Ministri i Ekonomisë, Haxhinasto, i premton shoqatës asete në minierat e Spaçit dhe Qafë-Barit
ARD KOLA
Ish të burgosurit politikë, të cilët janë gjallë, kanë shanse të jenë aksionerë të disa minierave në Veri të vendit, ku kanë punuar në regjimin komunist dhe ku madje një pjesë kanë vdekur për shkak të kushteve të rënda. Lajmin e bën të ditur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas së cilës, ministri Edmond Haxhinasto priti këto ditë sekretarin e Shoqatës të ish të Përndjekurve, Gjergj Ndrecën. Takimin e kishin kërkuar vetë të përndjekurit politikë, të cilët mendojnë të jenë pjesë e projekteve minerare, pikërisht në zonat ku kanë punuar dhe ku shokët e tyre kanë vdekur.
“Takimi me ministrin mendoj se shkoi pozitivisht. Dëgjoi opsionet tona dhe në fund na dha mbështetjen për realizimin e këtij objektivi, që nuk është thjesht për qëllime përfitimi, por edhe e një vendosjeje të drejtësisë në vend”, tregon për “Shqip”, Ndreca. Ai, si shumë të tjerë, ka punuar për 6 vjet në minierat e Spaçit dhe të Qafë-Barit. Pikërisht, për këto dy zona interesohen të dënuarit politikë, nga kanë gjetur vdekjen rreth 100 të dënuar gjatë regjimit komunist.
Ministri Haxhinasto, pasi dëgjoi kërkesat e shoqatës, u premtoi mbështetje. “Na tha të bëjmë një kërkesë dhe se do ta merrte në konsideratë”, deklaroi Ndreca, dy ditë pas takimit me kreun e Energjetikës në vend. Sekretari i shoqatës thotë se asetet do të do ndahen mes 9 mijë ish të burgosurve politikë. Një tjetër ish i dënuar, Bujar Sala, thotë se ka punuar për afro 8 vjet në miniera, por nga shteti merr vetëm një pension 12 mijë lekë në muaj. Të dënuarit thonë se kushtet në miniera kanë qenë tejet të vështira. “Kam parë shokët e mi tek torturoheshin nga puna, madje njëri më vdiq në duar. Ne kemi punuar në ato galeri, kemi dhënë shpirtin dhe tani na takon të marrin ndonjë pjesë”, thotë një tjetër i dënuar. Norma në minierat ku punonin të burgosurit ishte 14 orë pune në ditë, për të mbushur 5 vagonë me bakër (koncentrat) për person.
Shoqata e gjykon të padrejtë përfitimin absurd të kompanive private koncesionare, të cilat marrin mineralin, pa shumë investime dhe fitojnë të ardhura marramendëse.
Minierat aktualisht janë dhënë me koncesion te shoqëritë private dhe janë vendburime të pasura me bakër. Vitin e kaluar, ministria ia hoqi të drejtën një shoqërie private të kërkonte bakër në minierën e Spaçit, pasi nuk kishte respektuar kushtet në kontratë (afati dhe investimi).
Minierat e bakrit janë të përqendruara kryesisht në zonën e Mirditës dhe Dibrës. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 1992, janë të zbuluara rreth 51 milionë tonë rezerva gjeologjike, me rreth 1,52 për qind bakër, të cilat me një rivlerësim ekonomik sigurojnë burime efektive për prodhimin në vend të bakrit.
Para ‘90-s, prodhohej çdo vit rreth 1 milion ton mineral bakri e piriti, 50 mijë tonë koncentrat bakri, 12 deri në 15 mijë tonë bakër elektrolitik, 8 deri në 10 mijë tonë tela dhe kabllo, 20 deri në 25 mijë tonë acid sulfurik, 3 deri në 4 mijë tonë tunxhe dhe bronze, etj. Përqendrimi i saj ishte në Veri të vendit, në rrethet e Mirditës, Pukës, Kukësit, Shkodrës, Kurbinit, ku ziheshin me punë rreth 12 mijë veta, pa përfshirë këtu shërbimin gjeologjik, tregon inxhinieri, Nikollë Gega.
Muzeu i Spaçit
Prej vitesh, ish-burgu famëkeq i Qafë-Barit ka mbetur i braktisur, duke u dëmtuar pak nga pak e ditë pas dite, si dhe duke tretur edhe ato pak gjurmë të mbetura të krimit. Në 28-vjetorin e revoltës së 23 majit, ish të burgosurit politikë të Qafë-Barit kërkojnë që, sa më shpejt, burgu i Qafë-Barit të shndërrohet në një muze të krimeve të komunizmit.