetrol” i kanë borxhe disa shoqëri dhe kjo pjesë nuk është sqaruar fort mirë nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Nuk janë pak, por dhjetëra milionë dollarë, detyrime të papaguara për naftën e ofruar për shërbime të ndryshme.


Kompania që zotëron Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, i detyrohet “Albpetrolit” rreth 50 milionë dollarë që kanë mbetur të pashlyera ndër vite, pohojnë burimet e sipërcituara. Nuk dihet me saktësi se si do të trajtohet kjo pjesë në procesin e privatizimit të ndërmarrjes shtetërore të prodhimit të naftës në vend.


Tjetër zhvillim lidhet me dhënien e licencës së rafinerisë, e ndoshta në këtë pjesë interesi i konkurrentëve në tender mund të bëhet më i madh. Duke qenë në këto kushte, kompania që pritet të privatizojë “Albpetrolin” mund ta ndërmarrë këtë hap vetëm nëse do të ketë mundësinë për prodhimin dhe përpunimin e naftës deri në etapën e fundit, gati për ta shitur atë në treg. Nëse kjo paketë do të aplikohet, atëherë privatizuesi i “Albpetrolit” do të kthehet në konkurrentin më të fortë të kompanisë ARMO.