Në kuadër të asistencës së FMN-së ka përfunduar drafti i planit të ri strategjik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drafti i strategjisë së përputhshmërisë për periudhën 2012-2015, të cilat pritet të miratohen nga administrata tatimore. Kjo strategji përfshin 5 elemente kyçe të administrimit tatimor: borxhi tatimor, regjistri i tatimpaguesve, procedurat e riskut, rimbursimi i TVSH-së dhe teprica kreditore. FMN punoi rreth tre muaj me administratën tatimore, duke parë nga afër defektet dhe çfarë duhet përmirësuar në menaxhimin e punës. Ishte konsulenca e Fondit Monetar që bindi tatimet të uleshin në tryeza të përbashkëta me grupet e interesit nga fusha e biznesit.


Bazuar në kuadrin e fundit makroekonomik (publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare) për periudhën 2013-2015 dhe politikat tatimore për tre vitet në vijim, të ardhurat totale në buxhetin e konsoliduar për tre vitet 2013-2015 në vlerë janë parashikuar përkatësisht në nivelet 377.5, 403.1 dhe 429.9 miliardë lekë, me një rritje vjetore 6.1 për qind, 6.8 për qind dhe 6.7 për qind, ndërsa në raport me PBB-në, të ardhurat do jenë respektivisht 25.7 për qind në 2013-n, në 25.8 për qind e PBB-së në 2014 dhe 25.9 për qind e PBB-së në vitin 2015. Ecuria e të ardhurave nga tatimet dhe doganat si zëri kryesor i të ardhurave të buxhetit të shtetit, për periudhën 2013-2015, në vlerë absolute, parashikohet 269,316 milionë lekë në vitin 2013, 287,809 milionë lekë në vitin 2014 dhe 308,215 milionë në vitin 2015.