Aksioni


Ministri i Bujqësisë mbledh grupin e punës. Nisin gjobat e rënda 


Apeli – “Asnjë subjekt të mos mendojë që do i bëjë hile ligjit”, tha ministri


Gjatë tri javëve aksione në terren është bërë kontrolli i 178 subjekteve të therjes dhe tregtimit të mishit dhe në 102 prej tyre janë vendosur masa të ndryshme penalizmi, sipas shkeljeve që janë vënë re. E thënë ndryshe, më shumë se 60 për qind e theroreve në Tiranë kanë punuar pa kushte, që sipas ministrit të Bujqësisë, është rrjedhojë e mungesës së plotë të kontrolleve.


Me këtë rast, Genc Ruli mblodhi dje Task-Forcën rajonale të Tiranës, e cila ka si qëllim zbatimin e aktit normativ për parandalimin e therjes së kafshëve dhe shitjen e tyre në shkelje me ligjet në fuqi. Në mbledhjen e Task-Forcës, ku morën pjesë drejtues të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të Bashkisë Tiranë, policisë dhe agjencive të tjera që përcaktohen në aktin normativ, u bë me dije se gjatë tri javëve të shkuara është punuar në terren, ku dhe janë penalizuar dhjetëra subjekte. Në mbledhjen e Task-Forcës, duke përjashtuar punën e bërë në Tiranë, ministri Ruli kërkoi që të ketë më shumë bashkëpunim mes institucioneve që janë përfshirë për të punuar së bashku në këtë akt normativ. “Puna ka nisur prej pak javësh dhe nuk është një fushatë e përkohshme, por është një punë e përqendruar në të gjithë vendin, me qëllim rregullimin e tregut të tregtimit të mishit. Kjo punë e nisur nuk përfundon në disa javë, por përfundon kur të gjitha standardet e kërkuara për therjen e kafshëve dhe tregtimin mishit të jenë plotësuar. Fillimisht do të frenojnë problemet emergjente, por jemi të bindur që ka shumë punë për të bërë për të arritur në respektimin e të gjitha standardeve. Rezultatet e tanishme tregojnë që ky aksion ka qenë i munguar që prej 20 vitesh”, tha ministri Genc Ruli. Ai ka shtuar më tej, se me nisjen e aksioneve në terren vihet re një përmirësim i situatës. “Më parë, sensibiliteti tek institucionet, por dhe te konsumatori, ka qenë i ulët, por me penalizimet e bëra në këto ditë vihet re një ndërgjegjësim te të gjithë. Tirana është zonë komplekse, pasi ka një numër të madh konsumatorësh, ka dhe një aktivitet të madh tregtar”, tha ministri i Bujqësisë, gjatë mbledhjes së Task-Forcës Rajonale. Ndërkohë, duke parë problematikën në këtë fushatë voluminoze, ministri Ruli tha se në disa raste ka pasur mungesë bashkëpunimi nga ana e disa komunave apo edhe bashkive për të zbatuar aktin normativ. “Ka bashki që nuk kanë në strukturë veterinerë dhe që kanë hezituar të bashkëpunojnë për të zbatuar aktin normativ, çka dhe sjell vonesa në disiplinimin e këtij tregu ku po veprojmë”, tha ministri Ruli.


A.K.