11-mujori
As akti normativ nuk e shpëton planin e rishikuar. Debate në Kuvend
ARD KOLA
Shifrat e raportuara dje nga Ministria e Financave për 11-mujorin dëshmojnë situatën e rënduar të ekonomisë shqiptare. Në raport me planin e rishikuar, arkës së shtetit i mungojnë rreth 200 milionë dollarë (21 miliardë lekë) dhe shkaktarët kryesorë janë tatimet dhe doganat, të cilat kanë kontribuar negativisht me 16 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2011, gjithnjë si 11-mujor, të ardhurat në total janë rritur me vetëm 5 miliardë lekë, ose 1.7 për qind, shumë më pak nga sa ishin pritshmëritë. Në total janë mbledhur rreth 300 miliardë lekë dhe plani deri në dhjetor është për realizim prej 333 miliardë lekësh. Nëse mesatarisht çdo muaj është mbledhur 27 miliardë lekë, në dhjetor, Ministrisë së Financave i duhet të arkëtojë 33 miliardë lekë, por ky skenar rrezikohet, pasi muaji nëntor paraqitet më dobët, në raport me atë të vitit 2011, gati 2 miliardë lekë më pak (-7.1 për qind), kurse me planin rezulton 3.6 miliardë lekë mangët (13 për qind).
Këta tregues dëshmojnë se ministri i Financave rrezikon të mos arrijë as planin e rishikuar me akt normativ, miratuar dje me debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ministri Ridvan Bode pranoi se viti 2012 ka qenë i vështirë, por jo, sipas tij, për faj të qeverisë, sesa të kushteve të motit!!.
Pothuajse të gjitha taksat rezultojnë me mangësi në realizimin e planit. Tatimet dhe doganat kanë mundur të mbledhin vetëm 1 për qind më shumë, ose 2 miliardë lekë, si 11-mujor, në raport me vitin e kaluar dhe 6.6 për qind më pak se plani. Kështu me radhë, TVSH rezulton me rritje vetëm 0.5 për qind në raport me 2011 dhe minus 7.5 për qind (8.7 miliardë lekë) me planin; akciza paraqitet më keq, pasi me vitin e kaluar rezulton 8 për qind më pak, kurse me planin 13 për qind minus (5 miliardë lekë); Tatimi mbi të Ardhurat Personale, vetëm 0.8 për qind rritje me 2011-n dhe 6 për qind me planin, etj. Pozitive del zëri i të ardhurave nga gjobat, me 4.4 miliardë lekë, ose 144 për qind më shumë se viti i kaluar.
Dështimi me të ardhurat ka detyruar qeverinë të marrë masat për menaxhimin sa më efecient të shpenzimeve, por jo aq sa për të ruajtur deficitin buxhetor, i cili deri në fund të nëntorit rezultoi 34.5 miliardë lekë (24 për qind më shumë se plani). Shpenzimet në total ishin 15 miliardë lekë më pak se plani dhe 1 miliard më shumë se 2011-a.
Sakaq, dje komisioni miratoi aktin normativ të buxhetit 2012, me rishikime, pasi Financat kanë hartuar skenarin se buxheti nuk do të mbledhë më shumë se 333 miliardë lekë, nga 355 miliardë të programuara në fillim të vitit. Ky rishikim prek edhe shpenzimet, me 16 miliardë lekë. Kjo manovër i shkakton ekonomisë një tjetër rritje të borxhit publik. Opozita ka kërkuar sqarime për aktin dhe pse krijohet ky hendek, sikurse një vlerësim më të saktë nga Ministria e Financave për nivelin e ri të borxhit publik. Në vetëm dy javë nga heqja e kufirit, borxhi është rritur tri herë nga parashikimi duke paralajmëruar një vit të vështirë për financat e vendit. Akti normativ, miratuar një javë më parë nga qeveria, që fillimisht e rriste borxhin publik me vitin 2012 me 7 miliardë lekë më shumë se parashikimi në buxhet, ka pësuar të tjera ndryshime në momentet e fundit, duke i shtuar borxhit edhe 1.2 miliardë lekë të tjera (shkaktuar nga shpërblimet për festat e fundvitit). Me lëvizjet e fundit, borxhi publik arrin në 61 për qind, kurse në vitin 2013 parashikohet të arrijë në 63 për qind të PBB-së.
Rama: Kthetrat e borxhit mbërthyen Shqipërinë
Kthetrat e borxhit që kanë mbërthyer Shqipërinë, përfshi korrupsionin që nuk ndalet, i certifikuar nga organizmat ndërkombëtare ishin dy nga çështjet që kryesocialisti Edi Rama vendosi në fokus të një bashkëbisedimi të gjatë me përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave shqiptare në qytetin e Rrëshenit.
“Ky borxh ka kapërcyer 3000 dollarë për frymë. Ky borxh i kushton një familjeje sot 800 mijë lekë në vit për shpenzimet e borxhit. Janë 800 mijë lekë që mungojnë në ekonomi, janë 800 mijë lekë që mungojnë në arkën e shqiptarëve për shkak se shkojnë për shpenzimet e borxhit. Ky borxh është një gropë e madhe ku Shqipëria rrezikon të bjerë dhe të ndodhet në një situatë që sot ne nuk e parashohim dot”, tha Rama. Sipas shefit të opozitës shqiptare vendi sot po shkon në drejtim të gabuar, duke njohur regres, pasi tashmë është botërisht më i korruptuari, më i papuni dhe më i pashpresë. “Ajo që ne angazhohemi të bëjmë, është që së pari të vendosim të vërtetën në themelin e punës së qeverisë dhe të marrëdhënieve të njerëzve me qeverinë, duke i dhënë fund historisë së shifrave të manipuluara të punësimit, të rritjes ekonomike të cilësisë së shërbimeve dhe duke hapur një kapitull ku e vërteta sado e hidhur që të jetë, duhet të jetë themeli i punës së qeverisë dhe i marrëdhënieve të qeverisë me publikun”, tha Rama. Gjatë bashkëbisedimit, Rama foli për nevojën e një rotacioni politik në 2013-n për të mbyllur një kapitull 8-vjeçar keqqeverisjeje dhe sjellë shpresë nëpërmjet një vizioni e modeli të ri qeverisës.