Kontratat


Bie premtimi, për 7 vjet, qytetarët do të paguajnë shërbimet te privati


KEK 26 JanarKur do të bëhet shëndetësia falas? Në premtimin e PS-së që u fiskua edhe në programin e qeverisë 2013-2017 deklarohet reformë radikale. “Ne do të ofrojmë një mbulim universal për kujdesin shëndetësor për gjithë shqiptarët rezidentë ku asnjë individ të mos mbetet pa kujdes shëndetësor, sepse nuk disponon mjetet e nevojshme financiare. Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm”, shkruhet në këtë program. Disa ditë më parë, ministri i Shwndetwsisw, Ilir Beqja, vuri afat 17 janarin. “Ligji i ri përcakton se qytetarët mund të vizitohen tek mjeku i familjes pa pagesë. Ligji hyn në fuqi më 27 janar. Më 11 janar u botua në Fletoren Zyrtare, pasi u dekretua më 4 janar. Regjimi aktual, 1 në 5 shqiptarë e linte pa mjek familjeje. E nisëm me kontrollin bazë pa pagesë dhe që nga data 27 janar do të vijojmë me mjekun e familjes. Sigurisht mjeku i familjes nuk mjafton dhe ne do të vazhdojmë të zgjerojmë gamën e shërbimeve falas në shëndetësi”, tha Beqaj në seancën e kaluar në Kuvend në përgjigje të deklaratave të deputetes Albana Vokshi, për mosmbajtjen e premtimit. Ndërsa, kryeministri Edi Rama, duke iu drejtuar kritikëve të reformës dhe atyre që nuk e dinë se çfarë është, jep një shpjegim tjetër: “Shëndetësia falas nuk është ‘qofte tek daja’. Shëndetësia falas është një sistem mbulimi universal, ku ke para apo nuk ke para, shteti ty të shërben. Por që të arrihet në këtë sistem universal, duhen një sërë strukturash dhe një sërë mekanizmash dhe duhet një sistem i gjithi, që ne jo që nuk e kishim dhe ende nuk e kemi, por që as nuk mund të imagjinohet mbi gërmadhat e shëndetësisë që trashëguam”. Lidhur me koston e check-up-it, Rama sqaron se “nuk është 120 milionë dollarë në vit, por 64 milionë dollarë për 10 vjet. Dhe këto 6.4 milionë dollarë në vit duhen që shqiptarët nga mosha 40-65 vjeç, mund ta bëjnë atë me 18 mijë lekë të vjetra, jo me 51 mijë lekë. E këto 18 mijë lekë, ne i paguajmë nga taksat. Llogaria është shumë e thjeshtë. Paguajmë 64 milionë, por kursejmë më shumë sesa dyfishin. Llogaria është shumë e thjeshtë; Janë qindra vdekje që shmangen nga parandalimi. Ku është këtu, drama dhe problemi?!” Thonë se është një kompani që tregton produkte nga më të ndryshmet, që bën check-up-in, por prapë sipas Ramës, kjo është një gënjeshtër me bisht. “Nuk bën kompania check-up-in. Kompania vë në dispozicion të shërbimit publik shqiptar në të gjithë territorin, të gjithë infrastrukturën dhe të gjithë materialet me të cilat bëhen analizat”. Produktet, të gjitha shpërndahen në çdo qendër shëndetësore, në çdo spital, në çdo pikë ku bëhet check-up-i dhe pastaj mjekët bëjnë vetëm analizat, shpjegoi Rama. “Të marrim hemodializën, vazhdoi Rama. 80 euro paguhej për hemodializën, edhe sot që ende nuk ka hyrë në fuqi plotësisht partneriteti, për arsye procedurash. Kushdo që duhet të bëjë hemodializë, duhet të vijë nga Korça, duhet të vijë nga Tropoja, nga Saranda, nga Kukësi, Shkodra, në Tiranë dhe të shkojë vetëm në një vend të bëjë hemodializën. Atëherë, ku është krimi që po me 80 euro për seancë të bëhet i njëjti proces, por falë investimit që do të bëjë partneri privat, ky proces të bëhet jo në një vend, por në qendra të ndryshme, të shpërndara në të gjithë territorin”, tha Rama duke mos mohuar se pacientët do të vazhdojnë të paguajnë këtë shërbim. Kush bën hemodializë në Shkodër, ta bëjë në Shkodër, kush e bën në Korçë, ta bëjë në Korçë dhe jo të ngrihet në pikë të mëngjesit, të marrë makinën, ta paguajë, pa llogaritur veshkën, se ç’heq me gjithë ato vajtje-ardhje dhe të vije këtu të mbajë edhe radhën dhe të bëjë prapë rrugën në kthim. Kjo do të vazhdojë 7 vjet, kohë në të cilën mbaron kontrata e koncesionit. Z.Alushi