Kompania në Pragë: Dështuan negociatat me qeverinë shqiptare. Jepet shansi i fundit
Kompania CEZ i jep shansin e fundit qeverisë shqiptare për zgjidhjen e disa mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me vendimet e ERE-s për tarifat, importin e energjisë dhe me gjobat. Kompania mëmë në Pragë ka vendosur që CEZ-in në Shqipëri ta drejtojnë provizorisht britanikët, përmes një shoqërie që merret me zgjidhjen e krizave me anë të negociatave. CEZ Shpërndarje shpërndau dje për mediat një deklaratë, ku jepte sqarimin për situatën e krijuar, por më e drejtpërdrejtë ishte deklarata e CEZ-it në Pragë, aty ku janë zyrat qendrore dhe bordi i aksionerëve.
Sipas njoftimit, Grupi CEZ vendosi t’i përgjigjet pozitivisht qeverisë shqiptare, duke plotësuar pozicionet e saj në Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin e Drejtorëve të CEZ Shpërndarje me ekspertë të pavarur nga kompania SCHINDLERS, një kompani me bazë në Britaninë e Madhe me eksperiencë afatgjatë në negociata strategjike. CEZ pret që kjo lëvizje të qetësojë klimën aktuale të tensionuar të komunikimit dhe do të bëhet e rëndësishme në ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshme për të zgjidhur situatën në Shqipëri.
“Avokatët me eksperiencë do të luajnë rolin e ndërmjetësuesit të pavarur dhe do të përpiqen të zgjidhin problemet në dorë, të cilat kanë më shumë karakter ligjor se sa biznesi”, shpjegon Tomáš Pleskač, Drejtor i Shpërndarjes dhe i Aseteve të Huaja. Për rrjedhojë, të premten, më 5 tetor 2012, në Takimin e Përgjithshëm të CEZ Shpërndarje do të prezantohet një mocion për një bord të ri mbikëqyrës në numër dhe strukturë dhe për një reduktim të numrit të anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës nga gjashtë në tre dhe reduktim të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve nga tre në një.
“Të gjithë këta ekspertë do të marrin detyra specifike dhe objektiva nga Takimi i Përgjithshëm i CEZ Shpërndarje, të cilat do të lidhen me shpërblimin e tyre. Mandati i tyre do të përfaqësojë interesat e CEZ dhe do të përkufizohet në detaje”, shtoi Pleskač.
Grupi CEZ vendosi të ndërmarrë këtë hap pas një serie bisedimesh të pasuksesshme, të cilat kanë rezultuar, në një gjobë (30 milionë euro) që u vendos mbi kompaninë lokale si pasojë e impaktit në taksa nga humbjet e pësuara në sistemin e shpërndarjes. Gjoba bazohet përgjithësisht në supozimin që energjia e vjedhur nga sistemi i shpërndarjes nga nënshtetasit shqiptarë duhet të faturohet nga CEZ te klientët e saj dhe kjo sasi virtualisht e faturuar duhet të bëhet subjekt i TVSH-së dhe tatimfitimit të pagueshëm te qeveria shqiptare. CEZ absolutisht refuzon të pranojë këtë përqasje dhe sakaq ka apeluar ndaj gjobës.
Grupi CEZ vijon të bëjë gjithçka që ka në dorë për të mbrojtur vlerën e kompanisë së saj të shpërndarjes në Shqipëri dhe për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë. Kërkesa për garancitë e bëra nga Banka Botërore ose nisja e procedurës së Arbitrazhit kundër Shqipërisë mbetet ende masa më ekstreme. Shumë kompani janë detyruar sakaq të ndërmarrin hapa të tilla, për shkak se nuk janë më në gjendje të përballojnë klimën e paqëndrueshme të biznesit dhe moralin e ulët të pagesave në Shqipëri. Grupi CEZ disponon asete të rëndësishme energjetike në shtatë vende të tjera. “Shqipëria është vendi i vetëm ku grupi nuk i ka kapërcyer dhe as nuk i ka arritur kthimet e planifikuara mbi investimin”, thotë kompania. Situata në Shqipëri u komplikua më shumë këtë vit, kur për shkak të thatësisë drastike vendi rrezikon stakimin total të linjave, pasi KESH nuk mundet të importojë, kurse CEZ, për shkak të gjobës dhe disa vendimeve të tjera, ka vështirësi financiare.
Borxhet
Bode kërcënon CEZ-in
Qeveria paralajmëroi për herë të parë kompaninë e shpërndarjes CEZ, që të përmbushë detyrimet e saj ligjore, në të kundërt do të përballet me masa deri në më ekstremet. “Ne kemi një Ent Rregullator, që është i pavarur nga qeveria, që varet nga Parlamenti dhe ne jemi të gatshëm të marrim çdo masë që ky Ent Rregullator do të marrë në një moment të caktuar. Ai funksionon në bazë të një ligji. Ne kemi një kontratë privatizimi për këtë kompani dhe plotësimi i detyrimeve reciproke është i domosdoshëm”, tha dje ministri i Financave Bode.