Ekonomi


Sezoni turistik, mblidhet Task –Forca, masa për lehtësimin e vizave


Në kuadër të urdhrit të kryeministrit, datë 29.03.2016, për ngritjen e Task-Forcës për menaxhimin e sezonit turistik veror 2016, sot, në ambientet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u organizua takimi i parë i kësaj Task-Force. Takimi u kryesua nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, me përfaqësi edhe nga ministri të tjera. Në këtë takim u bë një përshkrim i shkurtër në lidhje me problematikat dhe arritjet e sezonit të  kaluar turistik. Ministrja Ekonomi evidentoi rezultatet pozitive për turizmin për vitin 2015, si rritjen e numrit të turistëve, dhe të ardhurat që fitoi ekonomia shqiptare nga turizmi. “Përveç ngjarjeve turistike që ndodhën në Shqipëri vitin e kaluar, ne patëm një ngjarje të  rëndësishme legjislative, si ligji i ri për turizmin për Republikën e Shqipërisë, i cili e angazhon  edhe më shumë Ministrinë, angazhon edhe më shumë të gjithë ata që janë aktorë të turizmit në  vend që të punojnë me një shpejtësi tjetër dhe me disa gjëra që kanë nevojë të zgjidhen më  mirë”, u shpreh ministrja Ekonomi.


Në takim u diskutua plani i masave i detajuar për secilën Ministri dhe Bashki. “Detyrat që ne kemi në këtë Task -Forcë, janë detyra që lidhen me rritjen e cilësisë së shërbimit  gjatë këtij sezoni që po vjen dhe rritjen e mundësisë që sektori i turizmit të shërbejë si një nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit”, tha ministrja Ekonomi, duke i dhënë fjalën përfaqësive të ministrive bashkë-përgjegjëse në mbarëvajtjen e sezonit veror turistik.


Në kuadrin e planit të masave që po ndërmerren për këtë sezon, rezultoi se do te ketë më shumë qendra shëndetësore në zonat e mbipopulluara bregdetare, staf i shtuar mjekësor, furnizime shtesë në barna, masa policore për menaxhimin e zonave turistike, lehtësim në hyrje-daljet në pikat kufitare, lehtësim vizash për vendet si Rusi, Arabi Saudite etj, të cilët mund të hyjnë pa viza në Shqipëri që me dt 15 maj (15 ditë përpara se një vit më parë), vazhdojnë inspektimet për kanalizimet e ujërave të zeza ku po identifikohen të gjitha subjektet private që ndotin detin, janë përgatitur kalendarët e festave dhe aktiviteteve kulturore në zonat bregdetare, janë zgjatur oraret e muzeve etj. Sot, grupi i Task-Forcës, nisi punën si domosdoshmëri për të koordinuar veprimtarinë e institucioneve, për t’u informuar mbi aktivitetin e tyre dhe për të ndjekur në kohë reale zbatimin e detyrave dhe problematikave të hasura.


 


20 prill 2016 (gazeta-Shqip.com)