Kanadezët përfundojnë marrëveshjen me “Geo-Jade” për 575 milionë dollarë
Vlera – Çmimi për aksion 2.2 dollarë. Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën në bursë të “Bankers”
Miratimi – Marrëveshja është miratuar unanimisht nga Bordi i drejtorëve të Bankers dhe do të votohet nga aksionerët
Filialet – Blerësi dhe “Charter Power” janë degë të kompanisë Geo-Jade Petroleum, një nga kompanitë më të mëdha të naftës në Kinë
Zamir Alushi
Kinezët marrin nën kontroll naftën shqiptare. Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” që kontrollon pjesën më të madhe të sektorit të prodhimit të naftës, njoftoi dje se dje se ka hyrë në një marrëveshje përfundimtare me “1958082 Alberta Ltd” (blerësi) dhe “Charter Power Investment Limited” për blerjen e të gjitha aksioneve të “Bankers Petroleum Ltd” me një çmim prej 2.2 USD për aksion. Blerësi dhe Charter Power janë degë të kompanisë “Geo-Jade Petroleum”, një nga kompanitë e pavarura më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit në Kinë. Transaksioni do të realizohet përmes një plani i cili bazohet te ligji kanadez (Akti i Provincës Alberta). Në bazë të marrëveshjes “Bankers Petroleum” është vlerësuar me 575 milionë dollarë pa përfshirë detyrimet.
Çmimi
Çmimi i transaksionit përfaqëson një premium prej 98% mbi vlerën e aksioneve të Bankers në mbylljen e Bursës së Toronto-s prej 1.11 dollarë në 18 mars 2016 dhe një premium prej 109% mbi vlerën e aksioneve përgjatë tregtimit 30-ditor të fundit (deri më 18 mars 2016) ku aksionet janë tregtuar mesatarisht me 1.05 dollarë. David French, president dhe shef ekzekutiv i “Bankers” tha: “Transaksioni i propozuar i jep “Bankers” mundësinë për t’u rikthyer investimin aksionerëve tanë me një prim të konsiderueshëm kundrejt vlerësimit aktual të tregut, ndërkohë që i ofron kompanisë burime shtesë financiare për të përshpejtuar aktivitetin tonë në Shqipëri dhe për të kapitalizuar potencialin e krijuar nga mjedisi aktual i çmimeve. Ky transaksion do të gjenerojë një përfitim të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë dhe për komunitetet lokale ku operon “Bankers”. Ne presim me padurim për të punuar me investitorët e rinj për të përfituar prej mundësive të ofruara nga asetet. Duke ndjekur një transaksion të suksesshëm, blerësi do të mbështesë drejtuesit e “Bankers” dhe punonjësit për të përfituar nga eksperienca dhe njohuritë e ekipit. Blerësi planifikon të realizojë një vizion të njëjtë të të gjitha kompanive për të rritur biznesin përmes operacioneve në Shqipëri, ndërkohë që fokusohet në mundësitë e rritjes në tregun global”.
Transaksioni
Pas një shqyrtimi dhe analizimi intensiv të transaksionit të propozuar dhe konsiderimin e alternativave të tjera në dispozicion, bordi i “Bankers” ka vendosur unanimisht se marrëveshja është në interesin më të mirë të “Bankers” dhe aksionerëve të tij. Bordi i “Bankers” ka miratuar në mënyrë unanime marrëveshjen dhe është i vendosur të rekomandojë që aksionerët të votojnë në favor të marrëveshjes. Secili prej zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të “Bankers”, që përfaqësojnë në total rreth 6% të aksioneve të “Bankers”, kanë hyrë në marrëveshje duke mbështetur votimin mbi blerësin dhe kanë rënë dakord për të votuar në favor të miratimit të marrëveshjes. Bordi i “Bankers” ka marrë një opinion nga këshilltari i tij financiar “First Energy Capital LLP”, i cili thotë se, që nga data e marrëveshjes, dhe në bazë të supozimeve dhe kualifikimeve të përfshira në të, shuma e propozuar për t’u paguar për aksionerët e “Bankers” është e drejtë nga pikëpamja financiare. Marrëveshja gjithashtu parashikon një tarifë prej 20 milionë dollarë si garanci, nëse ndërpritet në rrethana të caktuara. Kompletimi i marrëveshjes varet nga kushtet e përgjithshme të mbylljes, duke përfshirë miratimin në gjykatë, aprovimet e aksionerëve dhe miratimet rregullatore, siç janë ato të kërkuara nga Akti Kanadez i Investimit dhe miratimet e kërkuara nga Republika Popullore e Kinës. Informacioni në lidhje me marrëveshjen do t’u dërgohet aksionerëve të “Bankers” në prill 2016 për një mbledhje speciale që pritet të mbahet në fund të majit. Mbyllja e marrëveshjes me kinezët pritet të bëhet në fund të qershorit 2016.
Bordi i “Bankers”
Bordi ka miratuar unanimisht marrëveshjen duke e përcaktuar se është në interesin më të mirë të “Bankers” dhe aksionerëve të tij. Bordi u rekomandoi dje aksionerëve të “Bankers: të votojnë në favor të marrëveshjes. “Dentons Canada LLP” është duke vepruar si këshilltar ligjor për blerësin, ndërsa “Charter Power. First Energy Capital LLP” është këshilltar financiar ekskluziv për “Bankers” dhe i ka dhënë Bordit opinionin mbi të cilin është vepruar.
Blerësi
“Geo-Jade”, kapitali 3.6 miliardë dollarë
Geo-Jade është një ndër kompanitë e pavarura më të mëdha të eksplorimit dhe prodhimit të listuara në bursën “Shanghai Stock Exchange” (SH: 600759) me një kapitalizim tregu më të madh se 3.6 miliardë dollarë. Geo-Jade ka bërë investime të suksesshme të naftës dhe gazit në mbarë botën, me asetet kryesore të vendosura në Azinë Qendrore, Amerikën e Veriut dhe në Kinë.