Përfshihen edhe dhomat e tregtisë. Nikolin Jaka: Bashkimi do të sjellë probleme
Zamir Alushi
Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) dhe Qendra Kombëtare Licencave (QKL) do të shkrihen në një institucion, ndërkohë që do të integrohen bashkë me to edhe sportele të vendosura në dhomat e tregtisë. Projektligji propozuar nga Ministria e Ekonomisë synon të ndërtojë një sportel të vetëm të quajtur Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), e krijuar në modelin e një one-stop-shop. I pyetur për këtë projekt, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, u shpreh se bashkimi i QKR-së dhe QKL-së në një të vetëm, do të krijojë probleme në funksionim. “Jemi njohur me këtë projektligj dhe e kemi diskutuar në Këshillin e Investimeve. Mendoj se QKL ka funksionuar shumë mirë dhe nuk duhet të shkrihet me QKR. Nga ana tjetër, Qendra e Regjistrimit ka shfaqur mangësi, prandaj duhet të riorganizohet. Për sa i përket përfshirjes së dhomave të tregtisë në këtë projektligj, nuk sjell asgjë të re, sepse regjistrimi i bizneseve, mbajtja e Regjistrit Tregtar, është një detyrë funksionale e dhomës së tregtisë. Ne aktualisht funksionojnë dhe kemi sportel të regjistrimit të bizneseve”. Sipas Jakës, dhënia e licencave dhe autorizimeve nga QKL është një proces shumë i specializuar që nuk duhet të komplikohet me regjistrimin. Drafti propozon që QKB-ja të jetë një institucion unik me sportelin qendror dhe zyra në njësitë e qeverisjes vendore. Gjithashtu, QKB-ja do të ofrojë shërbim edhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit të hapura pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë ose dhomave të tregtisë. Hapja e këtyre sporteleve bëhet në marrëveshje me këto organizata, të cilave u delegohen funksionet e sportelit të QKR-së, në përputhje me kushtet e këtij ligji dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit. Numri dhe vendndodhja e sporteleve të shërbimit do të bëhet me miratim të ministrit të Ekonomisë.
Tarifat
Për sa u përket tarifave të QKB-së, ato ndahen në dy grupe: a) tarifa për kryerjen e funksioneve të QKB-së; b) tarifa për shërbime shtesë për biznesin. Të parat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të dytat miratohen nga ministri. Si rregull, të ardhurat nga tarifat derdhen plotësisht në buxhetin e shtetit, pavarësisht se ku mblidhen ato. Sa u përket të ardhurave nga tarifat për shërbimet shtesë 10% do të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa vetëm 90% do të mbahen nga QKB-ja për t’u përdorur për përmirësimin e shërbimeve. Drafti parashikon detyrimin që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, ministri të caktojë titullarin e QKB-së, në përputhje me kuadrin ligjor për nëpunësin civil. Gjithashtu, ky nen parashikon detyrimin që brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, organet përgjegjëse të nxjerrin aktet nënligjore të nevojshme për funksionimin e plotë të institucionit të ri.
Vlefshmëria e dokumenteve
Sipas draftit, lejet e dhëna dhe regjistrimet e mëparshme mbeten të vlefshme. Dokumentet e lëshuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit, përpara datës së hyrjes në fuqi të ligjit, mbeten të vlefshme për çdo qëllim ligjor dhe subjektet që janë pajisur me to nuk detyrohen të kryejnë asnjë veprim shtesë.
Kostot
Shpenzimet që përballon QKB
Sipas projektligjit, për sportelet në njësitë e qeverisjes vendore që japin shërbimin si funksion të deleguar, QKB-ja përballon investimet kapitale, shpenzimet operative si fond i kushtëzuar në një shumë fikse të pandarë, si dhe përballon kostot e trajnimeve për sportelet vendore, sipas praktikës aktuale të sporteleve të QKR-së dhe QKL-së. Ndërkohë që për sportelet pranë dhomave të tregtisë, QKB-ja përballon vetëm kostot e trajnimit të stafit, ndërkohë që investimet kapitale e shpenzimet operacionale përballohen nga vetë dhomat.