Tri kompanitë mund të marrin deri në 50 për qind të aksioneve


Kompanitë që kanë nën pronësi burimin gazmbajtës “Shah Deniz II” në brigjet azere të detit Kaspik, premtuan financime, si dhe u interesuan paraprakisht për blerjen e 50 për qind të aksioneve të gazsjellësit Transadriatik, bëri të ditur kompania TAP. Gazsjellësi, i cili mund të fillojë të ndërtohet në vitin 2013, pritet të kalojë në Shqipëri nga kufiri me Greqinë në zonën e Korçës për në bregun e Semanit për të dalë në Itali, ku do të aksesojë rrjetin europian të gazit.


“Aksionerët aktualë të TAP, EGL, ‘Statoil’ dhe ‘E.ON Ruhrgas’, kanë arritur një marrëveshje me aksionerët e konsorciumit ‘Shah Deniz’ për të siguruar financime për projektin TAP. Këto fonde do të ndihmojnë konsorciumin për vijimin e punës deri në vendimin final të përcaktimit të rrugës, vendim që pritet të merret në vitin 2013”, bën të ditur kompania.


“Marrëveshja përfshin gjithashtu edhe opsionin që aksionerët e ‘Shah Deniz’ të marrin deri në 50 për qind të aksioneve të TAP”, vijon më tej deklarata.


TAP është një projekt i nisur fillimisht nga kompania zvicerane EGL, por që më pas tërhoqi interesimin e gjigantëve të tjerë të energjisë në kontinent, “E.ON Ruhrgas” nga Gjermania dhe “Statoil” nga Norvegjia.


Konsorciumi “Shah Deniz” është një fushë gazi në territorin e Azerbajxhanit që po zhvillohet nga një grup kompanish prej Britanisë së Madhe, Norvegjisë, Francës, Italisë e Rusisë, ndërsa kompania shtetërore e energjisë së Azerbajxhanit, SOCAR, disponon 10 për qind të aksioneve.


Shqipëria pritet të përfitojë qira nga tokat ku do të kalojë gazsjellësi, si dhe punësime gjatë kohës së ndërtimit, në rast se ky projekt bëhet realitet. TAP po shqyrton gjithashtu mundësinë e ndërtimit të rezervuarëve të gazit natyror në Shqipëri, gjë që do ta rrisë më tej sigurinë e furnizimit të rregullt. Disa nga opsionet që po shqyrtohen për krijimin e këtyre rezervuarëve të gazit natyror janë puset e shteruara të naftës apo gazit në territorin shqiptar.


Bashkimi Europian e ka politikë zyrtare krijimin e një Korridori Jugor të furnizimit me energji, korridor që pritet të sjellë naftën dhe gazin e zonës së detit Kaspik, por edhe Lindjes së Mesme në Europën Perëndimore përmes Turqisë, Bullgarisë e vendeve të tjera të Ballkanit. Ndërtimi i kësaj infrastrukture besohet se do të sjellë reduktimin e varësisë së Europës Perëndimore nga burimet ruse të gazit, të cilat gjatë dy dekadave të fundit janë përdorur shpesh si armë për ndikim politik nga ana e Kremlinit.


Gj. Erebara