Rritet edhe numri i subjekteve të regjistruara. Krahasimi në përqindje, sipas muajve


kuponi tatimor kasa fiskaleMinistria e Financave ia faturon ndërgjegjësimit të biznesit rritjen e numrit të subjekteve të regjistruara apo edhe trefishimin e deklarimeve online për tatimet. Sipas këtij dikasteri, me masat e marra nga autoritetet publike, rritjen e angazhimit të nëpunësve për t’u ofruar lehtësi të gjitha sipërmarrjeve që nuk kishin respektuar detyrimet ligjore për regjistrim ligjor dhe pajisjen me kasat fiskale, është arritur të ndërgjegjësohet pjesa më e madhe e sipërmarrësve që kishin neglizhuar për një kohë të gjatë këtë detyrim.


Nëse u referohemi të dhënave operative të servirura nga Ministria e Financave, në muajin korrik 2015 u regjistruan 831 biznese ose 70.9% më shumë sesa viti 2014 dhe 1151 (135.1%) më shumë se viti 2013. Ndërkaq, muaji gusht ka rritur ritmin e regjistrimeve. Kështu, janë regjistruar 4,221 biznese ose 569.6% më shumë sesa viti 2014 dhe 4,371 (739.6%) më shumë sesa viti 2013. E njëjta “situatë ndërgjegjësimi” shënohet edhe gjatë gjysmës së parë të këtij muaji. Ritmet e regjistrimeve kanë kapur një tjetër stad me prezantimin publik të operacionit kundër informalitetit. Kështu, deri më datën 18 shtator, janë regjistruar mbi 11 mijë biznese ose 826.9% më shumë se në shtatorin e vitit 2014 dhe 11 531 (1339.3%) më shumë nga dy vite të shkuara. Por ajo që konsiderohet më e rëndësishme në gjithë punën e kryer për të ndërgjegjësuar subjektet që kanë detyrim ligjor regjistrimin dhe pajisjen me kasë fiskale, është rezultati në xhiron fiskale që deklarojnë subjektet. Kështu, për periudhën 1 korrik – 16 shtator 2015, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, është gati trefishuar numri i pajisjeve të reja fiskale që raportojnë në sistemin e tatimeve. Është rritur me rreth 26 milionë (+57%) numri i kuponëve tatimorë të lëshuar prej pajisjeve fiskale, ndërkohë që është shtuar me rreth 33 miliardë lekë (40.4%) sasia e xhiros së deklaruar gjatë kësaj periudhe nga pajisjet fiskale.


Kontrolli i kryqëzuar i pothuajse të gjitha institucioneve të angazhuara në operacionin kundër informalitetit ka sjellë rezultate jo vetëm në pajisjen me kasa fiskale dhe detyrimin për të shoqëruar me faturë tatimore të gjithë mallin e inventarizuar, por edhe në formalizimin e të punësuarve. Kështu, gjatë periudhës 7-18 shtator, grupet e përbashkëta kanë ushtruar 36372 kontrolle te subjektet dhe kanë konstatuar shkelje te rreth 11% e tyre. Shkeljet më të mëdha konsistojnë në mospasjen e pajisjes fiskale dhe në mospasjen e faturave për mallin e inventarizuar. Punonjës të padeklaruar janë konstatuar në 574 raste.