rama me biznesin 1Kryeministri i vendit, Edi Rama, duke folur ne takimin e hapur me biznesin  “Dialog, Përgjegjësi, Partneritet”, i zhvilluar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, deklaroi se   sot Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, më e madhja që pas asaj të vitit 1997. Rama siguroi komunitetin e biznesit se do të ketë mbështetjen më të madhe të qeverisë, pasi sipas tij siguria e tyre lidhet drejtpërsëdrejti me sigurinë e vendit.


“Jemi këtu për t’ju konfirmuar se suksesi juaj është suksesi ynë. Për ne, fati i parave tuaja është fati i parave të këtij populli. Për ne siguria në rrugën tuaj është siguria në rrugën e Shqipërisë drejt atyre aspiratave të paralizuara që do ta bëjnë Shqipërinë një vend normal. Sot Shqipëria është në krizën e saj më të thellë pas asaj të ‘97-ës. Flasin shifrat dhe faktet por më shumë se ato flasin plagët në trupin e çdo sipërmarrje që jeton jashtë oborrit të pushtetit të djeshëm që e transformoi marrëdhënien me biznesin në një marrëdhënie dhune dhe arbitrariteti”, – tha Rama.


Më tej Rama theksoi se borxhi që qeveria ka ndaj sipërmarrjes është shumë i madh, rreth 600 milionë dollarë, por ai shprehu angazhimin për ta shlyer të gjithë këtë borxh që paralizon ekonominë e vendit.


“Ka dy rrugë ose do shlyejmë borxhet ose ne do të shumëfishojmë shushunjat. Rruga e parë është e dhimbshme ndërsa rruga e dytë është tragjike. Kemi borxhe në transport, punë të papaguar kompanive. Kemi borxhe ndaj sektorit të ujërave, ndaj sektorit shëndetësor, përfshi detyrimet e ilaçeve.  Kemi borxhe në sektorin e arsimit, kemi TVSH e parimbursuar”, tha Rama, ndërsa premtoi se qeveria do t’i shlyejë të gjitha detyrimet.


Ahmetaj: Rritja ekonomike zero, ne dy vjet do shkoje ne 4 per qind


Ekonomia shqiptare ka ndaluar, rritja ekonomike është shumë pranë zeros dhe kjo si pasojë e krizës ekonomike globale, por keqqeverisjes. Kështu ka deklaruar ministri Arben Ahmetaj në takimin e hapur me biznesin


“Rritja ekonomike është shumë afër zeros, ekonomia shqiptare ka ndaluar, kjo nuk mund të sigurojë dot punësim nëse rritjet e saj nuk kapin 4%. Sot jemi 1/3 nga objektivi afatmesëm që kemi së bashku. Këtë situatë nuk e ka sjellë kriza globale, e partnerëve europianë, në thelb kriza shqiptare është e keqqeverisjes dhe aty duhet të fillojë rimëkëmbja ekonomike. Të ardhurat e buxhetit janë nga më të ulëtat në 20 vite të krahasuara me vitin ‘97, kreditë e këqija kapin nivelin 25 për qind. Kryefjala e gjithë ndryshimit që qeveria e re ka premtuar do të jetë dialogu, i cili ka munguar dhe ka qenë monolog i imponuar”, – u shpreh Ahmetaj.


Ministri Ahmetaj bëri të ditur se 24 tetor do të mblidhet për herë të parë Këshilli Ekonomik Kombëtar, ku komuniteti i biznesit dhe specialistë të ekonomisë do të diskutojnë të ardhmen e ekonomisë shqiptare.


Cani: Situata financiare, shume e veshtire por jo e paperballueshme


Ndërkohë, ministri i Financave Shkëlqim Cani i pranishëm në këtë takim, theksoi se situata financiare është shumë e rëndë, por jo e papërballueshme.


“Hendeku negativ i mosrealizimit të të ardhurave është rreth 40 miliardë lekë. Të ardhurat e buxhetit për vitin 2013 pritet të jenë më pak se 3 vite më parë. Do të ulim shpenzimet për administratën”, u shpreh Cani.


Ministri kërkoi ndihmën e komunitetit të biznesit për të kaluar këtë situatë të vështirë, ndërsa premtoi se një nga synimet e para dhe kryesore të qeverisë është që të shlyhet sa më parë borxhi ndaj biznesit.

“Nuk kemi luksin për të përzgjedhur shumë, por ajo që është vendosmëri e kësaj qeverie është të vendosë trenin në shinat, dhe kjo mund të ndodhë në bashkëpunim me biznesin. Ne do të bëjmë të mundur krijimin e një raporti të ndershëm me biznesin”, tha Cani.


4 tetor 2013 (gazeta-Shqip.com)