Privati do të fitojë miliona, pa bërë asnjë investim
Shitja e katër hidrocentraleve të vegjël, biznes me humbje. Qeveria nxori dy ditë më parë në shitje katër hidrocentrale ekzistuese të ndërtuara në regjimin komunist, atë të Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat. Çmimi më i lartë i ofruar në tender ishte 110 milionë euro, për të katër veprat së bashku. Por cila është pasaporta e tyre. Në total, HEC-et e Ulëz Shkopetit dhe dy Bistricat kanë një kapacitet të instaluar prej 80 megavat, që do të thotë se çmimi me të cilin qeveria pritet t’i shesë është rreth 1.37 milionë euro për megavat të instaluar.
Por cilat janë çmimet aktuale të tregut? Pak kohë më parë, Kryeministri mori pjesë në përurimin e hidrocentralit të Ashtës, vepra e parë e madhe hidroenergjetike e ndërtuar pas rënies së regjimit komunist. Me një kapacitet të instaluar 53 megavat, hidrocentrali i Ashtës ka kushtuar mbi 200 milionë euro. Kostoja e ndërtimit është rreth 4 milionë euro për mega, ose gati 3 herë më e lartë nga çmimi, me të cilin qeveria po i shet katër hidrocentralet ekzistuese.
Por ky nuk është treguesi i vetëm që dëshmon se qeveria po bën biznes me humbje për qytetarët. Sipas të dhënave zyrtare, katër hidrocentralet e nxjerra në shitje prodhojnë së bashku 350-450 milionë kilovat orë në vit. Çmimi me të cilin qeveria e detyron KESH të blejë energji nga hidrocentralet private është rreth 8-9 lekë për kilovat/orë, që do të thotë se të ardhurat e katër hidrocentraleve shkojnë minimalisht 22 milionë euro në vit. Sipas ekspertëve, me këto të ardhura, vlera e blerjes së hidrocentraleve rikuperohet brenda 6 viteve, kjo dhe për një arsye tjetër. Shkopeti dhe dy hidrocentralet e Bistricës janë vepra që vitet e fundit kanë marrë investime të mëdha nga fondet e buxhetit dhe ndihmave nga qeveria gjermane.
Kjo do të thotë se nuk kanë nevojë për investime të reja, por do të kenë një fitim të garantuar. Së fundi, biznesi i hidrocentraleve në vetvete është specifik, pasi menaxhimi i tyre është thellësisht teknik, ndaj dhe kalimi i tyre te privatët nuk sjell përmirësime të mëdha në menaxhim, eficencë apo ulje korrupsioni, siç mund të ishte rasti i një ndërmarrje tjetër publike. Të gjitha këto argumente janë përdorur nga kritikët, për të ngritur pyetjen nëse është shitja e këtyre hidrocentraleve një biznes i mirë për qytetarët, apo thjesht po diktohet nga nevojat urgjente të buxhetit dhe qeverisë për para dhe jo rastësisht vetëm 6 muaj para se vendi të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme.
TCH
Hidrocentralet
HEC i Ulëzës
HEC i Shkopetit
HEC Bistrica 1
HEC Bistrica 2
Shifrat
110 milionë euro: Ishte çmimi më i lartë i dhënë në ankandin për shitjen e katër hidrocentraleve të vegjël. Kjo ofertë u bë nga kompania “Kurum”
22 milionë euro: Është përafërsisht fitimi që sigurohet çdo vit nga shitja e energjisë së prodhuar prej katër hidrocentraleve të nxjerra në shtije nga qeveria
6 vjet: Është koha brenda së cilës blerësi i hidrocentraleve do të arrijë të rikuperojë çmimin e blerjes, pa pasur në nevojë të bëjë asnjë investim