Financat, thirrje fermerëve të regjistrohen me NIPT. Përfitimi, 20% për çdo faturë shitje


Zamir Alushi


kujdes-vreshtar-mos-i-krasitni-vreshtat_hd_1Në fillim të vitit, Ministria e Financave shpërndau një broshurë për fermerët që niste me ftesën “Të nderuar fermerë shqiptarë, individualë apo familjarë, prodhues të produkteve bujqësore dhe blegtorale, formalizohuni, që të përfitoni!” Kjo ishte thirrja për t’u bërë pjesë e skemës për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Qeveria e majtë, e rriti masën e subvencionit të TVSH-së, nga 6 që ishte, në 20%. Në fakt, paratë nuk shkuan tek fermerët. “Në rast se produktet tuaja ia shisni një personi të regjistruar si tatimpagues të Tatimit të Vlerës së Shtuar, TVSH, jeni përfitues të skemës së kompensimit, që ka hyrë në fuqi që në tetor 2014”, shpjegonte broshura për fermerët, por procedura nuk ishte e thjeshtë. Sipas Ministrisë së Financave, e cila më 11 shtator 2015 u detyrua ta ndryshojë udhëzimin e nxjerrë në fund të vitit të kaluar, paratë e rimbursuara nuk po shkonin tek fermerët. Tregtarët e produkteve bujqësore bënin autofaturim fals dhe TVSH-në e rimbursuar e mbanin për vete. Por, çfarë ka ndryshuar në procedurën e financave dhe si mund të arrijnë fermerët të marrin paratë që iu takojnë sipas ligjit.


Kushtet për të përfituar


Sipas Financave, skemës së kompensimit i nënshtrohen fermerët që zhvillojnë aktivitetin e vet për prodhimin e produkteve bujqësore, bimore ose shtazore. Fermerët duhet të pajisen me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ndodhet ferma, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim. Ky është një lehtësim i procedurës së vendosur në vitin 2008, e cila kërkonte që fermerët të regjistroheshin si biznes i vogël që të përfitonin kompensim. Për t’u pajisur me certifikatën e NIPT-it, fermeri paraqet: formularin përkatës të plotësuar; dokumentin e identifikimit; vërtetimin e lëshuar për fermerin prej drejtorisë rajonale të bujqësisë, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i tij. Sipas skemës së vitit 2008, ishte parashikuar pajisja e fermerëve me dokumentin “Karta e Fermerit”, por kjo nuk u bë asnjëherë. Drejtoria tatimore, pasi kryen verifikimet bën regjistrimin në regjistrin tatimor, duke evidentuar faktin që subjekti është “fermer”. Nëse dokumentet janë të sakta, Tatimet lëshojnë certifikatën e regjistrimit (NIPT-in) brenda dy ditësh. Ky regjistrim dhe certifikata e NIPT-it lëshuar fermerit është e vlefshme vetëm për qëllime të përfitimit nga skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë.


Si funksionon skema?


Blerësi i produkteve bujqësore, sipas këtij udhëzimi, është person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në dhe i nënshtrohet regjimit normal të TVSH-së. Pra, blerësi nuk mund të jetë një biznes i vogël. Blerësi, për çdo furnizim të marrë prej fermerit, lëshon një faturë tatimore me TVSH, në të cilën evidenton si shitës fermerin dhe NIPT-in. Vlera totale e faturës është shuma e paguar nga blerësi për llogari të fermerit, përfshirë normën e kompensimit e cila është 20%. TVSH-ja e shënuar në faturë prej 20% përbën normën e kompensimit të fermerit. Kompensimi i akorduar i paguhet fermerit nga blerësi, person i tatueshëm, përkundrejt furnizimeve të kryera. Për të siguruar që këto para të shkojnë te fermerët, por edhe për të nxitur regjistrimin e fermerëve te tatimet, Ministria e Financave udhëzon së fundmi që fermerët ta marrin 20% e kompensimit përmes llogarisë bankare. Kompensimi ka për qëllim të mbulojë TVSH-në e paguar prej fermerëve në çmimin e blerjes së mallrave e shërbimeve, që ata kanë blerë për nevoja të kryerjes së aktivitetit të tyre prodhues bujqësor. Çdo blerës i produkteve të fermerit që aplikon skemën e kompensimit, duhet të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore përkatëse përpara se të bëjë blerjen, duke e shoqëruar njoftimin me një akt marrëveshje midis palëve, ku bien dakord të kryejnë transaksione për produktet bujqësore. Për çdo marrëveshje shtesë me një fermer të ri që blerësi hyn në transaksione duhet të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore. Mosnjoftimi në kohë dhe mosaplikimi korrekt, sipas kësaj procedure, i heq blerësit të drejtën e zbritjes së TVSH-së si normë e kompensimit të shënuar në faturën e lëshuar në emër të fermerit. Drejtoria tatimore mban një regjistër të veçantë, duke evidentuar çdo person të tatueshëm që ka njoftuar se kryen blerje nga fermerë në kuadër të skemës së kompensimit të fermerit. Fermeri i pajisur me NIPT, nuk duhet të pajiset me blloqe të faturave tatimore me TVSH nga drejtoritë rajonale tatimore, pasi fatura në emër të fermerit lëshohet nga blerësi. Tregtari e plotëson faturën me të dhënat e kërkuara dhe e mban vetë faturën origjinale, e cila i jep të drejtën e zbritjes së TVSH-së së shënuar në faturë. Shitësi fermer pajiset me kopjen e dytë të faturës, e cila ruhet prej tij si dokument që vërteton furnizimin (shitjen) e kryer.


