Duket se problemi i Tatimeve me statistikat është zgjidhur, jo për vullnet të shtetit shqiptar, por të qeverisë suedeze. Mbyllet përfundimisht projekti suedez “Mbështetje në realizimin e Planit Strategjik të DPT-së për periudhën 2008-2012”. Disa organizma të këtij shteti dhanë për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, 1.3 milionë euro, me synim përmirësimin e funksionit të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve në DRT Durrës, nëpërmjet krijimit të një qendre të re të Shërbimit ndaj Tatimpaguesve si dhe realizimin e fushatave informuese për biznesin për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore. Për herë të parë, nëpërmjet këtij projekti, u bë hartimi dhe publikimi i dy botimeve “Tatimet në Shqipëri 2010” dhe “Statistikat Tatimore të ATQ-së 1994 -2011”, duke bërë prezantimin e administratës me të dhëna statistikore zyrtare dhe që mund t’i shërbejë studiuesve, grupeve të interesit, mediave etj., për të thelluar njohuritë mbi sistemin tatimor. Projekti gjithashtu ka dhënë ndihmesën e tij nëpërmjet konsulencës në hartimin e manualit të kontrollit tatimor, strategjive të bashkëpunimit midis strukturave të kontrollit dhe hetimit tatimor, përgatitjen e shënimeve të industrisë, kryesisht të sektorit të hoteleri-turizmit, karburanteve, lojërave të fatit, etj., si dhe në krijimin e një pakete treguesish sasiorë dhe cilësorë, që bëjnë të mundshëm matjen e efektivitetit të punës së DPT-së.
A.K.