Projekti
Bashkimi Europian pritet që së shpejti të disbursojë grante me vlerë 1.5 milionë euro, të cilat do të mund të përfitohen nga Organizatat e Shoqërive Civile përmes projekteve, që synojnë ngritjen e kapaciteteve menaxhuese të shoqërisë civile, ku rol të veçantë luan edhe media. Në tryezën e organizuar të enjten në Tiranë “TACSO dhe Media”, drejtori i Zyrës së TACSO-s për Shqipërinë, zoti Genci Pasko, tha se “Media, përveçse mund të informojë publikun për mundësitë që ofrohen për përfitimin e këtyre granteve, mund të bëhet pjesë e granteve përmes projekteve në fusha të ndryshme”. Pasko informoi se për periudhën 2008-2013 fondet në dispozicion për Ballkanin Perëndimor kapin vlerën e 81 milionë eurove. “Takimi është një mundësi unike për OSHC-të shqiptare, për të krijuar një kuadër sa më të qartë për oportunitetet dhe pikëpamjet e politikave të BE-së në Bruksel dhe Tiranë në lidhje me shoqërinë civile. Një komponent mjaft i rëndësishëm i projektit TACSO në nivel rajonal është krijimi i partneriteteve dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet OSHC-ve të vendeve dhe rajonit të IPA-s dhe homologëve nga vendet e BE-së”, deklaroi më tej ai.