Zbritja e TVSH-së për tregtarin


Kompensimi, që personi i tatueshëm blerës i ka paguar shitësit prodhues bujqësor, është TVSH e zbritshme për tregtarin. Blerësi në çdo faturë të lëshuar shkruan “Vetëfaturim i TVSH-së sipas regjimit për kompensim të fermerit”. Nëse fatura nuk përmban të dhënat e plota dhe të sakta, blerësi nuk ka të drejtë të kreditojë kompensimin, madje detyrohet të paguajë dënimin, për faturë. Po ashtu, blerësit nuk i njihet si e zbritshme TVSH-ja e kompensuar sipas kësaj skeme për produktet e blera nga fermerët, të cilat dëmtohen, prishen, duke u bërë të papërdorshme prej tij. Ndërsa kushti i ri, i vendosur me udhëzim të ministrit Cani, është që tregtari të provojë kryerjen e kompensimit të fermerit, nëpërmjet likuidimit të vlerës së faturës nga llogaria bankare e tij në llogarinë bankare të fermerit.


 


Lista e produkteve që kompensohen



  1. Kultura bujqësore:

  2. a) bujqësia e përgjithshme, përfshirë vreshtarinë

  3. b) pemëtaria dhe hortikultura (perimet, lulet)

  4. c) prodhimi i kërpudhave dhe i erëzave, i farërave dhe filizave


ç) prodhimi i fidanëve.



  1. Blegtoria:

  2. a) mbarështimi i kafshëve

  3. b) mbarështimi i shpendëve

  4. c) mbarështimi i lepujve


ç) mbarështimi i bletëve



  1. d) mbarështimi i krimbit të mëndafshit

  2. dh) mbarështimi i kërmillit


 


Shembull


Si përfiton nga skema një pronar vreshtash


Një fermer vreshtar me emrin A.B., që merret me vreshtari duke prodhuar rrush, i shet prodhimin shoqërisë X, një përpunuesi dhe prodhuesi verërash i regjistruar si person i tatueshëm për TVSH-në. Vlera e mallit të shitur nga fermeri A.B. për shoqërinë X është 30.000 lekë. Pra shoqëria X i detyrohet fermerit A.B. për vlerën 30.000 lekë.


Detyrimet e fermerit A.B.


Për të përfituar nga skema e kompensimit A.B. duhet të regjistrohet në drejtorinë rajonale tatimore për t’u pajisur me NIPT brenda dy ditësh pune. Drejtoria rajonale tatimore pajis me certifikatë NIPT-i fermerin, duke shënuar si emër “Fermeri A.B.” dhe NIPT-in që gjeneron sistemi. Fermeri duhet të ketë një numër llogarie në bankë, ku do t’i kalojnë paratë e shitjes.


Detyrimet e subjektit X


Ndërkohë përpunuesi i rrushit, shoqëria X, përpara se të lëshojë faturën e parë në emër të fermerit, duhet të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore përkatëse që është aplikues i skemës së kompensimit të fermerit duke i bashkëngjitur dhe marrëveshjen me fermerin. Personi i tatueshëm, në momentin që ka marrë furnizimin prej fermerit, përpilon faturën tatimore të shitjes me TVSH. Vlera e furnizimit është 30.000 lekë, pra kjo është vlera që blerësi do t’i paguajë fermerit. Në faturë në vlerën e tatueshme do të shënohet 25.000 lekë, në kutinë e TVSH-së do të llogaritet norma e kompensimit 20%, pra 25.000 lekë x 20% = 5.000 lekë dhe vlera totale e furnizimit 30.000 lekë. Kjo shumë duhet kaluar në bankë në llogarinë e fermerit. Ndërsa, tregtari me faturën origjinale dhe vërtetimin bankar aplikon për zbritje të TVSH-së në masën 5.000 lekë.


 


Mbështetja


Rreth 352 mijë ferma që mund të përfitonin nga skema


Bujqësia është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë sonë dhe zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së. Familjet rurale vazhdojnë të mbizotërojnë me mbi 50% të popullsisë dhe bujqësia përbën një alternativë të mirë të tregut të punës. Sipas të dhënave të INSTAT, të vitit 2014, numri i fermave në vend, nga 351 605 që ishin të regjistruara në 2013, arriti në 352 315 në vitin 2014. Duhet theksuar se si pasojë e emigracionit me ritme të larta nga zonat rurale, Ministria e Bujqësisë ka identifikuar rreth 84 mijë ferma që i kanë tokat djerrë (të papunuara). Qysh nga viti 2008, kur u aplikua skema e mbështetjes me anë të zbritjes së TVSH-së për produktet bujqësore, në atë kohë 6% dhe në vitin 2014, ku u bë 20%, këto subvencionime kanë përfunduar në xhepat e tregtarëve, kryesisht të eksportuesve të produkteve bujqësore.